Friday, 10 April 2026

A duhet parë çdo gjë që bëjnë shqiptarët me dyshim? (2)

 


(vijim)

* * *

Ndonjëherë, kur kontrolloj emailet e dërguara, më shfaqet emri i dr. Ivi Kasimatit, të cilin e kërkova një ditë dimri në Boston, për t’i kërkuar disa të dhëna rreth paraardhësve të tij mjekë në Korçë. E mailet kanë mbetur pa përgjigje, por nga që gjithshka është “në re” dhe e lidhur dhe e stërlidhur, në Instagram më shfaqet ndonjëherë doktor Kasimati, i veshur mirë. Nga fotot me kostum më kujton të jatin e ndjerë, që rrinte spic. Dhe jo vetëm rrinte spic, por kishte edhe goxha humor, mjeku i mënçur, që mes nesh e thërrisnim “Namiçka”.

Por nga Ivi, që qënka zv. President i një organizate bamirëse në Boston, më dalin edhe foto të vetë organizatës dhe veprimtarive të saj. Edhe pse nuk dalloj shumë të njohur në ato foto, kuptoj që organizata në fjalë (Albanians Fighting Cancer) “Shqiptarët Luftojnë Kancerin” ndihmon të sëmurët nga kjo sëmundje e rëndë prej tash e më shumë se 6 vjetësh.

Përsëri ngre kokë dyshimi djallëzor, se them si ka mundësi, që një mjek nga Korça, i cili më priti shumë mirë në këmbë në klinikën e tij për pesë minuta për kërkesën time private dhe nuk mu përgjigj kurrë, mund të bëjë shumë për këtë organizatë që duket vullnetare. Por mua nuk po më lufton edhe pse e kam kritikuar në një shkrim për Korçën, ndaj duket që si person nuk jam ende në nivelin e “Kancerit”.

Fotot që shfaqen herë herë tregojnë burra e gra të veshur më së miri, që pozojnë për fotografë profesionistë dhe përpiqen të mbledhin fonde për të ndihmuar njerëzit. Sa mirë që shqiptarët e Diasporës nuk janë asimiluar nga amerikanët, kanadezët apo australianët, por tek këto vende emigrantësh kanë ngritur organizma për t’i dhënë dorë njëri tjetrit. Në baza krejt vullnetare. Duke sakrifikuar nga koha dhe nga financat e tyre. Sublime!

Dhe përsëri Verzevuli ngre kokë dhe më cyt duke më thënë “Po ç’duhen këto gala me veshje për të lënë mendjen (dress to impress) për të ndihmuar të sëmurët me kancer? Mos është më mirë që një lloj festimi i tillë të bëhet në një pavijon spitali ku njerëzit e pasur dhe të varfër, që duan të ndihmojnë, të shohin se ç’ndodh, dhe të prekur, të zgjidhin qeset e tyre?”

Më kuptoni të dashur lexues që më ndiqni. Nuk jam kundër njerëzve që vishen mirë dhe shumë mirë. Edhe pse vetë nuk i jap rëndësi. E keqja është se më të shumtët e njerëzve që njoh dhe që vishen shumë mirë, janë idiotë. Jo në kuptimin e mirëfilltë, por në atë kuptimin që vjen pas atij të mirëfilltit. Kam njohur edhe shumë inteligjentë syresh, por debilët predominojnë. Ndaj dhe i trembem një organizate filantropike që i kushton kaq rëndësi të veshurit.

Sigurisht që nuk ka pse të jenë si Nënë Tereza e Kalkutës, që e kemi edhe të Aeroportit të Tiranës. Të tillë shembuj është e vështirë të ndiqen, ndaj edhe ka vetëm një Nënë Tereza.

Gjithashtu nuk jam aq naiv sa të mendoj se doktor Ivi dhe të tjerë të kësaj organizate duhet të ndjekin shembullin e doktorit italian Xhuzepe Moskati, të mirënjohurit si “doktor i të varfërve”. As të të tjerëve që shkojnë dhe dergjen në Afrikë duke ju kushtuar të sëmurëve rëndë. Edhe pse bota ka shumë nevojë për njerëz të tillë, ne shqiptarët, nuk jemi dhe ndoshta nuk mund të jemi të këtij lloji.

