Tuesday, 28 April 2026

Unë do bëhem deputet


Vërtet duket një deklaratë e ngutur, por nuk është dhe aq në erë. Unë jo vetëm dua, por dhe do bëhem deputet që do përfaqësoj bashkëqytetarët e mij. Në qytetin ku më ka rënë koka. E di që një mik i afërt, që më quan komunist dhe më “hidhet në grykë“ sa herë prek Korçën, do më thotë pse nuk bëhesh deputet në Sherbruk, por unë i them hapur, që kam jetuar më shumë në Korçë se në çdo qytet tjetër. Ndaj do kandidoj dhe tani shpejt madje. (Ka që mund të thonë se duhet të pres deri më 2029, por unë kam bindjen, se do ketë zgjedhje parlamentare të parakohshme.)

Mund të më pyesni, se pse dua të bëhem deputet dhe po ja u them hapur: “Kam dalë në pension dhe nuk kam si e shtyj kohën. Dhe them pse mos marr një rrogë të mirë duke qënë në Parlament. Dhe kur deputet është Ilir Pëndavinji, ose ka qënë djali i vogël i Paput, pse mos bëhem edhe unë?”

E ndava mendjen pas vizitës së shkurtër që bëra në Korçë, ku pashë se shumë njerëz nuk më kishin harruar dhe për më tepër kishte edhe shumë të pakënaqur. Nuk ka situatë më të mirë për dikë që aspiron të bëhet përfaqësues i “popllit” dhe për më tepër i mosvarmë.

Nuk dija kë të kontaktoja në Korçë, nga këta që janë specialistë të Marëdhënieve me Publikun (ose si i quajnë në Tiranë, ata të “PiAr”) Por me të arritur këtu telefonova një dhe edhe pse më tha se merr 600 dollarë në orë, thashë që ja vlen të investoj për diçka që do më kthehet shumëfish.

“PR guy” më pyeti se mbi ç’platformë do kandidoja. “Platformë?!! Përse kjo platformë?!! Kush konkuron me platformë në Shqipëri?!”- ju përgjigja i zhgënjyer duke menduar se vetëm me një pyetje më kishin fluturuar 150 $ (kuptohet kanadezë). Meqënëse nuk ke platformë atëhere të duhen ndikues (influencers) më tha. U mendova për këta “ndikonjësit” po dy që dija “Farmacistja e ekzaltuar” dhe “ai që shiste dikur imonikë“, i kisha sulmuar në shkrimet e mija dhe nuk mund t’ju kërkoja ndihmë në këmbim të shpërblimit me para.

Do të duhet të shkrihesh me masat”- më tha “PR guy”. “Dhe për këtë duhet t’ju ndodhesh sa më pranë qoftë edhe virtualisht.” “Si?”- e pyeta me nervozizëm, se kishte kaluar 500shja. “Më e thjeshta t’i urosh për gëzimet dhe t’i ngushëllosh për hidhërimet.”

Ama kjo qënka!” thashë me mendje dhe nxitova të mbyllja bisedën. Shpëtova 20 dollarë se koha ishte vetëm për 580$.

Dhe kuptova që gjëja e parë që duhet të bëja ishte të kujtohesha se cilët janë fiset më të mëdha në Korçë dhe të hidhja në një fletë ekseli ditëlindjet, ditëvdekjet, ditët e pagëzimit dhe të bërjes synet, si edhe ato martesave, të përfundimit të universitetit dhe të daljes në pension. Kështu do bëj për vete jo vetëm elektoratin “bojë hiri” (kjo më kujton atë dyfjalëshin që e gjen vetëm në Korçë “majmun bojhiri”), por do bëj për vete edhe të Majtë e të Djathtë. Se duhen rreth 9000 copë vota që të hyj në Parlament.

