Friday, 19 January 2018

Bini

Bini nuk është më. E kisha në mendje, kur mora lajmin e keq. Të veshur me një uniformë, të cilën e përbuzte më shumë se ne të tjerët. Po shkruaja duke pasur në mendje Mamurrasin dhe Binin dhe historitë absurde, me të cilat qeshte me të madhe.
Bini ishte shoku im më i mirë i Kursit të Arkitekturës. Më i mençuri, më i sinqerti, më i drejti, më shpirtmadhi. Me të mund të ndaje gjithshka.
Ishte i pari, që më hapi sytë, se Enver Hoxha ishte më i keqi mes atyre, që kishte rrotull.
Fliste thjesht e bukur për Rusonë, Monteskienë, Volterin, kur duhej , pa bërë bujë, pa treguar se sa shumë dinte. Dhe qeshte gjithmonë.
Ishte shumë më i kënduar se ne të gjithë. Dhe më i thjeshtë. Kishte përqafuar, që në atë kohë të zymtë, një filozofi të iluminizmit modern. Rrinte me më të përvuajturit dhe përbuzte të fuqishmit. Dukej se kishte kuptuar thellë se cilat gjëra janë më të rëndishme në jetë.
Urrente disiplinën.
Ishte një futbollist tejet i talentuar, por i mungonte vullneti për të arritur në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.
Podiumet, presidiumet, lavdet, kurorat, medaljet nuk ishin për Binin.
I deshte njerëzit e thjeshtë, ata të vërtetët, në shkallët më të ulta të shoqërisë.
I miri Bini!
Shoku që më mësoi aq shumë rreth jetës dhe njerëzve.
Njeriu që e deshte pafundësisht jetën e pastër, larg hipokrizive dhe meskinitetit.
Duket sikur e ndjeja që po largohej ndërsa shkruaja:

Disiplina
Eshtë një tryezë e madhe
Me mushama mbuluar
Dhe pjata alumini mbi të.
Fytyrat janë të vetmet
Që na ndajnë nga të tjerët,
Ndërsa lugët bishtshkurtra
Përplasen me disiplinë
Në lëngun e trashë të absurditetit
Dhe ç’ka tjetër në të.
Askush nuk të vjen në ndihmë,
As Shvejku nuk të kthen humorin e zi
Cudi pse lyhemi me blerim,
Kur duhet të vishemi në disiplinë,
E gjelbra s’mund të jetë prazmore
E gjelbra është Liri.
Disiplina
Eshtë balta ku më detyrojnë të shtrihem
(A nuk isha baltë para se të vija në jetë?)
Dhe një gojë e errët eprori
Që më nxit të zvarrisem,
Një e errët gojë,
Që dua ta shpoj me bajonetë.
Disiplina
Eshtë zinxhiri i brengave
Që lidhur këmbëve na ndal fluturimin,
Ndoshta më gjatë na mban në tokë
Por më të njëtrajtshëm e bën harrimin,
Me shufrat e saj të pamëshirshme,
Që thellë na hyjnë në kokë.

No comments:

Post a Comment