Monday, 8 January 2018

“Po do të ze o qen!”

Kjo shprehje më bën gjithnjë të buzëqesh. Eshtë shprehja kuptimplotë, që një adashi im, i drejtonte një fqinji, i cili kryente një “veprimtari subversive” në mëhallë, për të cilën akuzohej pa të drejtë adashi im. Ngjarja ka një “happy end” ku ndërthurren instalime elektrike të sofistikuara dhe një prozhektor i madh i teatrit “A.Z. Cajupi”
Sa herë shikoj emrin e Pit Uillson pranë ndonjë projekti të rëndësishëm në Korçë, më kujtohet kjo shprehje dhe me mendje them “Po do të të zenë o qen!”
Nuk di nëse vërtet do e zenë një ditë dhe mbase nuk është shumë etike të quash “qen” një koleg, por arkitekti australian Uillsën e ka shkelur me të dy këmbët etikën profesionale të shoqatave të arkitektëve kudo në botë.
Mënyra se si ai sillet me investitorët shtetërorë dashamirës dhe ata privatë të detyruar, i ngjet anekdotave të ushtarëve në kohën e Diktaturës, që për t’i shpëtuar stërvitjes, kur pyeteshin nga oficerët se : “kush di të gatuajë?“, “kush di të vizatojë?”, “kush di të rregullojë makinën?”, përgjigjeshin gjithnjë: “Unë!”
Vetëm në Korçë, arkitekti Uillsën është paraqitur si urbanist, si arkitekt gjelbërimi, si arkitekt restaurator, si projektues teatrosh, parqesh japoneze, muzesh, bibliotekash, pallatesh sporti, hotelesh, terminalesh, banesash kolektive, zyrash, kullash vrojtimi, pusesh arteziane dhe tani së fundi edhe projektues stadiumi.
Unë nuk mund të them se Uillsën është një “sharlatan”, që ka erdhur në një vend të pazhvilluar dhe shtiret se di të projektojë gjithshka, duke përfituar nga injoranca e popullatës. Ai është një “semi-sharlatan”, sepse artin e tij të mashtrimit e ka në unison me zyrtarët e lartë të vendit, duke filluar nga Kryeministri Rama. Nuk është e pamundur të gjesh edhe në Perëndim të tillë profesionistë, që punojnë sipas parimit “Njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja futen në xhepin e miletit!” E megjithatë jo të gjithë e bëjnë, sepse vendet e zhvilluara jo vetëm kanë krijuar mekanizmat mbrojtëse ndaj rasteve të tilla, por edhe se shumë arkitektë, nuk marrin përsipër të projektojnë diçka, të cilën nuk e njohin mirë.
“Po do të të zenë o qen!”, më vjen në mendje sa herë shikoj projektet e tij të papërgjegjshme, ose dëgjoj, që aplikon tarifa dhjetra herë më të mëdha se të arkitektëve vendas. Eshtë edhe kjo një shkelje tjetër e etikës profesionale dhe e rregullave të Shoqatave të Arkitektëve kudo në botë.
Shpesh, e kam trajtuar Korçën(dhe jo vetëm unë) si jë “ishull të arkitekturës shqiptare”. Kjo sepse ishte i vetmi qytet me një konceptim urbanistik bashkëkohor, qysh në fundin e shekullit të XIX.
Deri në vitin 1944 nuk ngjasonte me asnjë qytet tjetër të Shqipërisë. Më pas erdhi periudha e izolimit, ku çdo gjë shkoi tatëpjetë, dhe përjashtim bënin vetëm disa godina të veçanta të projektuara nga Petraq Kolevica dhe ndonjë nga Koço Koçiu.
Por për të gjithë projektuesit, ky “ishull i arkitekturës shqiptare” mbeti më pak i cënuar dhe më i fismë se të tjerët edhe pse me një zhvillim të ndalur artificialisht. Dhe i tillë vazhdoi deri në fund të shekullit të XX-të, pa ndërhyrje të mëdha, me trajtime të kujdeshme arkitekturore dhe me gafa urbanistike më pak të rënda se në qytetet e tjerë.
Në kohën kur “bujarisht” u dhanë investime publike për qytetin, që mund të sillnin vërtet frymën e shekullit të XXI-të, ato erdhën me kushtin “Këto para do i merrni por projektet, do i bëjë Pit Uillsën”.
Në mënyrë të nxituar, të papërgjegjshme, nënvleftësuese, të koorruptuar, arkitekti australian ndërhyri brutalisht në “ëmbëlsinë arkitekturore” të Korçës.
Aq di?, S’ka kohë?, Nuk i bëhet vonë?, të gjitha këto pyetje mund të qëndrojnë veçmas, por përgjigja e tyre nuk ka ndonjë dobi.
Fakt është, që ai do ketë eskluzivitetin e ndërhyrjeve urbanistike dhe arkitekturore në Korçë deri sa kryeministër të jetë Edi Rama.
Po do të të zenë o qen!” mbetet vetëm një thirrje dëshirore.
Ndonjë ditë edhe arkitektët shqiptarë do jenë organizuar dhe do kenë fuqinë të dëgjohen mbi zërat arrogantë të pushtetarëve.

Pit Uillsën në atë kohë do ketë gjetur ndonjë vend për të projektuar në Sulltanatin e Gjorixhesë apo ndonjë vendi tjetër të ngjashëm.

No comments:

Post a Comment