Kur përmendim Kolevica në rrethet e arkitektëve të gjithë e
dimë, që bëhet fjalë për Petraqin. Në rrethet e artistëve, tani, ndoshta ju
shkon mendja menjëherë në Dhimitraqi dhe Vasi. I pari, kushëriri i parë i
Petraqit, piktor, me të cilin kishin bërë vizatime dhe skica me karbon në fëmijëri
(Petraqi më tregonte se si i bënin vetë karbonat duke djegur ngadalë degë
qershije), ndërsa i dyti, është artisti i njohur i qeramikës, djali i
Dhimitraqit.
Duket, që Kolevicat kanë pasur një prirje familjare për
artet vizuale dhe arkitekturën. Shija, kultura dhe vullneti e kanë bërë, që
Petraqi të ishte ndër 3-4 arkitektët më të mirë shqiptarë të shekullit të XX-të.
Ishin një brez korçarësh, të cilët mund t’i quaj “brezi jo
plotësisht i pafat”. Vërtet nuk patën mundësi të shkolloheshin në Liceun
Francez, por u arsimuan në gjimnazin e Korçës, në kohën kur jepnin mësim
pedagogë nga të Liceut, si dhe programet shkollore nuk ishin plotësisht “të
revolucionarizuara”. Ishin brezi i të lindurve në vitet ’30, të cilët përfituan
nga “fryma” e shkollës “borgjeze”, që mbartej nga prindërit apo vëllezërit e
tyre më të mëdhenj. Studentëtë më të mirë të gjimnazit, vazhduan mësimet në
Institutet e Tiranës(disa prej tyre edhe jashtë shtetit) dhe u bënë profesionistë
nga më të mirët. Të tillë ishin krahas Petraqit, Aleko Minga, Ilia Papanikolla,
Niko Thomoja, Fejzi Kolaneci, Robert Plumbi, Stavri Buri e të tjerë, që
drejtuan katedrat në Universitetin e Tiranës. Thuajse të gjithë zotëronin edhe
disa gjuhë të huaja dhe kishin edhe një kulturë të gjerë të përgjithshme.
Kolevica ishte mes tyre ndoshta më i shquari. Në më pak se
3-4 vjet pas përfundimit të studimeve, u dallua mes arkitektëve shqiptarë edhe
pse shumë syresh kishin përfunduar studimet në Universitete të huaja. Kur ishte
ende shumë i ri, botoi përkthimin e “Demoni” të Lermontovit, që e solli pranë
rretheve letrare të kohës. Bota e librave ishte për të po aq e afërt sa bota e
projekteve dhe ndërtimeve. Ndoshta kjo ka qënë edhe arsyeja nxitëse e
projektimit të suksesshëm të Bibliotekës së Korçës.
Kur është marë me Bibliotekën Petraqi ka qënë rreth 36 vjeçar.
Për fat të mirë, fillimi i viteve ’70 ishte periudha e “liberalizmit” dhe në të
gjitha artet në Shqipëri pati hov dhe më pak censurë. Ndaj dhe Kolevica aplikoi
në të të gjitha parimet e Modernizmit në Arkitekturë, që edhe pse kishte mbi 30
vjet si rrymë, ende ishte rryma dominuese në arkitekturën botërore. Pa frikë
mund të përsëris diçka, që kam shkruar edhe më parë, që projekti i Kolevicës
mund të qëndronte dinjitoz në çdo qytet europian të madhësisë së Korçës të asaj
kohe.
Për herë të parë aplikohej në një objekt kulturor ndriçimi
natyral nga lart, planimetria e lirë dhe një fasadë kati e gjitha në
basoreliev.
Ishte nga projektet më të proporciunara të Petraqit, i cili
dallohej për vëllime dhe fasada interesante. Mjaft të shohësh një foto të sotme
të tarracës, e vetmja “faqe” e mbetur sipas projektit original dhe bindesh për
aftësitë projektuese dhe seriozitetin e arkitekt Kolevicës.
Hapësira e bibliotekës ishte hapësira publike më moderne dhe
me “frymëmarrje” të viteve ’70 dhe ’80 në Korçë. Asnjë holl tjetër i qytetit,
duke nisur me atë të Pallatit të Kulturës, Teatrit, Hotel Turizmit, nuk kishte
lirshmërinë dhe transparencën e “hollit të librave”.
Ishte një interier europian, me një gjuhë arkitekturore të
pastër, lakonike, ku merrnin pjesë edhe soletat “kesone” të aplikuara për herë
të parë në Korçë.
Petraqi bëri më të mirën e tij, për të na dhënë një “botë librash” dinjitoze.
Ishte edhe bota e tij.
Petraqi bëri më të mirën e tij, për të na dhënë një “botë librash” dinjitoze.
No comments:
Post a Comment