Thursday, 4 January 2018

E pandreqshmja (Charles Baudelaire)

Një Qënie, një Formë, një Ide
Prej kaltërsish niset dhe bije
Në një Stiks* të plumbët, plot hije
Ku syri i qiellit dot se sheh;

Një Engjëll, i ngutur shtegëtar
Kërkon shprishjen t’dashurojë
Përpëlitet të notojë
Thellë një makthi të paparë,

Dhe lufton ankthesh vdektarë!
Kundër një stërmadhe vorbull
Që errësirash e sjell rrotull
E bën të çirret si i marrë;

Një magjistricë e  padenjë,
Me ankth rrëmon thellë me gishta
Në mes të gjarpërinjve bishta
Dritën dhe kyçin të gjejë ;

Një i mallkuar pa qiri zbret
Shkallë pa fund, pa parmakë,
Buzë një pellgu ku duket një flakë,
Lagështia e thellë, me erë të vret,

Ku t’shohin monstra të qullët,
Me sy të gjërë plot fosfor,
Që bëjnë të shohësh më me zor,
Natës në një terr të mbyllët;

Një anije në polarin det,
E kapur si në grackë kristali
Kërkon ç’udhë ndoqi sa ndali,
Në këtë burg të bardhë që vret;

-          Pamje të pastra, përsosmëri,
Të të pandreqshmit fat në hall,
Që të bën t’mendosh “Ky Djall
Cdo gjë e bën me mjeshtëri!”

                       II

Ball’ përballë , qetë, kulluar
Zemra bëhet pasqyrë e vetes!
Bardh’ e zi, puse të t’Vërtetës,
Një yll të zbehtë drithëruar,

Një far skëterre, ironik
Pishtar hiresh satanike,
Lehtësim e lavdi unike
- Ndërgjegja që të bën të Lig!

*
Stiks- Sipas mitologjisë greke, lumi që ndan botën e të gjallëve me atë të të vdekurve.


No comments:

Post a Comment