Kur nisa të mendohem për “fiset e mëdha” më shkoi mendja se ata që dikur i kemi quajtur “kaur evgjitë“ (sot besoj se quhen kristiano-egjiptianë) pillnin nga shumë. Për shembull mirë njihja fisin Janaqi. Dhe edhe pse Nesti, Irakliu, Stavri, Nikoja dhe Alqi mund të kenë vdekur, duhet të jenë Palka, Niqka dhe ndonjë nga gratë e tjera bashkë me fëmijët. Duhet të bëhen 180- 220 vota. Ndaj do më duhen vetëm ditëvdekjet e të ndjerëve, ndonjë foto sa më e arritur dhe tërë ditët e gëzimeve të të gjallëve. Dhe këto t’i ve rregullish në rrjetet sociale. Për shembull, “Sot mbushen 42 vjet nga largimi i Anesti Janaqit. Ish partizan i Brigadës së 20 Sulmuese, që luftoi kundër pushtuesve nazi-fashistë. Në kohën e Partisë ishte përgjegjës i llustros më të njohur në qytet, ngjitur me Bar Korçën, ku u shqua për organizim, llustrosje shumë profesionale me “bojë dhe xhela”, si dhe për bisedat e tij plot humor dhe vrojtime të këndshme”.

A mund të ketë nip stërnip të Nestit, që do hezitojë të japë votën për mua?

Po kështu për të vëllanë, Irakliun, që ishte oxhakfshirësi më i talentuar që ka njohur Korça dhe që ju ka dhënë zgjidhje edhe shumë problemeve që lindnin në oxhaqe të shkallëzuar, që ishin të vështirë për tu pastruar.

Do ju prek “telat” të gjithë atyre që janë ndjerë të braktisur nga pushteti. Kuptohet që në nisje do përqëndrohem në fiset e mëdha dhe më vonë do mundohem tëmarr çdo votë. Sepse nuk më gjen gjë, që t’i uroj ditlindjen në mediat sociale Ladit të Hekuranit, i cili mu duk shumë i pakënaqur nga mënyra si trajtohej, kur isha sëfundmi në Korçë.

Ndaj kam një siguri të madhe se do votohem nga bashkëqytetarët e mij, madje mund të marr edhe vota në Drenovë, Boboshticë dhe në Vithkuq. Për këtë të fundit do kërkoj ndihmën e kushëririt tim Vaskë Kolaci, që ka një reputacion të jashtëzakonshëm në atë zonë dhe që për shkak të moshës nuk ka për të kandiduar për deputet.

A do sulmohem nga e Majta, e Djathta dhe Qëndra e politikës vendore?

Sigurisht që po. Askush nuk do që një i mosvarmë, të marrë një vend që paguhet 5-6000 euro dhe që njëkohësisht nuk dihet se në favor të kujt do votojë në Parlament.

Por unë jam i vendosur dhe kam besimin se me strategjinë e ditlindje-ditëvdekjeve do ja dal mbanë. Ndaj edhe bëra shumë fotografi gjatë vizitës sime të vetme në Shën Triadhë.

Njerëzit votojnë në mënyrë emocionale dhe pikërisht në emocionet e tyre të forta unë dë përqëndroj fushatën!

Që sot për shembull mund ta nis me një urim për Niko Peleshin:

I dashur Niko, sot mbushen 19 vjet, nga dita kur u zgjodhe Kryetar i Bashkisë së Korçës, për të mirën e Bashkësisë, Qarkut dhe më gjërë. Eshtë e paharrueshme për mua ajo ditë, kur u ndodha në Korçë dhe nuk e përmbaja dot gëzimin. Me atë gëzim ndiha të kthenin dhimbjen në forcë edhe dy kolegë të mij, që ishin bërë për të lidhur buzën. La e më la deri në kapjen e mundshme të postit të Kryeministrit”.

(Edhe Nikon mund ta prek me këtë dhe në vend t’ja japë votën zonjës Spaho, të ma japë mua.)

Më uroni që tani të dashur lexues!

No comments:

Post a Comment