Kjo foto, që edhe pse ka vitin 1978, mund të jetë e
dhjetorit 1977. Dëbora e parë, në rininë tonë, binte nga fundi i nëntorit dhe
dhjetori ishte gjithnjë i bardhë.
E bardhë, e pastër, ndonëse nën Diktaturë, ishte edhe rinia
jonë. Pa paragjykime, pa djallëzi, me marëdhënie miqësore.
Fotoja është marrë në pushimin e madh, ndërsa ktheheshim nga
një shëtitje, që bëhej rëndom deri në kinemaja, për të mos u vonuar në orën e
katërt.
Ne djemtë, jemi të tre të së IV-ës A, ndërsa të katër
vajzat, të së IV-ës C. Asnjëri prej nesh nuk kishte ndonjë marëdhënie veç miqësisë
me vajzat e fotos, bile as miqësi të llojit “konfidant”, si mund të ketë pasur
në atë kohë dhe ndoshta ka më shumë sot. Ishte një lloj miqësie “në tufë“, e 18-19
vjeçarëve, që i gëzohen moshës më të bukur të jetës.
Më ka mbetur në mendje, çasti i marrjes së asaj fotoje (fotografi mund
të ketë qënë Zyhdiu, që duke qënë një ditë me borë dhe diell, kishte dalë për të
realizuar planin e muajit), por jo aq shumë për çiltërsinë tonë se sa për një
sjellje të dikujt, që nuk është në foto.
Në shëtitjen “në tufë“ ishte edhe një vajzë e pestë, e të njëjtës
klasë. Kur u propozua (ndoshta nga Ana e gjatë) të bënim një foto të gjithë si
ishim, vajza e pestë, u nda nga ne duke thënë diçka si: “Nuk kam ku e shpie këtë
foto!”
Ishte diçka, që dukej sikur njolloste bardhësinë e dëborës
dhe bardhësinë e rinisë sonë. Nuk e zumë në gojë kurrë, as me shokët e mij të
ngushtë, por besoj se edhe atyre, ju la të njëjtën mbresë.
“Një foto me djem?! Dhe që nuk i kam as të klasës?”
Mbase ishin mendimet e saj në ato çaste, që shikonin më larg
se ne, që i gëzoheshim momentit. Ndoshta mendonte se çdo i thoshin prindërit.
Mbase shihte edhe më larg, një “dyshim të mundshëm” të kandidatit për fejesë.
Nuk kam pasur të bëj më vonë, me vajzën e pestë, pork am menduar
gjithmonë për të, sin jë njeri, që “kalkulon” dhe i hedh me shumë kujdes hapat
në jetë. Mbase ka arritur edhe të planifikojë çdo gjë në rregull, edhe pse tani,
në fundin e të pesëdhjetave, të gjithë e dimë, që jeta nuk planifikohet dot.
Ishte ftohtë atë ditë.
Dhe më të ftohtë e bënte dikush, që ndahej nga shoqëria, për
motive tërësisht të pakuptueshme, të dyshimta, meskine.
No comments:
Post a Comment