Wednesday, 31 January 2018

Rombikët (Kreu 14 - “X të thyera")

Ata nuk kishin lënë gjurmë kurrë. Nuk lejonin kurrë të mbaheshin shënime gjatë mbledhjeve të fshehta. Të hapurat, kishin më tepër karakter ceremonial dhe nuk ishin të detyruara për të gjithë. Zakonisht bëheshin në taverna të premteve dhe ushqimi, që shërbehej ishte gjithnjë me mish shpendësh ndaj dhe takimet quheshin të Premtet e Shpendëve. Më të shpeshta ishin të premtet e pulave, por nuk mungonin edhe ato të thëllëzave, turtujve, gjelave të detit dhe të fazanëve.
Edhe në taverna, tryezat i vendosnin në formë rombi, po ashtu si në mbledhjet e fshehta. Askush nuk ulej në kulmet. Ishin të gjithë thuajse të barabartë , ndonëse vjetërsia në Bashkim, luante rol në renditjen e tyre në krahët e barabarta të tryezave. Anëtarët më të vjetër, ata që quheshin “skifterët”, rrinin në vendet pranë diagonales më të shkurtër të rombit ndërsa më të rishmit, “fajkonjtë“në vendet më tej. Një herë në vit, zgjidhej edhe kreu i Bashkimit, ose si e quanin mes tyre “Sklifteri”, emër ky i mbetur që në kohët e hershme të themelimit të Bashkimit. Sklifteri qëndronte gjithmonë në krahun e djathtë të diagonales së vogël dhe ishte ai që bënte porosinë e darkës. Nga mbledhjet e fshehta nuk dihej asnjë hollësi. Gjithshka ishte e errët, e fshehtë, mistike dhe e mbuluar me një vello të trashë, mbi të cilën mund të lexoheshin vetëm fjalët “Atdhedashuri – Vëllazërim- Paqe-Shenjtërim”. Ishin po aq fjalë sa brinjë ka Rombi dhe veç anëtarëve askush nuk e dinte nëse ndonjëra kishte më shumë rëndësi se të tjerat. Një pëlhurë e mëndafshtë, ku ishin qëndisur fjalët magjike, varej gjithnjë në murin e tavernës, ku haej darka e rradhës në një nga të Premtet e Shpendëve.
                                   
*          *          *
Nga një dëshmi e një kamarieri taverne në Shërbimin Inteligjent:
“Vinë të gjithë në të njëjtën kohë. Ka raste, kur disa prej tyre shoqërohen edhe nga gratë. Tryezat e vendosura në trajtë rombi i porosisin më parë në telefon, kurse ato që hanë dhe verën e porositin në vend.
Për të gjithë porosit ai, që i thonë Sklifteri. Për vete kërkon gjithnjë gjoks shpendi.
Para se të fillojnë të hanë këndojnë të gjithë një këngë latinisht. Mbaj mend vetëm fjalët “rombus, rombus” që përsëriten dhe “viçi”.
Ne i quajmë rombikët, por ata i drejtohen njëri tjetrit me skifter dhe fajkua. Skifterët me përjashtim të njërit, që e ka kokën e rruar, i kanë flokët e bardha. Asnjë nga falkonët nuk është flokëbardhë.
Hanë të heshtur dhe koskat e shpendëve, të gjithë i vendosin në të majtë të pjatës.
Bisedat janë të përgjithshme, por më shumë flasin rreth muzikës. Dy i njoh. Njëri është mjek dhe tjeri mësues muzike. Të dy janë skifterë. Disa nuk i kam parë kurrë më parë. Darka zgjat gjithnjë pesë minuta më pak se dy orë. Para se të ikin përqafohen.

R.E.”

(vijon)

No comments:

Post a Comment