Papa Nuçi nuk besonte në forcën e tij çudibërëse, kur para
se të nisej për në kishë, i thoshte mishit që do gatuhej atë ditë “Ti mish të bëhesh
me presh!”. Por ai ende besonte në bindjen e gruas ndaj “komandës” së burrit.
Dhe vërtet, priftëresha e bënte gjellën me presh edhe pse nuk fliste me burrin
e saj.
Historia e “mishit me presh” edhe pse për të qeshur, tregon
se në Korçë kishte nisur krisja e shoqërisë maskiliste shqiptare. Priftëresha
guxonte të rebelohej, të grindej me burrin, të mundohej t’i dëgjohej fjala e
saj. Pikërisht sepse në ndryshim nga
zonat e tjera të Shqipërisë, korçarët kishin bërë më shumë kurbet, kishin marëdhënie
më të hapura me popujt fqinjë dhe po futnin mënyrën e jetesës europiane, ku e
ku më parë se ata , që banonin në vendbanimet e tjera shqiptare.
Sot, shoqëria shqiptare nuk është më ajo e gjysmës së parë të
shekullit të XX-të, e megjithatë maskilizmi mbetet një problem i madh, që jo
vetëm dëshmon prapambetjen e saj, por njëkohësisht është edhe faktori kryesor,
që pengon zhvillimin.
Bota shqiptare
sundohet nga burrat dhe ata nuk kanë asnjë predispozicon të “lëshojnë pe”.
Mjaft të shohësh se si janë raportet e “lojtarëve” kryesorë
të politikës shqiptare me gratë e tyre apo me vartëset dhe duket se të gjithë “i
tremben” një përparimi të grave në rolin vendimmarrës në çështjet e shoqërisë
shqiptare. Edhe pas 27 vjetëve të shembjes së Diktaturës, roli i grave në
politikë, institucione shtetërore , arsimore apo shkencore, mbetet në nivelin “dekorativ”
të kohës së Lenkave, Gjela Bibave apo Lumturi Rexhave.
Tipik “maskilist” është kryeministri Rama, edhe pse shtiret
sikur po inkurajon emërimet e grave në postet më të larta. Rama i përbuz gratë
(zaten KM përbuz edhe të gjithë ata, që ka rrotull) dhe përfshirja e tyre në
qeveri bëhet sipas nje skeme të caktuar : Gra me personalitet dhe arritje të
pamjaftueshme për të thënë JO. Në qeverinë Rama-2, ashtu si në të parën, janë
gra që nuk i njihte kush para se të përfshiheshin në qeveri, ose ishin
militante të sprovuara. Në komunikimet me sms apo e-maile(të dëshmuara edhe nga
Helena Kadare) me gra që i njeh mirë, apo edhe pak, kryeministri Rama përdor
fjalë si “zemra”, “shpirti” apo “o yll”, që nuk dëshmojnë respekt, por përkundrazi,
që gratë mund të manipulohen kollaj. Zaten gratë e zonja dhe me personalitet
refuzojnë të pranojnë një gjuhë të tillë, të pështirë.
Berisha me patriarkalizmin e tij, kishte raporte të ngjashme
me gratë, “që i dilnin nga rrjeshti”. Rasti i Prokurores së Përgjithshme Ina
Rama, që nga e quajtur “Silvia Konti”, përfundoi në “lavire bulevardi” ishte një
nga rastet më tipike, por nga të paktët e shfaqur në publik. Me kalimin e
viteve në pushtet, nga PD-ja u larguan gradualisht gratë e zonja si Rushen
Golemi, nënkryetarja e Kuvendit Qirko, Marieta Pronjari etj., për tu zëvendësuar
me Grida Dumat dhe Mesila Dodat.
Por shembuj të tillë mund të jepen pafund edhe për politikanë
më të rinj në moshë si Ben Blushi, që u soll në mënyrën më të pahijshme të
mundshme me bashkëkrijuesen e lëvizjes LIBRA, Mimoza Hafizin.
Karriera e grave në Shqipëri mbetet po aq e mbyllur sot, po
aq sa ka qënë në vitet ’80 dhe ’90, pa bërë as përmirësimin më të vogël. Këtë
gjë e shton edhe emërimi në poste të burrave të pazotë e të pashkolluar, të cilët
mund të mbledhin rreth vetes vetëm “të pazonja” ose “të nënshtruara”.
Sigurisht, është më e lehtë të bësh me faj shkaktarët
kryesorë, por edhe vetë gratë dhe vajzat nuk mund të përjashtohen nga përgjegjësia,
sepse janë pak të organizuara, për të bërë atë që duhet si gjysma e shoqërisë që
janë. Lëvizja feministe në Shqipëri duket se është mjaftuar me fitimin e të
drejtës “për të ndenjur kafeneve” po aq edhe sa burrat dhe jo për të marrë pjesë
denjësisht në vendimmarrje. Eshtë absurde të mendohet se burrat do e lëshojnë
vetë pushtetin e plotë, që kanë në shoqërinë shqiptare.
Mbase priftëresha nuk kishte bërë më shumë se të kundërshtonte
Papa Nuçin për problemet e familjes deri sa kishin mbetur për kohë të gjatë“të
mëritur”, por kohë më parë, edhe pse jo e shkolluar, edhe pse shtëpijake e
kishte detyruar burrin të lëshonte diçka nga pushteti i tij dhe të detyrohej t’i
drejtohej mishit: “Ti mish të bëhesh me presh!”
80 vjet më vonë, Edi Ramës i mjafton t’i shkruajë (të themi
Manastirliut) “Zemra mos çaj kokën për shkeljen e ligjit, por këtë tender do ja
japësh filonit!”
No comments:
Post a Comment