Tuesday, 9 January 2018

E bardha largon demonet

Bora bukur mbi pemët ka ngrirë
Një zog e hijeshon,
Megjithëse i vetmuar;
Të bardha janë fushat,
Të çlodhura në qetësinë e tyre
Presin për tu bleruar.
Zbres në tonën rrugë
Dhe pres të më dalë një sutë
Një e bukur drenushe
Që të plotësojë përsosmërinë
E të përhershmes jetë.
Kristale pastërtie,
Përkundje qëllimesh të kulluara
Nën një të kaltër të brymëzuar
Ku me krahë ndjehesh
Edhe pse vetë,
Rrini larg demonë
Të së përditsmes së bardhë,
Që nën rrotat e makinave
Kthehet në të fëlliqur vijë!
Ngopuni gostive tuaja makabre
Mbi fate njerëzish shtruar!
Gajasuni me gojët lakmitare,
Në larushaninë e ngjyrave epshore!
E bardha tek ju nuk mund të rrijë.
Më mjafton për  t’ju harruar
Ky ndriçim, që t’lëbyr sytë
Bryma që ngurtësohet rreth mjekrës,
Zogu vetmitar,
Ndërsa shpresoj,
Rrugën të më presë një sutë.

No comments:

Post a Comment