Këtë thënie nga një anekdotë e anëve tona me dasmë dhe
gajdexhi, më kujtoi vendimi i Lali Erit të Tiranës, për të blerë apartamentet e
Kadaresë dhe Dritëro Agollit dhe për t’i kthyer në muze.
“Shoqërizimi” nuk ka lidhje as me “Dasmën” e Kadaresë dhe as
me ndonjë gajdexhi në poezitë apo tregimet e Dritëroit. Më shkoi mendja se si
mund të funksionojnë “ dy apartamente muze” njëri përmbi tjetrin, kur
personalitetet kanë një diferencë aq të madhe mes tyre.
Mendova, që një “udhërrëfyes”, pasi i shpie turistët e huaj
të vizitojnë studion ku ka shkruar Kadareja “ Dimrin e Madh” apo “Pallatin e
Endrrave”, vepra këto të njohura mes dashamirësve të letërsisë në botë, ju thotë
edhe “ Një kat më lart kemi edhe studion ku është shkruar “Nënë Shqipëri” dhe “Njeriu
me top”. Doni t’i hidhni një sy?”.
Turistët e huaj(këta të grupeve janë zakonisht të moshuar),
pasi “ju ka dalë xhani” në tre kate për të parë makinën e shkrimit të Helenës
dhe stilografin e Ismailit, duhet të ngjiten edhe 20 basamakë të tjerë, të takojnë
Sadijen, që do ju tregojë se sa marrëzisht e donte Dritëroi.
Amatorizmi i Rilindasve, së bashku me mungesën e kulturës, sensin
e masës dhe një prirje për të idealizuar të kaluarën në Diktaturë, shpije në çdo
lloj absurditeti.
Kjo është një më shumë, në vazhdën e lyerjes së pallateve
nga Rama, ishulli i Beratit dhe Kulla Vrojtuese e Peleshit, muraleja e Tepelenës
e Tërmet Peçit, Veliera e Dakos dhe sa e sa të tjera, të cilat më kanë shpëtuar
mua, por që i dinë ata, të cilët jetojnë në Bashkitë e drejtuara nga Rilindasit.
Këta “birko injorantësh”, që nuk kanë pasur kohë të lexojnë,
se janë marrë me militantizëm mitingjesh, kanë edhe delirin se mund të bëjnë gjëra
të mëdha, me të cilat do hyjnë në histori.
Dhe në histori mund të hysh vërtet.
Por hyn edhe si Osman Gazepi dhe të tjerë personalitete
qesharake të trevave tona.
No comments:
Post a Comment