Monday, 1 January 2018

Dielli (Charles Baudelaire)

Përgjatë sokakëve me kasollet përbri ,
Grillat e gozhduara që fshehin lemeri,
Kur dielli mizor godet pa mëshirë,
Qytetin, çatitë, grurin e pashirë,
Unë shkoj të ushtroj të shpatës mjeshtërinë,
Nuhas në çdo qoshe, që të gjej një rimë
Pengohem nëpër fjalë, njëlloj si në kalldrëme,
Vargjet më përzjehen me ato të një ëndrre.

Ky At përtëritës, armik i zbehtësisë,
Vargjet i selit, i rrit si qiparisë,
Drejt qiejsh i nis, të avulluara drojet,
Mendjet plot i mbush, edhe me mjaltë hojet.
Eshtë Ai, që i ngre të gjymtët më këmbë,
Si vajza të rendin e të këndojnë këngë,
Të lashtat i bën të lëshojnë lastarë
Shpirtit të pavdekshëm, në të blertën arë!

Dhe kur si poet, mbi vendbanimet ulet,
I përkëdhel të mjerët, ashtu siç bën me lulet,
Pa bujë e pa lakej, si mbret i përkorë,
Pallatesh hyn, por dhe tek të sëmurët e gjorë!

No comments:

Post a Comment