“Marieta…Marieta…Marieta!” më duket se e dëgjoj edhe sot, ndërsa
i gjithë stadiumi thërriste në një kampionat kombëtar të atletikës. Ishte
Marieta jonë, që konkuronte për “Studentin” (ndoshta atë kohë quhej ende klubi
IKF “Vojo Kushi”).
Rekordmenia e padiskutueshme e kërcimit së larti ishte
sportistja më e madhe shqiptare e viteve ’60.
Kërkova në Wikipedia me Marjeta Zaçe dhe Marieta Pronjari
dhe nuk gjeta asgjë. Si është e mundur për një atlete të atij kalibri?
E bukur, e fortë, njerëzore Marieta ishte diçka shumë e
rrallë e sportit tonë gjatë shekullit, që kaloi. Kishte një buzëqeshje të përhershme
në fytyrë. Nuk di nëse i ndahej pas orëve të gjata e të lodhshme të stërvitjes.
Dëgjonte me vëmendje këshillat e trainerit Taqo Duka, që kishte qënë një
balerin shumë i mirë në Korçë, por pas studimeve në Bashkimin Sovjetik i ishte
kushtuar sportit.
Marieta u bë “Mjeshtre e merituar sporti” pa mbushur 19 vjeç.
Kishte dominuar disiplinën e kërcimit së larti dhe ishte ndër më të mirat në
Europë, kur ishte në kulmin e karrierës. Ndoshta po të mos ishte rekordi i
jashtëzakonshëm i rumunes Jolanda Balash, për Marietan mund të krijohej edhe ambicia
për rekord europian apo botëror. Rezultatet e saj ishin pranë më të mirave të
kohës.
Jolanda Balash, e cilësuar si kërcyesja së larti më e mirë e
shekullit të XX-të, kërcente ende me një lloj stili gërshërë, që ndihmohej për
rezultate fenomenale nga këmbët e saj veçanërisht të gjata. Rekordit të saj
prej 1.91 cm të vendosur më 1964 nuk mund t’i afrohej askush.
Marieta kërcente në stilin barkush, që ishte më i përhapuri i
viteve ’50 dhe ’60. Ende nuk kishte dalë në skenë Fosberi me kërcimin e tij të
pazakonshëm, që është edhe stili i sotëm i kërcimit së larti. Kishte arritur të
thyente rekordin kombëtar, që kur ishte 15 vjeçare dhe kështu vazhdoi të
thyente rekordet e saj për vite të tëra, deri sa u tërhoq nga atletika.
Vitet ’60, nuk ishin vite shumë të mira për atletikën e
vajzave të Korçës. Pas largimit të Marika Cules(Pojani), e vetmja atlete, që
konkuronte per medalje në veprimtaritë kombëtare ishte spirnterja e re Dhimitra
Shkodrani. Marieta mbetej atletja më e mirë, që kishte nxjerrë Korça, deri sa erdhi
periudha e vajzave të Piro Kasatit, me Pavlina Evron në krye.
Ishte një fenomen, nga ata që dalin një herë në disa
dhjetvjeçarë, sepse në Korçë (dhe në Shqipëri) mungonin pararendëset e saj.
Atletika cilësore ishte vetëm në hapat e para.
Se sa e talentuar ishte si sportiste, u duk edhe kur luante
volejboll me “Studentin”, pasi u largua nga atletika.
Marieta mbeti e mençur ,
e thjeshtë dhe plot dinjitet. Ishte nga emrat, që të ngjallnin besim edhe kur u
përfshi në politikën shqiptare.
Pa bërë ndonjë kërkim, jam thuajse i sigurt, që pushtetarët
korçarë të të dy krahëve
nuk e kanë bërë “Qytetare Nderi të Korçës”.
E kanë harruar Marietan?
Korça jo. E ka të sajën mes më të veçantave Marieta
Pronjarin.
No comments:
Post a Comment