Saturday, 6 January 2018

Edhe sa vite duhen për të patur një Drejtësi perëndimore? (fund)

(vijim)
“Plaga” tjetër, ajo e korrupsionit do ketë kufizime, sepse ka arritur në një gjendje mëse alarmante, sidomos në nivelet e larta të Gjyqësorit.
Flitet për shifra të mëdha rryshfetesh vetëm për të ndryshuar datën e një gjyqi; flitet për rryshfete me gjashtë shifra për raste të trafikimit të drogës dhe për çështje të rëndësishme civile; flitet për sasira “stërmëdha” eurosh që paguheshin në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për tu emëruar gjykatës në Tiranë dhe sidomos në Apel. Rasti i gjyqtares M. Andrea dhe pronat e deklaruara nga disa gjyqtarë janë provat më të mira, që vërtetojnë të thënat.
E megjithatë Vetingu do ketë një efekt në largimin e më të korruptuarve dhe në “frikësimin” e të tjerëve. Por nuk mund të shpresohet se nuk do të ketë korrupsion në sistemin e Drejtësisë. Arsyeja e parë është që korrupsioni ka përfshirë të gjitha qelizat e shoqërisë shqiptare dhe nuk mund të “pastrohet” vetëm në njërën gjymtyrë.
Arsyeja e dytë lidhet përsëri me profesionalizmin dhe nivelin e universiteteve.
Profesionistët e pazotë nuk ka se si të mos korruptohen.
Po le të bëhemi realistë dhe të gjykojmë se ç’lloj Drejtësije perëndimorë synojmë.
Ne nuk mund të kemi as edhe për një shekull një sistem në nivelin e Anglisë, Amerikës apo Kanadasë. Kaluan shumë shekuj nga “Magna Carta” (8 të tillë), që ndërtuan gradualisht sistemin anglo-sakson.
Modeli jonë i Drejtësisë nuk mund të jenë as Gjermania dhe Franca, por Italia dhe Greqia.
Këto dy vende fqinje kanë sistemet e tyre deri diku të konsoliduara, disi të pavarura nga politika dhe me korrupsion minimal.
Të dy kanë probleme të mëdha me tejzgjatjen e afateve të çështjeve gjyqësore, probleme me cilësinë e hetimeve në çështjet penale dhe në Itali edhe një lloj militantizmi të disa grupeve të magjistratëve. Edhe këta kanë probleme të nivelit profesional të juristëve.
A mundet, që në dy-tre dhjetvjeçarë, sistemi jonë i Drejtësisë të arrijë nivelin e sotëm të Italisë dhe Greqisë?
Juristët , të cilët po diplomohen sot në fakultetet shqiptare, pas 25 vjetësh do jenë në kulmin e karrierës së tyre dhe padyshim , që do kenë zënë vendet më të mira mes gjykatësve, prokurorëve, hetuesve dhe avokatëve.
A do ketë shqiptari i thjeshtë besim të plotë se mund të gjejë të drejtën në institucionet, që do kryesohen nga ky brez juristësh, pa qerasur as edhe me “një kafe”?
Ndoshta në atë kohë vendi do jetë në BE dhe “tribalizmi” do jetë luftuar deri në një farë mase. Nuk do ketë më vend pyetja “Kë kemi nga anët tona në Gjykatën e Lartë?”

Të jemi optimistë duket se kemi një dozë të madhe budallallëku dhe të jemi pesimistë nuk ka asnjë dobi.

No comments:

Post a Comment