Edhe pse e di që po e bëj “tërkuzë“, por më duhet të thellohem pak më tepër tek Prof.dr. Vokshi dhe titulli, që ai pat krijuar kur drejtonte Shoqatën e Arkitektëve të Shqipërisë. Kjo më tepër për shkak të disa diskutimeve me kolegët e mij shqiptarë
Vokshi duhet përgëzuar që mendoi dhe krijoi titullin.
SHASH është krijuar para vitit 2003, por u deshën mbi 15 vite të bënte diçka. SHASH ka bërë shumë pak për vetveten, dhe gjithashtu për anëtarët e saj, por kjo është një temë e gjatë, që mund të trajtohet kur dimri të ketë shtrënguar më shumë dhe të na jenë mbaruar drutë e zjarrit.
Sa për “drutë“ goditës, të cilët unë i përdor jo rrallë pa kriter, duhet të them se disa kolegë më kritikuan. Vetëm njëri syresh ishte në një mendje me mua, ndërsa tre të tjerë më thanë, që të gjithë titullmarësit e meritonin dhe që Vokshit i bija më qafë kot. Shumë të tjerë nuk më shkrojtën edhe pse e lexuan, dhe unë nuk i quaj dot “kundërshtarë“ edhe pse ka të ngjarë të jenë të tillë.
Pra nëse votohet mes nesh diskutuesve, unë e humb votimin.
Por le të kthehemi tek “Mjeshtrat” dhe idea ime, që mes tyre vetëm Kolevica e meritonte.
(Po e le "rehat" të ndjerin Maks Velo dhe po shkruaj për të tjerët që janë gjallë.)
Edhe pse studiues seriozë dhe me kontribut të madh në arkeologji, etnografi dhe restaurim, unë sërish nuk do i fusja Meksin, Thomon dhe Rizën në kategorinë Arkitektë.
Por le të themi se çmimi nuk është vetëm për arkitektët, por edhe për kontribuesit e tjerë në fushën e madhe të Arkitekturës dhe Urbanistikës. Edhe në këtë rast, duhet ruajtur një lloj përpjestushmërie. Nuk mundet që në 5 çmime që jep në dy vjet, 3 t’ja u japësh studiues-restauratorëve. Para tyre duhet të jepeshin tituj për urbanistët, për arkitektë të projekteve industriale dhe të interiereve dhe më pas tek restauratorët. Edhe mosha nuk duhet të jetë kriter për dhënien e çmimit. (Ideja se t’ja japim filanit se po afron të 90-tat është një ide qoke).
Por le të kthehemi tek Prof.dr. Armand Vokshi dhe “sulmi im i paprecedent”. Mua nuk më duhet të njoh veprimtarinë e gjatë projektuese dhe pedagogjike të një kolegu për ta vlerësuar në vlen apo jo. Më mjafton një intervistë dhe frazat e saj për të krijuar bindjen se kemi të bëjmë me një të shkolluar, që thotë fjali dhe perioda pakuptim dhe për rrjedhojë ose se nuk ka formimin e duhur, ose do të mashtrojë. Ndaj për mendimin tim modest, këto e skualifikojnë si drejtues të një institucioni nga ku do dalin kolegët e mij të ardhshëm.
Arkitekti mbi të gjitha duhe të jetë me integritet dhe të ketë ndershmëri intelektuale. Nëse këto nuk i ka, mund të ushtrojë veprimtari private dhe të bëjë edhe “pare”, por nuk duhet të drejtojë edukimin e profesionistëve të rinj.
Duke dyshuar tek niveli dhe ndershmëria e tij, kam frikë se me ndihmën e të ngjashmëve përreth tij, ka marrë edhe titujt e doktorit të shkencave dhe atë të profesorit.
Por a i vlejnë kujt këto që shkruaj unë dhe që mbajnë një dozë jo të pakët “acidi acetik”?
Shumë kolegë mund të thonë “janë pa vlerë“ dhe të tjerë mund të shtojnë se unë jam “kritizer”. Pavarësisht nga këto, unë them që heshtja edhe nëse mund të na ndihmojë të marrim ndonjë “fletë lavdërimi” apo edhe “titull” i bën dëm më shumë se sa i sjell dobi, artit të bukur, të cilit i kushtuam pjesën më të madhe të jetës.


