Adriano mbushi para dy javësh 80 vjet. Edhe pse sot, e quaj
ndër këngëtarët e mij më të preferuar, të të gjitha kohrave, nuk ka qënë që
shumë herët i tillë. Edhe pse dija suksesin e tij dhe famën në gjithë Europën
me “24 milla bacci”, “Ragazzo della via Gluck” apo edhe “Chi non lavora- Non fa
l’amore”, preferoja Morandin dhe Ranierin. Afrimin e vërtetë ndaj tij ja
dedikoj Rikut dhe më vonë Binit.
Riku kishte një manjetofon italian, me disa shirita me këngë
të viteve ’60 të Adrianos dhe jo vetëm, që i dëgjonim shpesh gjatë viteve të
adoleshencës, por edhe na i përkthente tekstet, që të bënin më të afërt me botën
e këngëve të tij. Atë kohë dija vetëm njëzet fjalë italisht, nga ato që i dinin
të gjithë ata, që dëgjonin “Hit Parade”. Në Korçë nuk kishte kanale televizive
italiane ndaj, ç’kishte mbetur në mendje nga Sanremot e Majk Bonxhornos, përzjehej
me “Hit Parade” dhe “Canzone per l’estate”, të cilat ishin të vetmet emisione
radiofonike, të cilat edhe i dëgjoja ndonjëherë (Nuk kam qënë kurrë i apasionuar
pas radios, as në zbore, plazhe apo udhëtime).
Riku dinte shumë mirë italisht dhe nuk jam i sigurt, nëse
kishte mësuar me ndonjë metodë apo duke lexuar e dëgjuar nga pak. Në këngët , që
kishte në shiritat e tij, “shkëlqente” “Storia d’amore”, por unë kisha të
preferuarën time “E voi ballate”. Ende e
kujtoj fillimin: “…riempite il mio bichiere…”
Në Tiranë, kur shkova në universitet, ishin thuajse të gjithë “fansa” të Celentanos,
me përjashtim të atyre që ishin të apasionuar pas “hard rock”. Bini e njihte italishten
po aq mirë sa dinte frëngjisht dhe herë
herë më tregonte për këngë të veçanta të Adrianos, kohën që ishin krijuar dhe
historinë, që kishin pas.
Ende e kam në mendje spjegimin e tij të hollësishëm të “Preghero”,
të cilit i jepte edhe llogjikën e kuptueshme të një artisti, që ndodhet në një
sukses të paparë dhe duket se po shkëputet nga besimi tek Zoti.
Ne ishim materialistë të bindut në rininë tonë, se na dukej
se çdo gjë spjegohej aq logjikshëm nga filozofia marksiste, por Bini edhe pse
nuk ishte fetar, kishte më shumë një lloj agnosticizmi në raportet e tij me natyrën,
Zotin, jetën edhe vdekjen. Megjithatë duhet të them, se bisedat e thella
filozofike nuk kanë qënë kurrë pjesë e bisedave tona. C’ka reflektohej, ishte në
bisedat e zakonshme rreth historisë, letërsisë dhe artit dhe personaliteteve
botërore.
Në rini, pra, Adrianoja u bë për mua, këngëtari italian më i
preferuar dhe që kur filluan kanalet italiane edhe në Korçë, nuk humba kurrë
asnjë “show” të tij. “Il Re” është i tillë jo vetëm për forcën artistike, por
mbi të gjitha për botën e tij të madhe dhe shpirtin e madh.
Duket, që të vonuar më se tre dhjetvjeçarë nga shoqëria perëndimore,
ne jemi ende në brezin e Sinatrës, Presllit dhe Celentanos.
Edhe dhjetra vite të tjera për ty Adriano!
No comments:
Post a Comment