Viti 1968 më është dukur gjithnjë i veçantë. Ndoshta sepse
gjithnjë, edhe më vonë, i referoheshin si një vit që sintetizonte vitet ’60 dhe
shndrrimin e madh revolucionar në botë. Deri në atë vit, çdo gjë kishte shkuar
“fjollë“ në jetën time. Javën, kur mbusha 9 vjet, Serxho Endrigo fitonte San Remon
me “Canzone per te”, që edhe për një
fëmijë nuk ishte e vështirë të kuptohej se ishte “Këngë për ty”, dhe të përsëriste
refrenin “..chi sa se finira…mmmmmmmm….ma
oggi devo dire che ti voglio bene…”
Gjithshka dukej më e bukur dhe më e mirë në padurimin për tu
rritur. Në shkollë nuk dukej se mësonim ndonjë gjë të re, por diçka me siguri mësonim.
Ndoshta kishin filluar edhe të na lejonin të bënim detyrat me stilografët e
motrave dhe vëllezërve. (Penat dhe ‘kalllamarkat” me bojë shkrimi ishin gjëja më
e sikletshme, për ne, që nuk dinim se ç’ishte Diktatura e Proletariatit.) Atë
vit dolën edhe tapat plastike të shisheve të vajit, që zëvendësuan “koçankat e
misrit” dhe të cilat filluam t’i përdornim në vend të “ashikëve”, që dukej se
po bëhej më e vështirë për t’i gjetur n një sasi të konsiderueshme. (Ashikët
numuroheshin me “kup” dhe nuk jam i sigurt nëse një “kup” kishte 4 apo 6 ashikë).
Në gusht, Bashkimi Sovjetik hyri me tanke në Pragë dhe ne
dolëm nga Traktati i Varshavës, gjë që na bënte të ndjeheshim të rëndësishëm
edhe pse nuk kuptonim pse ishim në një aleancë me tërë vendet, me të cilët
ishim “allnu”. Tashmë nuk bëhej më fjalë për “lojëra me ashikë“ apo me “tapka
vaji”, por lojëra me tanke.
I gjithë Jugu u mobilizua në një lojë të madhe ushtarake, që
u njoh si “loja e Bodesë“, ku morrën pjesë mijra ushtarë dhe rezervistë dhe për
të cilën flitej nën zë se kishte qënë kokë e këmbë e drejtuar keq dhe kishte
pasur edhe të vdekur. Por në rrethin tim familjar nuk kishte asnjë ushtarak dhe
në përgjithësi ushtarakët përbuzeshin ndaj nuk jam i sigurt, nëse vërtet ishte
diçka që shkoi shumë keq, apo nga që
emrat e Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Bako Dervishit ishin jo shumë të pëlqyeshëm
edhe “loja e madhe” shvlerësohej.
Ideja e një lufte të mundshme nxiste fantazinë fëminore. Thuajse
gjithshka që kishim mësuar në kopësht dhe shkollë lidhej me luftën partizane.
Heronjtë, malet, ballistët tradhëtarë, gjermanët, pritat, gjerdanët me fishekë,
spiunët, Mine Peza, flamuri që nuk valëvitej. Na ishte krijuar ideja , që
pushtuesit vinin nga deti, ndërsa liria zbriste nga mali . Këtë rradhë do ishte ndryshe,
se lufta do vinte në fillim nga ajri, me bombardime dhe më pas ne do fitonim.
Por në fillim do futeshim në vendstrehime ajrore.
Atëhere filluan edhe misteret e nëntokës të ndiznin fantazitë
tona shumëngjyrëshe. Thuajse asnjë nga më të rriturit mes fëmijëve nuk kishte
edukim fetar dhe nëntoka për ne nuk ishte e lidhur me ferrin. Nëntoka lidhej me
“të panjohurën” dhe thesaret e fshehura. Legjendat e qypave me florinj, të
fshehur thellë nëntokë, ose në themelet e ndërtesave të vjetra, qarkullonin
ende në atë kohë. Floriri ishte i gjithë pushtetshëm edhe pse tregëtia e tij
ishte e ndaluar.
(vijon)
No comments:
Post a Comment