Unë jam Djathto jo politikisht, por se çdo gjë që e bëj disi
mirë e bëj me të djathtën, kurse çdo gjë që bëj me të majtën e bëj keq. Im atë
më quante “gauche”, jo sepse isha Mëngjo,
por se plotësoja kushtet e të qënit “i pavolitshëm”, që është një nga sinonimet
e mbiemrit në frëngjisht “gauche”.
Tani të gjithë e kemi pranuar(pa e kuptuar mirë), se edhe
shoqëria është disi e ngjashme me trupin e njeriut dhe ka dy krahë politikë, që
janë Krahu i Majtë dhe Krahu i Djathtë. Në vija të trasha, të Djathtët janë
shumë të pasurit, fanatikët fetarë, konservatorët, ushtarakët, fermerët dhe të
gjithë të pakënaqurit nga e Majta.
Të Majtët janë njerëzit e universiteteve, artistët,
sindikalistët, ekologjistët, ata me atletet të bardha dhe të gjithë të pakënaqurit
nga e Djathta.
Kjo ndodh pak a shumë në vendet e përparuara dhe gjysëm të përparuara,
nëse me Përparim kuptojmë ekonominë solide, institucionet e konsoliduara dhe
kontributin në rritjen e dyoksidit të karbonit në atmosferë.
Edhe në shoqërinë shqiptare para-demokratike, edhe pse të
dobët, ekzistojnë dy krahët politikë: E Majta
konservatore dhe e Djathta liberale.
Të Majtët janë ish-komunistët, gjysma e universitarëve, të
pasurit, ish-sigurimsat, ushtarakët, fermerët, ata me atlete të bardha dhe të
gjithë të pakënaqurit nga e Djathta.
Të djathtët janë ish-të përndjekurit, gjysma e universitarëve,
artistët, ata që kanë zënë tokat e të tjerëve rreth Tiranës, ata që marrin
ushqime me listë dhe të gjithë të pakënaqurit nga e Majta.
Sigurisht , që ndarjet nuk janë kaq të kulluara se ka edhe
artistë të Majtë, fermerë të Djathtë, ish- të përndjekur të Majtë dhe ish-sigurimsa
të Djathtë, por këta janë përjashtimet nga rregulli.
Edhe pse të ndryshëm nga krahët tradicionale europiane, të
dy krahët e politikës sonë janë shumë të ashpër me njëri tjetrin dhe nuk lenë
rast pa ja hedhur të gjitha fajet krahut tjetër, sidomos për gjëra, që krahu
tjetër i bën ekzaktësisht njëlloj, si i ka bërë kur ishte në fuqi krahu jotjetër.
Për shembull të Djathtët, që duhet të jenë mbrojtësit më të
zjarrtë të Tregut, akuzojnë të Majtët që përfitojnë nga shitja e librave për nxënësit
e fillores, libra të cilat duhet sipas tyre të jepen falas.
Raste nga këto ka pafund, gjë që dëshmon se të dy krahët janë
të sterilizuar nga ideologjia dhe mund të bëjnë ]do gjë, kurdoherë dhe kudo. Pa
skrupuj ideologjikë. Mjaft të jetë e frytshme. (Frytet dikush i ha.)
Ka vetëm disa vende të trupit të shoqërisë shqiptare, ku e
Majta dhe e Djathta bashkohen. Bashkohen dhe bëhen një.
Cuditërisht ndodh tamam si me duart në trup.
Gjithashtu si bashkohen më lehtësisht duart e njeriut para
dhe prapa, të dy krahët e politikës bashkohen në dy vende …të liga.
Prapa, bëhen bashkë për t’ja futur Shqipërisë, ndërsa para,
ashtu si futbollistët, për të mbrojtur, të ardhmen, aftësitë riprodhuese të
vendit.
Kur janë bashkë është më e vështirë se kurrë t’i dallosh se
cila është cila dhe se cila është më e aftë për të ndyrat punë!
No comments:
Post a Comment