Nuk dua të them se u trondita, kur mësova se Rexhep Qosja nuk është më mes nesh. Për shkak të një tërheqjeje të tij nga jeta publicistiko-politike, e mendoja se duhet të ishte shumë i sëmurë këto vitet e fundit. Ishte diçka e pritshme për mua dhe edhe pa ditur hollësi nga vitet e fundit të jetës së tij, ndjej se duhet të them që iku në kohë dhe shpëtoi nga ndonjë dhimbje e mundshme fizike. Sa për ato shpirtërore ka pasur dhe duhet të ketë pasur shumë gjatë jetës së tij të gjatë dhe të trazuar.
Kam shkruar diku, se kam pasur admirim për figurën e tij, që kur u shfaq në botën e Shqipërisë nën Diktaturë, diku nga fundi i viteve ‘60. Isha ende fëmijë dhe nën ndikimin e plotë të atit tim, i cili atëhere vlerësoi me fjalë nga më të mirat, studiuesin e ri kosovar, që kishte mbrojtur doktoratën me një studim për Asdrenin. Pa qënë një përkrahës i Enver Hoxhës, Qosja ishte një figurë shumë serioze edhe në ditët e Kongresit të Drejtshkrimit. Adhurimi im për të u shtua gjatë viteve të rinisë, nga ç’munda të mësoj rreth atyre që studionte, si dhe nga ndonjë shkrim, që i botohej rrallë në shtypin shqiptar të kohës. Më pas erdhi fundi i viteve ‘80 dhe mësova për përpjekjet e tij jo vetëm për Kosovën, por edhe për transformimin e Shqipërisë nga një Diktaturë në një vend të lirë.
Veçanërisht jam emocionuar nga fjala e tij në “Zërin e Amerikës”, kur ishte mëdyshja e madhe se ç’drejtim do merrte Shqipëria komuniste nën drejtimin e Ramiz Alisë, pas rënies së Murit të Berlinit.
Rexhep Qosja ishte intelektuali shqiptar, të cilit i besoja verbërisht për qëndrimet e qarta në çështjet e shqiptarisë, letërsisë dhe gjuhës shqipe dhe të orientimit politik të shqiptarëve. Për mua ishte shumë i mënçur dhe njëkohësisht i drejtë.
Nuk di nëse për çka rrjeshtova më sipër, ai nuk pëlqehej nga shumë njerëz në Kosovë dhe në Shqipëri. Por më duhet të pranoj se e njoh shumë pak botën e Prishtinës.
Pati një krisje të adhurimit dhe besimit tim tek Qosja, veçanërisht pas marrjes së pushtetit në Shqipëri nga Edi Rama. Nuk mund të besoja se një intelektual i atij niveli, i cili pat mbrojtur dinjitetin e vet dhe një kohësisht përpjekjet për fjalë të lirë, mendim kritik dhe kundër korrupsionit moral dhe material, të rreshtohej aq hapur në mbrojtje të Edi Ramës. Nuk kam mundur kurrë ta kuptoj.
E megjithatë Rexhep Qosja nuk është më dhe nuk mund të mbrohet vetë me mënçuri për gjithshka që ka bërë në jetë, që si e thotë edhe në testamentin e tij të thjeshtë, nuk mund të ketë qënë pa mëkate.
Por edhe në fjalët e shkruara para 10 vitesh, që le t’i quajmë janë dëshira e tij e fundit, ai dëshmon se është Njeriu i Letrave, që mbi të gjitha vlerëson të qënit Njeri. Ai dëshmon se është njeriu që ka menduar dhe studiuar për të bërë çka ka mundur për Gjuhën Shqipe dhe Shqipërinë. Ai dëshmon se njerëzit e vërtetë nuk e kanë të nevojshme të përcillen me fanfara dhe fjalime, nga hipokritët e përjetshëm. Ai dëshmon se kur largohesh nuk ka më nevojë as për “presidiume” dhe as për shtatote dhe buste. Nëse në Kosovë dhe Shqipëri do e shohin të udhës ta kujtojnë edhe në këtë mënyrë, ajo është një çashtje që u takon të gjallëve.
Rexhep Qosja u largua nga ne me dinjitetin e një një Njeriu të mënçur dhe të mirë.
Askush që ka dy fije mend dhe një zemër në vendin e duhur, nuk ka se ç’të kërkojë më shumë kur të largohet nga jeta.
Me shumë dëshirë do shkoj një ditë në Prishtinë, për të vendosur lule atje ku do prehet Rexhep Qosja. Janë të pakët shqiptarët, të cilët nuk i kam njohur personalisht, për të cilët do e bëja diçka të tillë.
Lamtumirë Rexhep Qosja!
No comments:
Post a Comment