Wednesday, 29 April 2026

Rruga e mundimshme drejt “fondeve”


Sa më shumë dua të largohem nga figura e errët e kolegut Pitër Uillson, aq më shumë ai vazhdon të shfaqet gjatë maktheve të mija. Dikush mund të thotë se unë vuaj nga WDS (Wilson derangement syndrome), që është një gjendje mendore iracionale, që reagon keq ndaj çdo vepre të projektuar nga Uilson pa asnjë analizë profesionale të logjikshme.

Por nëse unë kam një problem të shëndetit mendor si të themi WDS, kjo nuk i prish punë askujt në Shqipëri apo veçanërisht në Korçë. Aq më pak mund të dëmtojë frekuentuesit e Bibliotekës “Thimi Mitko” e projektuar me aq finesë, frymëzim dhe funksionalizëm nga arkitekti australian.

I vetmi problem i vogël i Bibliotekës është se nuk ka vend për “Fondin” e bibliotekës, të krijuar në 100 vite të ekzistencës së saj. Dhe pikërisht këtu nis Makthi im i ri, me arkitektin që e ka projektuar, me Bashkiakët që e bënë “Qytetar Nderi të Korçës” dhe me punonjësit e Bibliotekës, që krenohen me Hapësirat plot dritë dhe sharm të projektuar nga vetë Ai, projektuesi gjenial, që ka eskluzivitetin e projektimit në Korçë. (Thuhet se vetë Edi Rama, i Gjatfuqishmi, ka urdhëruar që Korça duhet të mbajë vetëm firmën e PW.)

Kur shkoj në qytetin tim, gjithnjë kërkoj të shoh diçka nga Fondi i pasur i Bibliotekës, qoftë periodikë apo libra të caktuar. Përgjigja është; “Për momentin Fondi nuk është i ‘aksesueshëm”, por shumë shpejt ky problem do zgjidhet” 5-6 vjet kaluan “shumë shpejt” dhe Fondi ende është i groposur në disa bodrume të një ndërtese ngjitur me Bibliotekën. Po në kushte ideale ndriçimi dhe lagështie, se nëse Rilindasit dinë të bëjnë diçka mirë, është të rilindin çdo gjë të vdekur. Dhe pa u asgjesuar plotësisht Fondi, ai do rilindë diku. Me bekimin e Të Gjatfuqishmit, Di Lanas ose të Kryetarit të Ardhshëm të Bashkisë, kushdo që të jetë.

Por diçka është bër disa vjet më parë për një pjesë të Fondit. Janë “digjializuar” periodikët e para vitit 1944. Me fondet e taksapaguesve. Ndonëse unë nuk paguaj taksa në Korçë, mendova se mund të kërkoj të shoh një pjesë të të “digjitalizuarave” për qëllime studimore, që lidhen me një libër për Korçën, që kam në duar. Dhe i kërkova ndihmë drejtores së Bibliotekës, e cila, më duhet të shtoj se, ka qënë shumë e gatshme të më ndihmojë në të shkuarën. Edhe këtë rradhë përgjigja ishte e menjëhershme dhe më drejtonte në emailin zyrtar të Bibliotekës, ku duhet të drejtoja kërkesën time të specifikuar. Dhe unë e bëra të specifikuarën, duke menduar se “dosjet” e periodikëve nuk kanë nevojë për Mjedise të veçanta si Fondi, por mund të depozitohen në një kompjuter të vetëm

Dhe prita. Dhe përgjigja nuk erdhi.

Atëhere Makthi mu shtua. E kuptoj që ndoshta jam paranoiak, por mendova se Kërkesa ime e Specifikuar shkon diku, në një Komision, i cili shqyrton Kërkesat e Specifikuara me hollësi dhe pastaj sheh nëse janë kërkesa të arsyeshme dhe nëse duhen përmbushur. U tremba edhe se unë kam”lehur” kundër Karvanit të drejtuar nga Kryekarvanisti Edi Rama. Dhe disa nga karvanistat janë Nicolo Di Lana, Ligaveci Gollash, Përpaqe Kita të gjithë eprorë të drejtores Jorida Tollkuçi, që më ka ndihmuar dikur. Mos ndoshta në këtë komision partiako-bashkiak, unë konsiderohem si një person i papëlqyeshëm, që nuk kontribuoj në taksat, që nuk kam ID shqiptare, që sulmoj padrejtësisht funksionarët e shkëlqyer të PS, që mund të përdor materialet “digjitale” për të nxirë realitetin Rilindas etj etj.

Se nuk kuptoj se si nuk kam asnjë përgjigje për kërkesën time për “Gazeta e Korçës” e vitit 1937 dhe të gjysmës së parë të vitit 1938. E kuptoj që punonjësit e Bibliotekës kanë një ngarkesë të jashtëzakonshme, por sa për të më dërguar një përgjigje të tipit “Kërkesa juaj po shqyrtohet. Faleminderit për mirkuptimin.” nuk besj se ishte një humbje e madhe kohe.

Ndaj i trembem në mënyrë irracionale ekzistencës të një Komisioni Miratonjës, të kryesuar nga një funksionar Bashkiak dhe i mbushur me patronazhistë. Se për disa patronazhistë unë jam jo vetëm “dele e zezë“, por edhe “mace e zezë“, që nuk duhet t’ju dal para. Se ndjell tersllëk!

Kam frikë se sonte do mbetem pa gjumë, i shqetësuar se Komisione të tilla Rilindase, që veprojnë në mënyrë selektive edhe për përdorimin e “Fondeve të Bibliotekës” ekzistojnë. Prej tyre unë nuk do kem kurrë mundësi të lexoj periodikët që më duhen. Prej tyre unë do detyrohem të shkruaj sërish kundër Pitër Uillson, si dhe kundër personelit të Bibliotekës, gjë që do e bëj pa dëshirë. Prej tyre unë mund të detyrohem të hap një proces gjyqësor i ndihmuar nga avokati im në Tiranë, që do e shpjerë “aksesin” tim tek “Fondi” edhe 3-4 vjet më pas.

Me një fjalë unë mund të kem në dispozicion ato që dua të lexoj vetëm në vitin 2030.

Librat që janë blerë në vite me paratë e taksapaguesve.

Periodikët që janë digjitalizuar me paratë e taksapaguesve.

Në Institucionin e projektuar shumë keq dhe të ndërtuar me paratë e taksapaguesve.

Mos kishe lehur dhe çdo gjë do kishte qënë shumë e lehtë për ty!” do më thotë avokati im para se të nisë të përpilojë akuzën civile ndaj Bashkisë, për moslejim të “aksesit” në Fondet e Bibliotekës. E di që do ndjehem si “qen”, por ndonjëherë është më mirë të jesh qen se sa dykëmbësh në këtë botën e sotme.

Se të paktën si qen, unë do kem të drejtën të ngre njërën këmbë dhe të përmjer në Bibliotekën “Thimi Mitko”, në këmbët e arkitektit australian dhe në zyrën e Ligavecit Gollash.

No comments:

Post a Comment