Të paktën kam mësuar një gjë në këto 28 vjet në kurbet. Të pranoj se jam një arrogant i pandreqshëm. Katër vjet më parë, në një bisedë me një të ashtuquajtur gazetar në Korçë, i cili më tregonte se e njihte babanë dhe unë këmbëngulja se nuk kishte si ta kish njohur, pasi me mirësjellje më tha: “E kuptoj krenarin tuj, por e kam njoft dhe ka ken burr shum i qet!” ju përgjigja :“Ishte më krenar dhe më arrogant se unë!” Babai i shkretë, nëse vërtet dëgjon diku, do ketë buzëqeshur, se më krenar se unë ishte, por jo arrogant.
Megjithatë unë ja di kusuret vetes dhe për këtë edhe mund të “akuzoj” të ndjerin atin tim, se nuk më ka edukuar si duhet. Që të paktën të isha më modest.
Por as ai nuk mund të kthehet të më riedukojë dhe në këtë moshë unë jam vërtet i pandreqshëm. Por në 28 vjet nuk mësova të jem “humble”, por mësova të pranoj se jam arrogant.
(Përsëri do hidhet dikush nga miqtë e mij e të më thotë, se meqë e pranoj edhe mund ta korrigjoj, por unë do i përgjigjem me të njëjtën arrogancë: Ik e mos më çaj g.... si shumë!)
Por larg me arrogancë nuk shkon dot! Diku të thyhen hundët dhe keqazi! Ndaj dhe unë, për këtë udhëtim në Europë, i lashë “hundët” në shtëpi dhe u nisa pa to, që të mos kisha nuhatje dhe njëkohësisht t’i paraprija një hundëthyerje. Një mik në Detroit më kishte paralajmëruar që në Korçë të ruhesha nga Zonja e Hekurt, në Greqi nga patriotët grekë dhe në Barcelonë nga gjithë Katalanasit. Dhe shpëtova. Më mbetet vetëm Tirana, kryeqyteti ynë i dashur.
Por për të mos i ngjitur shkallët nga dy (një problem kemi edhe me shkallët e avokatit në Ckopojë) unë po rikthehem në Barcelonë dhe në një takim me Barçan time të dashur. Jam bërë tifoz i saj në vitin 1973, kur futbollisti që adhuroja, “hollandezi fluturues”, u shit nga Ajaksi tek Katalanasit. Prej asaj kohe kisha dobësi për blu-shegët. Ndaj dhe hyra në dyqanin zyrtar të suvenireve të tyre. Shumë pranë me Sagradan. Isha kureshtar, por nuk kisha ndërmend të blija gjë. Kam një lloj ideje që bluzat e sportistëve me emër janë të shtrenjta. Ndaj nuk kam asnjë të tillë.
Hyrja ishte jo e zakonshme. Ishte një lloj oborri, ku dy vajza të reja të drejtonin tek një foto e madhe e Kamp Nout, para së cilës, mbi një si piedestal, dukej një Kupë që mund të ishte kopje e Kupës së Kampioneve. Një vajzë tjetër merrte në foto me rradhë vizitorët. Nuk ishin të shumtë dhe kur më erdhi rradha i thashë që nuk dua foto, por kisha hyrë për suveniret sportive. Nuk prish punë tha, mund të dalësh n[ foto dhe nuk ke pse të paguash. Mund ta marrësh edhe “free”. Dhe këtu veproi ndërgjegja e ime prej amerikanoveriori, që kur është “free” mund të rrinë në rradhë edhe për pleh organik. Dola në foto dhe fotografja më paisi me një biletë që duhej ta paraqisja në sportelin e hyrjes. E paraqita gjithë qejf për të marrë diçka pa para, edhe pse nuk mbaja mend nëse e zura me dorë apo jo Kupën. Sportelistja më tregoi në ekran një foton time, me dorën në Kupa dhe me Kamp Noun në sfond. “Shiko sa e bukur!”- më tha në anglisht. “Shumë“ thashë nga kënaqësia që po merrja diçka të falur dhe jo se po më pëlqente surrati im në foto. “20 euro!”- shtoi sportelistja e qeshur. “What?!!’ thashë dhe shtrembërova fytyrën në mënyrën që nuk ma pëlqen askush në familje. “20” përsëriti ajo. “Mua më thanë që mund ta marr gratis!” “Jo. Eshtë foto e këtij formati dhe e printojmë në vend!” Nuk u përmbajta: “Nuk më duhet e printuar! Ma dërgo në email. Ja të ta jap adresën.” “Pa paguar as atë nuk e bëjmë!” “Po kolegia më tha që mund ta merrja pa euro?!” “Nuk besoj. Eshtë 20 euro për të gjithë. Mendo që atë kupë e ka prekur Mesi!” “I don’t give a shitt if Jesus touched it, not Messi! I am not going to pay 20 euro!’ u përgjigja në mënyrën më arrogante të mundshme dhe për çudi, asnjë rrufe nga ato që duhet të bien pranë Sagradas nuk më goditi në vend. Ndoshta nga që agjëroja. Sportelistja nuk u mërzit, por më drejtoi tek shitorja e suvenireve në të njëjtin kompleks. Ika i qetë, se kisha shpëtuar një njëzeçkë, pa llogaritur pasojat, të cilat më shkuan rreth 500 euro, por përsëri nuk do e këmbeja kënaqësinë që pata nga shfryrja ballkanike as për diferencën prej 480 eurosh.
* Në Tiranë, arrita në Kodra e Diellit, pas një udhëtimi mes Mokrës së Maros dhe të varreve të mbretërve ilirë. Drekë e bukur dhe shoferi na ndaloi pranë një lokali, që quhej Komiteti Diellor. Emër më kuptimplotë nuk mund të bëhet. Shum[ më lart se Komiteti Qëndror, para të cilit dridheshim dikur.
U ula në verandë dhe rrezet e diellit depërtonin mes kurorës së një ulliri të vogël. Mesdhe në të gjithë autencitetin e tij. “Shoqëruesi” shqiptar, një intelektual mbi të 80-tat më tha duke buzëqeshur, se në karrigen ku sapo isha ulur, ulet pasditeve i biri i Enver Hoxhës. E kuptova se flitej për Sokolin, se i madhi sikur rri diku nga Ckopoja. I buzëqesha shoqëruesit dhe në karrigen ngjitur lëshova çantën e shpinës. “Në atë karrige, ku lëshove çantën rri nusja e Enverit” buzëqeshi shoqëruesi i përzëmërt dhe unë nuk u përmbajta më:
“Mua më pëlcet by... se ku ulen i biri apo e reja e Enverit!” dhe me mendje shtova se duhet të shtyj edhe disa ditë të tjera në Europën turistike, ku do më duhet të dëgjoj edhe dhjetra cazzature të tilla.
Jam një arrogant ballkanas i papërshtatshëm për turist!
No comments:
Post a Comment