Diktaturës në Shqipëri i duheshin herë herë parrulla, të cilat vërtet nuk i besonte kush,
por ishin të nevojshme për konferencat e seminaret, për të mbushur muret e
sallave dhe fasadat e qyteteve.
Parrulla “C’do populli bën Partia, ç’thotë Partia bën
populli” ka qënë një parrullë e hershme. Ndoshta e kopjuar nga rusët apo kinezët,
por gjithsesi një parrullë domethënëse, gjysëm e vërtetë dhe gjysëm e gënjeshtërt.
Pjesa e gënjeshtërt nuk ishte shumë e rrezikshme pikërisht
se ishte e rreme, por tjetra, e vërteta të thyente në mes.
Populli bënte ç’i thoshte Partia dhe kjo ishte e vërtetë si “një
e një, që bëjnë dy”. Kishte edhe ndonjë individ nga gjiri i popullit, që nuk bënte
si theshte Partia, por ai ose do ishte sabotator, ose oportunist, ose revizionist,
ose agjent dhe për çdonjërën nga këto shkoje në burg. (“Shko ke burgu!” thoshte
një gjykatës i rreptë, kur donte të trembte fëmijët e tij.)
Kishte raste, që futeshe në burg edhe po të bëje si thoshte
Partia, por këto ishin raste shumë të komplikuara dhe ende edhe sot e kësaj
dite nuk i kam kuptuar, se pse njerëz të caktuar i futnin në burg, pikërisht
nga që bënin atë që ju kishte thënë Partia.
Partia i kishte spjeguar popullit edhe se ç’duhej të donte.
(Në anët tona një lloj spjegimi të tillë i thonë “ja kishte bërë lopka”.)
Kështu që populli donte pikërisht atë , që duhej të donte,
se kështu ja kishte spjeguar Partia dhe Partia bënte atë, që donte populli, me
një fjalë atë që donte Partia, por askush nuk mund ta vinte këtë në dyshim dhe
të thoshte se “Partia bën si i do qejfi!”, se “Partia bënte si deshte Populli.”
Kjo parrullë, me gjithë udhëzimet përkatëse, duhet të kishte
humbur në ndonjë zyrë “qorre” të Komitetit të Partisë së Tiranës, deri sa u
gjet vjet nga bashkëpuntorët më të ngushtë të Ramës, i cili duke u bazuar mbi të,
shpiku teorinë e “bashkëqeverisjes me
popullin”. Kishte funksionuar për disa dekada mbi kurrizin e këtij populli dhe
kjo është garanci, që mund të funksionojë edhe të paktën një legjislaturë. Eshtë
pak a shumë: “C’do populli bën Qeveria, ato që bën Qeveria i ha populli!”
Për kryeministrin kjo është forma më e lartë e Demokracisë
(kështu theshte edhe Merhumi për Diktaturën e Proletariatit), e cila vërtet nuk
zëvendëson institucionet, por I bën ato më demokratike. Mjafton të kesh një
telefon, kompjuter, apo iPad dhe bëhesh pjesë e qeverisjes. Kërkon, sugjeron,
kritikon, korrigjon, ato, që ka vendosur në platformën e qeverisjes
kryeministri dhe je bashkëqeverisës.
Askujt në botë nuk i kishte shkuar ndërmend kjo gjë edhe pse
ka vende me tre shekuj demokraci. Por për të mos u treguar nihilistë ndaj ideve
të Ramës, duhet të pranojmë, që interneti në botë është relativisht i ri dhe
telefonat kanë vetëm një shekull e ca që janë në përdorim.
Aq rëndësi i pati kushtuar bashkëqeverisjes Rama, sa për të
realizuar sa më mirë këtë ide, në krye kishte vënë krahun e tij të djathtë
Saimir Tahirin, deri sa ky i fundit, pas komplotit të Balilajve, akuzohet pa të
drejtë për trafikim droge. (Eshtë vërtet absurde! Një njeri, që do sillte
popullin aq pranë pushtetit, do merrej me drogë?! Kjo është njëlloj si të
thuash, që Enver Hoxha nuk i lexonte letrat e popullit.)
Megjithë këtë pengesë, kryeministri po vazhdon ta verë në
jetë Bashkëqeverisjen.
Deri tani populli ka kërkuar pikërisht ato, që po bën Rama,
si psh PPP-të, kullat në Tiranë, impiantet e djegies të plehrave dhe rritjen e
taksave. Ka një sintoni të paparë, të ideve të Ramës me dëshirat e popullit, sa
kryeministri mund të shkojë edhe për javë të tëra me pushime dhe veç të lerë të
hapur faqen e Bashkëqeverisjes në Internet. E provoi këtë për dhjetë ditë në
fund të dhjetorit dhe punët shkuan fjollë.
Ka vetëm një problem të vogël, që e kanë ndjerë gjithë udhëheqësit,
që qeverisnin “krah për krah me popullin”. Populli shpesh nuk është mirënjohës.
Ja edhe këtu tek ne, në hapat e para të bashkëqeverisjes,
populli do të protestojë!
Rama ka të drejtë të thotë:
“Po ç’ke o kodosh popull,
se bashkë po qeverisim, bashkë po punojmë, për ju po punojmë!”
No comments:
Post a Comment