Sunday, 26 April 2026

Poetët që mashtrojnë (fund)


(vijim)

Kur them se poemat e tyre janë art i autosugjestionuar i përzjerë me falsifikim e them i bindur edhe nga një fakt tjetër. Të dy as morrën mundimin që në kohën e Lirisë, të denonconin poemat dhe pjesët e tjera të veprës së tyre poetike, edhe pse ishin të ndërgjegjshëm se jo vetëm kishin gabuar , por kishin falsifikuar. Se s’mund të shpjegoj faktin, që në vitin 1974, në kulmin e pjekurisë si krijues, Dritëroi shkruan “Nënë Shqipëri”, që nuk është gjë tjetër veç vargëzim i Historisë së Partisë së Punës! Ishte i indoktrinuar? I duhej të jepte diçka në këmbim të “nderit’ që i ishte bërë një vit më parë, kur e vunë në krye të Lidhjes?

C’farë e ka penguar Kadarenë të denoncojë poemat e tij, veçanërisht “Shqiponjat fluturojnë lart”, që i kanë shërbyer Diktaturës për të “shpëlarë trutë“ e disa brezave? Këta poetë-falsifikatorë mbeten konseguentë deri në frymën e tyre të fundit.

Po flas për qënien e tyre si poetë, se si prozatorë kanë edhe libra shumë të mirë, veçanërisht “Shkëlqimi dhe rënia e Zylo Kamberit” e Dritëroit dhe “Kronikë në gur” e Kadaresë.

Por në kujtesën kolektive të një populli të tërë, këta dy poetë mbeten në piedestal edhe pse vepra e tyre poetike në mënyrë të ndërgjegjshme ka qënë një vepër mashtruese. Të dy kanë pasur krahas talentit si letrarë edhe talentin e “salesman” për të marrë maksimumin e mundshëm në atë regjim të ashpër. Kadareja ishte më prdhimtar dhe u bë i pëlqyeshëm me romanet e tij edhe në Francën tepër të majtë të viteve ‘70 dhe ‘80. Nuk i duheshin më në vitet ‘70 kurorat e dafinës të poetit, që e kishin bërë të pëlqyeshëm për diktaturën dhe njëkohësisht të famshëm në vend. Në ato vit ai botoi vetëm një përmbledhje me poezi “Koha” (1976), që është një libër thjesht propagandistik dhe kam bindjen se është bërë qëllimisht, për të përmirësuar pozitat e tij në raport me Diktaturën.

Duhet nënvizuar se me poemat e të dyve në vitet ‘60 dhe ‘70, Komiteti Qëndror bënte më shumë propagandë prosocializmit dhe pro Enverit, se me gjithë aradhën e poetëve, shkrimtarëve dhe gazetarëve të tjerë. Eshtë efekti mashtrues i një poezie jo të vërtetë. Por ndërsa tek Kadareja kishte më shumë cilësi dhe më tepër kursim në vargjet, “poemat popullore” në metrikë të rregullt të Agollit kishin jo rrallë vargje si “Ju baballarë kini djem të mirë/ Se ëndërrat i bashkuam në një ëndërr/,,,,/ Ndaj njëri tjetrin nuk e shohim vëngër”. Edhe pse agjitacion i hapur, vargjet e Kadaresë kishin një ritëm që maskonte disi propagandën” “Ajo s’ishte firmë/ Ishte vetëtimë/ Në qiell të revolucionit plot re dhe suferinë/ Duke firmosur dokumentin e parë/ Shoku Enver Hoxha firmoste stuhinë.“

Pra nga një propagandë bajate e unitetit të brezave tek “Baballarët”, kemi në agjitacion pllakatesk, të Enver Hoxhës që lëshon Vetëtima si Zeusi mbi Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore tek “Shqiponjat fluturojnë lart”. Nuk kishte nevojë për shumë artikuj, këngë dhe shfaqje teatrale. Mjaft që poemat të mësoheshin përmendësh dhe të dëgjoheshin nga adoleshentët e çoroditur, në mbrëmjet tematike dhe në koncerte. Të gjashta poemat, e përmendura në pjesën e parë, janë të mbushura me vargje të tillë.

Nëse Ismaili e morri vendin e Nderit (gati sa nuk e quajnë shkrimtari Kombëtar) në sajë të emrit që bëri në Europë dhe me diskutimet e përvitshme “Jo Nobel, po Nobel”, Dritëroi e “grabiti “ me dinakëri vendin e dytë. I pari, me famën e tij, tërheq edhe turistë në shtëpitë muze në Tiranë dhe në Gjirokastër, ndërsa i dyti edhe pse nuk tërheq turistë në Tiranë dhe në Menkulas, në kujtesën e popullit që nuk lexon, mbetet “i madhi Dritëro”.

Nuk di nëse dikush shkon të shohë shtëpinë ku ka jetuar Migjeni. Dhe nëse ekziston në Shkodër diçka e tillë. Gjeniu që iku vetëm 27 vjeçar, duhet prej kohësh të ishte shpallur Poeti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Por Milloshi nuk ishte “salesman”. Ishte i Vërteti, madje as eshtrat nuk ja kanë sjellë në Atdhe. Nuk duhet shkruar kjo, por ndoshta ishte me fat që iku para se të hynin feudo-komunistët. Me siguri do kishte përfunduar para skuadrës së pushkatimit dhe për të “do ndihnin” edhe analizat e “korifejve” të letërsisë shqipe.

Ndikimi i poetëve në këtë shekull, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë është ku e ku më minimal, krahasuar me periudhën 100 vjeçare prej 1850 dhe deri në 1950. Ndaj edhe efekti i tyre negativ (po ashtu si pozitivi) mbi të rinjtë është vërtet minimal.

Ndaj mund të injorosh poetët-mashtrues të sotëm( nëse ka të tillë). Janë gjini të tjera të artit dhe më tepër hapësirat televizive dhe të mediave sociale, ku mashtruesat, shkrimtarë apo filozofë, analistë apo ndikues, kritikë apo UFO-logë, përdorin në mënyrë të ndërgjegjshme mashtrimin për klikime dhe famë. Që lidhet drejtpërdrejt me fitimet materiale. Por në kohën, kur në njerëzit më të famshëm në art ishin Jets, Lorka, Neruda, Majakovski, Eluar, Seferis dhe të tjerë të nivelit të tyre, ishte e domosdoshme që për tu ngjitur atje ku presin dafinat për letrarët të ndiqje rrugën e kompozimit të vargjeve.

Dhe e ndoqën me një suskses të habitshëm edhe Kadareja dhe Dritëroi.

Për të keqen e brezave të shqiptarëve dhe për turpin e pashlyeshëm të tyre.


No comments:

Post a Comment