Pse e vranë atë rrugë,
Rrugën,
Që më shpinte në të filmave botë
Sa shpejt vrapoja trotuararëve të saj
Me rrasa mbuluar,
Për të arritur tek porta e kinemasë
Edhe pse ishte vonë
Edhe pse ishte e kotë?
Hapësirën me kurora gështenjash mbuluar
Ku nuk lagesha as në shi;
Dhe mes të rriturve dredhoja,
Për t’ju shpëtuar pellgjeve
Dhe indiferencës së tyre
Pështjellë në fësh-fëshe të hirta
Dhe këpucë të zeza
C’ka atë kohë quhej rini.
Murin e lindjes i hoqën
Dhe me dritë të bardhë
E vranë pafajësinë e saj intime,
Të mbuluar me trungje gështenjash
Me të trashë lëvore,
Dhe bashkë me të fëmijërinë time
Të hazdisur të djelash
Të stolisur kristalesh dëbore.
Me shumë kripë vranë
Pasqyrat e krijuara në akull
Ku rrëshqisnim mbi mijra hargalisje
Binim
Dhe ringriheshim sërish,
Pa ditur se kolovajzeve të jetës
Ku dhjetra ranë,
Do ishte e pamundur të gjeje rinisje,
Si është e pamundur të ardhme të ngresh
Mbi themele të vjetra shtëpish.
Mua ma vranë atë rrugë gështenjash
Pa thyer vitrinat ku mbështesja hundën,
Ishte një “natë e ngadaltë kristalesh”
Natë shumëvjeçare
Edhe pse përzjehej me ditën,
Vrasja,
Që më bëri të merrja udhën.
No comments:
Post a Comment