Thursday, 9 April 2026

A duhet parë çdo gjë që bëjnë shqiptarët me dyshim?


Pyetja është shumë delikate. Ndoshta e cytyr nga një lloj skepticizmi që ma ka pështjellë qënien sëfundmi, veçanërisht gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri. Nuk ishin ditë të shumta dhe i kalova vetëm në Tiranë dhe në Korçë. Në tërësi jo më shumë se 10 ditë. Nuk mund t’i quaj as të ngjeshura me ngjarje dhe takime, se dhe shumë orë kaluan nën efektin e një sasie të lehtë alkoli. Që përgjithësisht ta mjegullon kqyrrjen dhe mendimin.

Por dyshimi që vazhdon e më rritet (sigurisht edhe nga ngjarje dhe njohuri të mëparshme) mund të mos jetë tërësisht shprehje e një gjendjeje jo të shëndetshme mendore. Mund të jetë edhe disi i pavarur nga qënia ime. Mbase ekziston diçka tek njerëzit, organizatat, marëdhëniet, madje tek e gjithë atmosfera, që më bëjnë që dyshimi jo vetëm të shtohet, por prej tij të kalojë edhe në përgjithësime.

Disa ditë më parë shkrojta për qytetarinë dhe të ilustruar me shembuj njerëzish të ndershëm dhe të suksesshëm. Preka edhe difekte në zbatimin e ligjeve të thjeshta, edhe kusure të sjelljes së njerëzve që shërbejnë, por kur ja përmend dikujt, të thonë se janë pjesë e kulturës sonë. E kulturës sonë difektoze? E deformimeve gjenetike në karakter? E pushtimit turk?

Unë tani jam i prirur të mos i pranoj më këto përgjigje si të plota dhe shteruese.

Por le shkruaj më konkretisht, për gjëra që lidhen edhe me institucione apo me organizata të rëndësishme, që kanë shqiptarët në Shqipëri, si edhe jashtë saj. Jo për administratën e korruptuar. Unë nuk i njoh asnjërën prej organizatave, të cilat do prek në këtë shkrim, nga brenda, sepse e kam tejet të vështirë të jem pjesë e një bashkësie për një kohë të gjatë. Kjo mund të jetë edhe mizantropi, mund të jetë edhe diçka e paklasifikuar ende si sëmundje mendore, por mund të jetë edhe një gjë që njihet nga psikologët, por mungesa e kontakteve të mija me ta më ka lënë të paditur për këtë problem.

* * *

Këtë javë e hapa me një hyrje në zyrat e Mitropolisë së Korçës, pasi më duhej të merrja dy çertifikata pagëzimi. Nuk kisha hyrë në oborrin e asaj ndërtese qysh në vitin 1991, kur dolën nga greva e urisë dhjetra burra e të rinj, që ishin solidarizuar me grevën e studentëve të Tiranës, për të hequr emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti. Ende kam në sy mikun tim të ndjerë, Taqi Verigën, i cili foli në emër të grevistëve i lodhur dhe i mallëngjyer. Më pas Taqi u bë prift dhe shumë më vonë Perëndia e mori pranë.

Para shkallëve dhe në to, kishte një grup të madh njerëzish të veshur me rraso, të cilët, për shkak të njohurive të mija të cekëta fetare, nuk jam në gjendje t’i dalloj nëse janë priftërinj, dhjakë apo peshkopë. Kishin të njëjtat rraso të zeza, por shumë të pastra dhe vetë këta burra të rinj, të qethur mirë dhe me mjekra të bukura të jepnin përshtypjen se Kisha Ortodokse Autoqefale ishte rritur dhe zhvilluar më së miri. Dhe këtu Luçiferri, që nuk më ndahet që nga vizita në Sagrada, më futi menjëherë dyshimin dhe me vete thashë:” Bobo këta do e menderosin në pak vjet të gjithë atë punë që bëri Janullatosi!” Sigurisht që ishte vepër e Demonit. Nuk kishte asnjë arsye, që nga ato fytyra dashamirëse të atyre të rinjve të përkushtuar ndaj Zotit, mua të më ngjallej dyshimi se në Kishën Autoqefale, të ringritur me mund dhe të mbajtur të pakorruptuar nga Kryepeshkopi, jo shumë vonë do ketë bajagi korrupsion. As zyrat e pastra dhe të paisura mirë nuk duhet të ma ngjallnin dyshimin. (Ishin edhe më të mira se të Patriarkanës së Stambollit, tek të cilat kam hyrë në tetor të vitit 2022). Ndoshta mund të kenë ndikuar edhe zhgënjimet e gjyshit tim të mënçur, Petro Treska, që pat punuar kishtar për shumë vjet. I thjeshti gjyshi im duke tundur kokën thoshte: “Po ç’priftërinj zezë janë këta! Këta zihem me njëri tjetrin për meshët!”

Tani nuk ka ndoshta më meshë, se që kur sho Enver e siguroi gjithë bukën në vend, pa ndihmën e Kishës, mbase edhe rëndësia e bukëve të vogla e të rrumbullta, që i hanim gjithë dëshirë ndonjë të djelë, ka rënë.

Ndoshta edhe përkushtimii këtyre klerikëve që shkëlqejnë është i vërtetë dhe do e përhapin Dritën e Zotit në çdo mendje të deleve të humbura tç grigjës së ortodoksëve shqiptarë. Pa patur probleme.

Sepse gjithmonë ju jam trembur mendjeve perfide, që gënjejnë edhe me gjërat e shenjta të Fesë. Ndaj ndjehesha mirë kur shihja që nuk e uzurponin dot Kishën Ortodokse, njerëz si Koço Kokëdhima, që mund të bënte çdo fëlliqësi për tu pasuruar.

Edhe pse nuk jam fetar, do më kishte pëlqyer të hyja në mjedise fetare të thjeshta, pa luks, pa shumë ikona, ku priftërinj dhe murgjër të thjeshtë, të veshur edhe me një rraso të vjetëruar nga koha, përpiqen me sa dinë të ndihnin në mbarëvajtjen e çdo gjëje që lidhet me Bashkësinë Ortodokse. Por po të vazhdoja me këtë mendje, unë duhet të isha bërë vetë një murg françeskan. Dhe nuk do njihesha dot me priftërinjtë e bukur të Korçës, njëri prej të cilëve (ndoshta më i madhi) kishte në të folurën e tij të pastër shqipe, aksent labi. Për pak i thashë: “Po qënke bukurosh dhe brisk nga goja a i vrarë!” Nuk i thashë dhe kuptova që i kisha rezistuar tundimit.

* * *

No comments:

Post a Comment