Thursday, 11 January 2018

“Rilindja” e Zonës Sportive së Korçës.

Mes shumë projekteve me të cilat krenohet ekipi Bashkiak I Rilindjes, është Zona Sportive e Korçës, të cilës i kanë vënë një emër nga këta që të “dërmojnë“ sa i dëgjon se jo vetëm janë anglisht, por edhe bombastikë. Diçka si “Sportive Planet” ose “ Physical Universe” ose diçka tjetër e këtij lloji, në shembullin e emërtimeve të tjera me emra të mëdha dhe jo shqip.
Por nuk ka rëndësi emri, se kapistall është, por ajo ç’ka po ndodh me Zonën Sportive dhe se sa pranë të vërtetës është buja rilindase.
Eshtë një lajm i mirë, që po projektohet rikonstruksioni i stadiumit edhe pse mbeten dyshimet nga përfshirja në projekt e të “keqnjohurit” Pit Uillsën, por tani është shumë vonë për të ndalur dorën e tij jo shumë profesionale.
Zona sportive, që paraqitet sot si një studim “fantastik”(jo shkencor) nga Bashkia, ka qënë e konceptuar si e tillë që në fillimin e viteve ’80. Rikonstruksioni, që e shpinte stadiumin në një kapacitet 18 mijë spektatorësh ishte projektuar nga ark Aleko Papakozma 35 vjet më parë. Po ashtu, në fundin e viteve ’80, ishte projektuar salla e mbyllur e atletikës nga ing. Gjergji Skënderi, e cila mbeti e papërfunduar. Të gjitha terrenet e tjera sportive(përjashto fushat e tenisit) kanë qënë ose të ndërtuara, ose të projektuara në atë kohë.
Sigurisht, që ndryshimet politiko-shoqërore sjellin kërkesa të reja, por që nuk duken të reflektuara në Zonën Sportive që është në zbatim e sipër, pot a krahasojmë me zona të këtij lloji në qytetet të së njëjtës madhësie në Europë apo në Amerikën e Veriut,
Nga ajo që duket vetëm nga fotot e vëna nga Bashkia, i gjithë konceptimi i zonës sportive duket në funksion të një hoteli, që parashikohet të vendoset atje ku janë shpronësuar dhe dëmshpërbluar disa pronarë.
Rikonstruksioni i Stadiumit dhe vetë ndryshimi kushteve të jetesës dhe ekonomisë në Shqipëri në 20-30 vitet e ardhshme, do kërkojë një sipërfaqe parkingu për të paktën 1000 makina(sasi edhe kjo e pamjaftueshme), e cila “përkthehet” në mbi 3 hektarë, po qe se pranojmë standartet e qyteteve të vendeve perëndimore.
Detyrimisht, nuk mund të bëhet fjalë për të ndërtuar hotel edhe sikur krahas tij të planifikohet një parking shumëkatësh.
Zona Sportive e Korçës mund “të mbajë“ vetëm një kompleks pishinash të mbyllura, që janë aq të domosdoshme për sportin por edhe për rekreacion.
“Rilindasir urbanë“ me në krye “liderin” e tyre ish-sportist, shtiren sikur ju bëhet vonë për qytetet, qytetarët dhe rininë.
Por kanë vërtet mendje të mprehta, që ju punojnë për “zhvillime” me paratë e taksapaguesve, në favor të miqve dhe partnerëve të tyre në biznese.
Ka shumë të ngjarë, që territori i fituar nga shpronësimet e bëra me paratë e taksapuesve, të jepet me 1 euro/ m2 për të ndërtuar hotel me 5 yje.
Ka shumë të ngjarë, që hoteli duke qënë në zonë sportive dhe i lidhut me lojrat, të bëhet hotel-kazino.
Ka dhe shumë të ngjarë, që hotel-kazinon, mos e ndërtojnë ish-pronarët, apo Bashkia apo Klubi Skëenderbeu, por të ndërtohet sipas metodave rilindase të Partneritetit Privat Publik.
Po a ka ndonjë të keqe për Korçën një hotel me 5 yje pranë stadiumit, ku do “lenë mendtë“ gjithë ekipet e huaja që do vinë të luajnë me Skënderbeun?
Gjithmonë, kur “operohet” me paratë e marra nga xhepat e njerëzve, në pronat e njerëzve ka diçka , që nuk shkon.
Hoteli, ose hotel-kazinoja mund të ndërtohet nga të interesuarit kudo në Korçë. Fushës, kodrave, rrëzës.
Biznesmenët prandaj janë të tillë se marrin edhe risqe.
Ato pjesë të hapësirës publike, që i duhen qytetarëve është e mira të mbeten për qytetarët.

Funksionimi i mirë i Zonës Sportive  e ka domosdoshmëri hapësirën.

No comments:

Post a Comment