Ato i gjeje në shumë shtëpi në kohën e fëmijërisë sonë.
Ishin po aq të përhapura sa edhe ato me shavar. Dukeshin më luksoze se këto të
fundit. I kujtoj, që në ditët kur e kisha të vështirë të hipja në to. Isha i
vogël dhe i shkurtër. Babaj rrinte gjithnjë në një prej tyre. Ishin tre, në
murin përballë derës së kuzhinës. Kuzhina ishte dhoma e ndenies dhe e pritjes për
ne. Në dy dhomat e tjera flinim. Në vitet ’60, vetëm kuzhina kishte zjarr në
dimër.
Atje i prisnim edhe njerëzit, që uleshin në karriget me
shoshkë. Karriget ishin disi larg nga stofa e prodhuar në NISH Metalike, që
duhej lyer shpesh me varak, për tu dukur më mirë. E megjithatë dhoma ngrohej
edhe pse dritarja e madhe e saj ishte në veri. Miqtë uleshin me kurriz nga
dritarja dhe bisedonin me babanë. Unë mundohesha të kapja nga bisedat e tyre, që
në të shumtën e rasteve ishin për albanologjinë dhe historinë. Vinte shpesh
Petraq Pepoja, që fliste shumë dhe me pasion. Ishte nga njerëzit më të veçantë,
që kam njohur në fëmijëri. Besonte shumë në ato, që thoshte dhe dukej shumë i ditur.
Por edhe pyeste babanë. Ndoshta për gjëra, që ai i dinte më mirë nga koha kur
kishte punuar në Bibliotekë. Pepoja kishte kokë të rruar dhe trup të lidhur mirë.
Mbante një pardesy të çelur dhe ishte i angazhuar në bisedë gjithë kohën. Nuk
linte asnjë çast të shkonte kot.
Milto Sotir Gurra ishte krejt ndryshe. I shkurtër, i qetë
dhe fliste me zë të ulët. Kishte një buzëqeshje të bukur dhe të ngjallte besim.
Ishin të mëdhenj në moshë dhe dukej se shkonin mirë me
stilin e karrigeve tona. Një ditë dimri, ndoshta duke dashur të sajoja ndonjë
lojë, kisha kthyer njërën prej tyre me këmbë përpjetë dhe kisha lexuar “Yougoslavie”.
Ato kohë, Titoja dhe Jugosllavija nuk gëzonin emër të mirë në Shqipëri. U
mundova ta mbaja të fshehtë, por vrisja mendjen se si kishin ardhur nga
Jugosllavija dhe se ç’lidhje kishim ne me atë vend.
Rrallë ishin në të njëjtën kohë, grupe të mëdha letrarësh
apo artistësh. Kristo Konoja dhe Nella
Sinaeri vinin me gratë e tyre dhe bisedat ishin më të përgjithshme. Për letërsinë
fliste më shumë Misto Markoja, që jetonte në Pogradec, por vinte herë herë në
Korçë. Mistoja shkruante me pseudonimin Mirosh Markaj dhe ishte mjek. Gjithnjë
serioz në bisedë. Vonë e kam mësuar, që ishte nipi i Kutelit.
Nuk flitej kurrë për politikë. As përmendeshin edhe çka
ndodhte në botë edhe pse shpesh ju referoheshin shkrimtarëve dhe artistëve të
huaj. Më tepër klasikëve. Dukej e panatyrshme një diskutim rreth politikës. Nuk
besoj se i shmangeshin bisedave të tilla, por i kujtoj që ato tema nuk
prekeshin. Babaj ishte i mirëinformuar, se në të njëjtën karrige, ku rrinte
edhe kur vinin miq, çdo natë dëgjonte më 7.30 “Radi Sera”. Shpesh më tregonte
edhe mua se çndodhte në botë, jashtë atyre, që jepte Radio-Tirana në lajmet. Ndiqte
fatin e pacientëve të Kristian Bernar, mjekut që bëri transplantin e parë në
zemër; komentet rreth dasmës së Zhakëlinë Kenedit me Onassis; lajmet rreth
premierave të Kallasit dhe m’i spjegonte me durim Po
ashtu edhe plot lajme të tjera rreth artit dhe sportit. Në mendje krijoja
portrete dhe figura njerëzish, që nuk i kisha parë, se ende nuk kishte hyrë
televizioni. Gjithshka babaj e dëgjonte në RAI, duke ndenjur në karrigen e tij
të preferuar me shoshkë. Kur lodhej, vinte edhe një tjetër ku shtrinte këmbët
dhe që ishte për mua pozicioni i tij më i pëlqyeshëm. Hipja në këmbët e tij dhe
prisja të më tregonte.
No comments:
Post a Comment