Wednesday, 17 January 2018

Skënderbeu dhe turqit- dhe Mesjeta çorbë

“Ah të kishim patur edhe një Skënderbe tjetër!” është thirrja, që i del nga gjoksi çdo fëmije shqiptar, pasi është “dëndur” me legjendat e Gjergj Kastriotit në shkollë, në bibliotekë dhe në emisionet televizive. Ka disa dhjetvjeçarë, që shqiptarët e kanë mendjen top, se fati i tyre i keq u përcaktua në një ditë janari të vitit 1468, kur mbylli sytë Heroi Kombëtar.
“Eh, që ishte Gjoni i vogël, se do ishim tani europianë dhe shkuar europianëve. Pak a shumë si Zvicra.” (Zvicra në kohën e Skënderbeut ishte një Konfederatë Kantonesh, e ngjashme me organizimin shtetëror , që ka sot.)
“Eh ata turqit barbarë!” është thirrja tjetër, që del nga shpirtrat fëminorë të shqiptarëve, që gjithë kusuret e sotme ja kanë hedhur si qyrk, pushtuesve turq. Dembelizmi, rryshfeti, prapambetja, bestytnitë, ferexhetë, vrasjenatën-qarjeditën janë të tëra nga turqit. Ne ishim një popull europian, i krishterë, i shkolluar, i përparuar, punëtor dhe paqedashës. Përveç të parës, ne nuk kishim asnjë cilësi tjetër(zaten as identitet europian nuk kishte në atë kohë, se bota ishte më e vogël) nga të sipërpërmendurat më të kultivuar se mesdhetarët e tjerë.
Ne nuk ishim të krishterë më të mirë se italianët e të tjerë popuj të Europës Qëndrore, të cilët, në kohën kur u lind Skënderbeu, kishin zgjedhur për Papë, Baldasar Kosën, i cili kur u hoq u dënua në gjyq për “piratizëm, përdhunime, sodomizëm, vrasje dhe inçest”.
Ne nuk ishim më të shkolluar se të tjerët, se njihen shumë pak institucione arsimore në atë kohë dhe gjuha jonë sa kishte nisur të shkruhej.
Ne nuk ishim as më të përparuar se të tjerët, për arsye të terrenit, të largësisë nga Danubi, të rënies në vazhdim të Perandorisë Bizantine dhe të tjera arsye.
Ne nuk ishim as më punëtorë se të tjerët, se në gjithë krishtërimin e asaj kohe puna nuk ishte nder. Lidhja e punës me Zotin dhe nderimi i saj është vepër e Reformatorëve Martin Luter dhe Xhon Kalvin, të cilët e zhvilluan veprimtarinë e tyre një shekull më vonë se shekulli i Heroit tonë Kombëtar.
Ne nuk ishim më paqedashës se të tjerët, se në atë kohë jemi përfshirë në luftra që shtrihen nga Azia e Vogël e deri në Spanjë. Eshtë e dokumentuar, që Gjon Kastrioti bashkë me prijës të tjerë serbë dhe shqiptarë ka dërguar trupa më 1402 përkrah Otomanëve, në betejën e Ankarasë kundër mongolëve.
Turqit më shumë i sollëm ne se sa erdhën në Shqipëri. Në shekullin e XIV dhe XV, ata ishin një forcë ushtarake e fuqishme dhe shpesh prijësit shqiptarë i thërrisnin në ndihmë, kur luftonin mes tyre, me sërbët, bizantinët apo perëndimorët e tjerë. Më 1385 Karl Topia i kërkoi ndihmë Sulltan Muratit për të luftuar kundër Balshës II, që donte të pushtonte Durrësin. Tre vjet më vonë, Gjergj Balsha bënte aleancë me Sulltan Muratin të mundte rivalin e tij, Vlatko Vukoti] të Bosnjës. Më 1392, Niketa Topia sulmoi Krujën t’ja merrte të kushërirës Helena Topia, dhe kjo iku të mbrohej në Balshajt që ishin vasalë të Turqve dhe dy vjet më vonë, turqit i kthyen Krujën Helenës, që u martua me Konstandin Balshën.
Pra një teatër i shëmtuar oborresh, vasalësh, ndryshime aleancash, martesash për interes, luftrash me mercenarë - të gjitha për pushtet dhe para, pa asnjë parim etnije, gjuhe apo feje.
Kjo ishte Mesjeta në të gjithë Europën dhe në Lindjen e Afërme dhe Turqit ishin një forcë administrative dhe ushtarake më e përparuar se rivalët e tyre europianë. Përgjithësisht, ushtritë turke ishin më të shpejta dhe më të pakta në numur dhe jo si na kanë mësuar, që “lukunitë“ me barbarë aziatikë, i suleshin Europës së përparuar.
Shtetet feudale europiane ishin po aq mizorë sa edhe turqit. Ishin luftra për zotërime dhe për të fituar të drejtën të rroje mirë në kurriz të të tjerëve.
Kjo ishte e gjithë Europa në kohën kur u formua si njeri, luftëtar dhe shtetar Gjergj Kastrioti.
Të mbijetoje dhe të sundoje duheshin trimëri, dinakëri, mizori, zgjuarsi, diplomaci dhe mbi të gjitha mungesë skrupujsh.
Për shembull, më 1428, Gjon Kastrioti i kërkonte të falur zyrtare Senatit të Venedikut, për rolin e Skënderbeut si oficer në ushtrinë turke, në fushatat kundër vendeve të krishterë.
E megjithatë, Gjergj Kastrioti i ktheu kurrizin Sulltanit, për motive ende jo shumë të qarta dhe krijoji aleanca me princa shqiptarë dhe serbë, me Venedikun dhe Vatikanin, apo edhe me mbretin Alfons të Napolit, që ishte një tjetër pushtues i trojeve në Itali, sepse ishte spanjoll.
Skënderbeu ishte një ushtarak i lavdishëm dhe në kohën e formimit të kombeve(shek XIX) shërbeu si një kartë e fortë  e shqiptarëve, në kanceleritë europiane për të fituar të drejtën e formimit të shtetit-komb-shqiptar. Gjithashtu u përdor në mënyrë të shkëlqyer nga Rilindasit për të krijuar një ndërgjegje kombëtare tek shqiptarët, e cila ishte thellësisht e dobët deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Tani është më mirë të fliten ato të vërteta të cilat janë të sigurta për Mesjetën në Ballkan, rolin e Skënderbeut dhe rolin e turqve.

Historia e zhveshur nga ekzagjerimet, denigrimet dhe nacionalizmat është jo vetëm më e sakta, por edhe më e dobishmja për t’ja u mësuar fëmijëve.

No comments:

Post a Comment