Por përsëri ngre pyetjen dyshuese, që nuk ka të bëjë aspak me dyshimin për ndonjë përfitim apo lançim karriere.

Mos këto platforma krijohen për motive vanitoze, si afirmimi i vetes si grup njerëzish të rëndësishëm, që ndajnë një pjesë të të mirave me njerëzit në nevojë? Edhe tek kjo nuk shoh ndonjë të keqe të madhe, por kur mendoj se mund të isha vetë me një sëmundje të pashërueshme në shkallën e katërt dhe do shihja se për të mbledhur fonde për mua, do bëhej një mbrëmje festive ku do këndonte e paguar Inva Mula, me të vërtetë do mendoja “ Unë me të tjerët po zhurritemi dhe kurva po këndon!” Jo se kam ndonjë dyshim për moralin e Invas. E vlerësoj edhe si këngëtare, pavarësisht se “për noji lek” i bën reklamë Niko Peleshit. Nuk e kam aspak me të bijën Avnit.

Thjesht mendoj se a është kjo për të cilën ka nevojë shqiptari i sëmurë me kancer? Duket se edhe në këtë organizatë bamirëse zotëron mendimi dritëshkurtër “në këtë botë çdo gjë e zgjidh parja!” dhe kjo më tmerron. Sepse kam kuptuar që nuk është kështu. Të sëmurët nuk kanë vetëm nevojë për fonde, ilaçe dhe udhëzime si “të navigojnë sistemet e vështira të sigurimeve mjekësore në Amerikë“.

Kanë nevojë për dashuri dhe përkushtim. Kanë nevojë edhe t’ju fshish lotët e dëshpërimit ndërsa kanë dalë nga banja ku kanë nxjerrë rropullitë për shkak të kemios.

Por ndërsa unë, lebrozi të cilit nuk i afrohet njeri, të shoh ty me një kostum Armani apo me një fustan Karl Lagerfeld dhe mbledh ndihma për mua apo jep intervista gjithë pathos, kam të drejtë të mendoj se nuk të bie ndërmend për mua, të sëmurin rëndë, por je po njëlloj si ata që rrinë pas by... të njerëzve të rëndësishëm, që të kenë mundësi “t’ju hapen gjithë dyert”. Ke të njëjtin vanitet, por të prezantuar në një skenë më dinjitoze dhe më humane. Por në thelb je po i njëjti njeri!

E megjithatë sërish do nënvizoj ndryshimin e madh mes një OJQ-je në Shqipëri, që ekziston vetëm për të nxjellë lekë të kollajshme dhe një organizate në Boston që bën diçka. Por nëse OJQ-istët e Tironës kanë mbetur me të njëjtin kostum mendor anadollak, ti, mjeku Kasimati, ke hequr atë kostum dhe për fat të keq ke veshur kostumin e amerikanit të pasur dhe hipokrit, që vërtet punon, por ka edhe nevojë të ndjehet “human” në një gala tejet hipokrite. Kur them “galat tejet hipokrite” e kam fjalën për ato galat e mëdha, ku mund të derdhet shampanja lumë dhe ku ju “qahet halli” Tamilëve të Sri Lankës, apo budistëve të Tibetit. Nga milionerë dhe miliarderë.

Ti bashkë me AFC-në nuk jini të tillë, se nuk keni të tillë nivel financiar, por fatkeqësisht imiton në miniaturë atë sjellje hipokrite dhe vanitoze, që të është dukur e mirë duke parë më lart se vetja. Se do të ndjehesh edhe njerëzor dhe jo vetëm i stabilizuar ekonomikisht. Do të ndjehesh që edhe jep dhe jo vetëm merr. Por që është vetëm një modernizim i shallvareve anadollake mendore që ke pasur të veshura dikur.

Për fatin tënd të keq dhe të njerëzve që mendojnë se sa i mirë je!

* * *

(vijon)

No comments:

Post a Comment