Friday, 5 January 2018

Edhe sa vite duhen për të patur një Drejtësi perëndimore?

Vetë titulli është një pyetje tejet e vështirë dhe përgjigja nuk do gjendet as në paragrafët e mëposhtëm.
Këtë shënim e nisa si përballje me një shkrim timin të 4 viteve më parë të titulluar “Përse nuk mund të ketë edhe për një dhjetvjeçar, përmirësime në Drejtësi”
Në pamje të parë duket, që edhe këtë herë jam thellësisht i gabuar në parashikimet e mija, sepse ende pa u mbushur 4 vjet dhe janë dhënë shenjat e para të përmirësimeve. Flitet , që ky vit do jetë vit i Reformës në Drejtësi dhe nëse do bëhet reformë atëhere kemi automatikisht përmirësim.
Unë besoj se vërtet Reforma në Drejtësi do sjellë përmirësim edhe pse jam i bindur, që do jetë një hap i vogël në rrugën e gjatë të ngritjes së një sistemi të Drejtësisë Perëndimore.
Në shkrimin, që përmenda më lart, vija dy arsye, të cilat sipas meje do pengonin përmirësimin në një afat jo të gjatë.
E para- Niveli tepër i ulët intelektual dhe profesional i juristëve me stash të gjatë.
E dyta- Niveli jo i mirë i universiteteve dhe programeve të juridikut në Shqipëri dhe në trevat shqiptare jashtë saj.
Pa mëdyshje mund të thuhet se këto dy aspekte mbeten plotësisht të pandryshuara edhe sot. Disa përballje të juristëve me publikun(rasti i kandidatëve për komisionet e Vetingut të pyetur nga Përparim Kabo, ai i prokurorëve , që kërkonin heqjen e imunitetit të Tahirit dhe sesioni i pyetjeve të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm) dëshmuan se formimi i një pjese të mirë të juristëve edhe në nivelet më të larta, është në gjendje të mjerueshme.
Gjithashtu nuk ka ndonjë përmirësim në nivelin e shkollimit, gjë që u pa edhe në vlerësimin, që ju bë universiteteve publike dhe private nga një komision europian.
Por çfarë pritet nga e shumë trumbetuara Reformë në Drejtësi?
Reforma as mund të sjellë rritjen e nivelit profesional të juristëve dhe as të përmirësojë universitetet, që përgatitin juristë.
Ajo synon të forcojë pavarësinë e Sistemit të Drejtësisë dhe të kufizojë korrupsionin.
Këto janë vërtet dy nga “plagët” më të mëdha të Drejtësisë shqiptare, por jo të vetmet.
Edhe këto nuk mund shërohen me Reformën në Drejtësi.
Ka një bindje të përgjithshme të atyre më entuziastëve, se pasi të vihet në jetë Reforma, prokurorët dhe gjyqtarët do jenë të pavarur dhe shumë shpejt politikanë të rëndësishëm, të përfolur për afera të mëdha do arrestohen dhe do përballen me Ligjin. Kjo është “ëndrra për peshqit e mëdhenj” e përkundur edhe nga ambasadori amerikan Lu.
Edhe se ka pak të ngjara të ndodhë shpejt, përsëri duhet thënë, se arrestimi i disa politikanëve tepër të implikuar në veprimtari kriminale nuk është dëshmi e pavarësisë të pushtetit juridik nga politika.
Profesionistët e pazotë nuk mund të jenë as prokurorë dhe as gjykatës të pavarur.

Eshtë në natyrën e të pazotit të ketë nevojë për mbështetje dhe mbështetje më të mirë se politika nuk ka.
(vijon)

No comments:

Post a Comment