
Edhe sirenat, që lajmëronin se “po afroheshin avionët
sovjetikë“ ranë vetëm disa herë dhe të gjithë shkonin me përtesë në
vend/strehimin e caktuar. Dukej , që askush nuk e merrte “me tërë mend”
rrezikun e një sulmi të Traktatit të Varshavës ndaj Shqipërisë.
Për më tepër ne kishim Kinën e Mao Ce Dunit. U fol se
kryetari Mao kishte thënë diçka “që Kina nuk është 700 milion, por 702 bashkë
me shqiptarët” dhe kjo na bënte më të sigurt, edhe pse mendonim se si do vinin
kinezët nga aq larg, të na mbronin ne.
Kinezë kishte disa dyzina në qytet. Ishin miqësorë dhe nuk i
dalloje dot lehtë nga njeri tjetri jo vetëm se ishin kinezë, por edhe se
visheshin njëlloj, me dostume doku as civile dhe as ushtarake. Dilnin gjithnjë
në grup dhe fëmijët ju afroheshin për t’ju kërkuar distinktivë me fytyrën e Mao
Ce Dunit. “Kinez nëna një stendë“ e përsëritur
shpesh nga një evgjit i vogël shëtitës, mbeti për një kohë parrulla e viteve të
Revolucionit Kulturor, pas të cilit nuk kishte më as stema me Mao dhe as librushka
të kuqe me citatet të tij.
Nga fundi i vitit, nën shembullin e kultit të Maos, u shpërndanë
edhe fotografitë e shumënjohura të Enver Hoxhës, ulur në një kolltuk para
tufave me landro. Ishte 60-vjetori i tij dhe fotot në formate nga më të
ndryshmet, shpërndaheshin në qendrat e punës, sipas rëndësisë dhe kontributit,
për tu vënë më pas nga sejcili në kornizë dhe në vendin më të dukshëm të shtëpisë.
Deri atë vit numëroheshin me gishta ata, që kishin foto të Hoxhës në shtëpi. Të
shumtë kishin qënë ata, që kishin “kora” pranë të cilave ndisnin kandilin me
vaj. Kishte kaluar më shumë s enjë vit, që “korat” ishin ndaluar dhe duhej
dikush tjetër, të cilit t’i “luteshe”.
Babajt i kishin dhënë një të formatit 13x18 dhe para se të
vinte Viti i Ri, kur bëheshin edhe vizitat, e vuri në një xham dhe i sajoi një
kornizë letre, si bënte zakonisht me fotot, që varnim në mur. Enver HoxhaiI
qeshur, mbeti në murin e kuzhinës sonë deri në fund të viteve ’80.
60 vjetori i Komandantit përkoi edhe me pranimin tim në
organizatën e Pionierit. Duket ishte bërë traditë, që pionierët të “pagëzoheshin”
në shtëpinë ku kishte ndenjur Enveri në Korçë dhe shamitë e kuqe, t’ja u lidhte
teta Polikseni. A ndoshta vetëm një pjesë e ”kishin këtë fat”, se në foton e bërë,
binte në sy edhe djali i mësueses sonë, moshatar me ne, por që nuk ishte në shkollën tonë. Ndoshta,
dashuria për të qënë pranë ngjarjeve të rëndësishme dhe personave të rëndësishëm,
ju ngulit që asokohe Arben Cicit, sot shef i kabinetit të Ilir Metës dhe bashkëpuntor
i afërt i tij.
“Pionierllëku” të entuziasmonte vetëm për një ditë, se
ndjeheshe më i rritur dhe nuk të quanin më “fatos i lumtur i Republikës
Popullore të Shqipërisë“, që pak a shumë ishte një variant më modern i “kolopoçkave”.
Më vonë, mbajtja e shamisë ishte një bezdi më vete, sidomos për ne djemtë.
Të mosqënit pionier, nuk ishte pengesë për të shkuar në
kurset e Shtëpisë së Pionierit, që atë vit u transferua atje ku është edhe sot,
Qendra Kulturore e fëmijëve. Që në klasën e parë, babai më kishte futur në
kursin e pianos, që dy herë në javë më hiqte dy orë nga loja me top. Në vitin
1968 shkoja më me bezdi, se edhe instruktorin na e kishin ndruar pas një
incidenti “banal”, që atë kohë dukej si një “supermëkat”. Pianisti Sami Bujari,
që drejtonte edhe orkestrën e Estradës së Korçës, gjatë provave, kur spikerja
lajmëronte “Këngë për Adem Rekën”, kishte thënë nën zë “këngë për Adem Sulën”,
që ishte një tjetër orkestrant dhe më vonë edhe mësues i muzikës i joni. Shakaja
i kushtoi Samiut një vit punë korrektonjëse në minierë dhe para se të kthehej
Samiu në Shtëpinë e Pionierit, unë i kisha larë duart me pianon dhe me metodën Bayer.
Vazhdova të shkoja më vonë në kurse të tjera, të cilat nuk i përfundoja kurrë.
Më tërhiqte ai vend i çuditshëm, ku mirëpriteshe në dera nga drejtori legjendar
Nafiz Suli, më pionieri mes të gjithëve, shpesh me një thupër në dorë dhe
xhaketë të hedhur krahëve, dhe nga pastruesja fytyrërrumbullake dhe e qeshur
Pandora, që ishte simboli tjetër i asaj bote fëmijësh.
(vijon)
No comments:
Post a Comment