Saturday, 11 April 2026

A duhet parë çdo gjë që bëjnë shqiptarët me dyshim? (fund)

 


(vijim)

* * *

Në një hotel në Tiranë, në një rrugicë ku më parë nuk kaloje dot se të ndalonte ushtari i Gardës, por mund të shikoje kur hynte dhe dilte nga Komiteti Qëndror ndonjë nëpunës i Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste (ndodhej në të njëjtën godinë), është ndërtuar nga një ish pedagogu im një hotel. Hoteli ka midis të tjerash edhe një dhomë konferencash, diku në katin nëndhe, por unë nuk isha shumë i interesuar për funksionet e hotelit në fjalë, sepse hotelet janë të panumurt në botë dhe jo rrallë edhe të zgjidhur jo mirë.

Në hollin e hotelit shkova të takoja ish pedagogun tim, për të cilin ruaj një respekt të veçantë, prej viteve të Universitetit.

Ishte rreth orës 5.30 dhe në holl ishte një qetësi gati absolute. Në një kënd me kolltukë ishin ulur 4-5 vetë, një prej të cilëve mu duk si dikush që e kisha parë në tv, por nuk isha i sigurt nëse ishte analist, politikan apo Doktor i shkencave filologjike. Dukej si më i përgatitur se bashkëfolësit, sepse femrat intelektuale, që ishin në një tryezë me të, e shihnin me admirim. U ula në kompletin me kolltukë ngjitur dhe porosita një raki. Porosinë e mori një vajzë, që dukej se ishte recepsioniste, kamariere dhe banakiere, sepse në holl ishte shumë qetë dhe përreth nuk kishte asnjë punonjës tjetër. (Më vonë mësova se ishte edhe manaxhere dhe njëkohësisht mbesa e pronares.)

Ndërsa më solli rakinë më pyeti nëse isha dhe unë për konferencën, mua mu ngjall ndjenja e fortë e afirmimit të vetvetes dhe i thashë se nuk isha i sigurt, por isha i gatshëm të shkoja se konferencat janë dobësia ime. Më pyeti për shënjën dalluese të pjesëmarësit në konferencë dhe si e pa që nuk e kisha me mirësjellje më tha që nuk mund të merrja pjesë. Ishte zhgënjimi i rradhës në Mëmëdhe, sepse gjatë disa ditëve nuk kisha pasur asnjë ftesë për mbledhje, konferencë apo veprimtari kulturore. E vetmja veprimtari ku kisha vendosur të vija vetë edhe po mos gjeja ftesë ishte një shfaqje poetike e poeteshës Rita Petro, që nëse lexuesit e mij jashtë Atdheut nuk e njohin, është autorja e poezisë “Vrima”. Një poezi që jo vetëm ka marrë çmimin më të lartë në Shqipëri, por ka bërë që Rita të konsiderohet Bodleri femër i Ballkanit.

U largova nga tema e institucioneve shqiptare, që ka edhe këtë ngjarje në hotelin e ish pedagogut tim. Sa më ishte ndalur hyrja në Konferencë në krah të recepsionistes-kamariere-banakiere u shfaq Neritan Sejamini, një komentues politik, që e vlerësoj për ndershmërinë dhe qartësinë që ka në shikimin e problemeve politike shqiptare. I thashë këto që posa shkruajta dhe me buzëqeshje me falenderoi. Por nuk ishte e thënë që fjala ime e vrtetë të qëndronte në ajër për më tepër se tre sekonda se pas tij u shfaq Genc Ruli, që nuk kishte ndryshuar shumë, veç një trashjeje jo shumë të natyrshme të hundës. Bashkë me Sejaminin duket se ishin organizatorët e konferencës, që duhet të ishte e karakterit politik, që do përcaktonte idetë më të rëndësishme të së Djathtës shqiptare për të qënë gati të ndryshonin fytyrën e Shqipërisë. Nuk u përmbajta dot dhe me zë të lartë thashë:

-Po me Rulin ti akoma o Sejamini?!

Genci i qut shkoi drejt një ndenjëse duke bërë sikur nuk dëgjoi. Me siguri që mendoi se ende ka të tillë anonimë, që duan të duken të rëndësishëm. Sejamini duke buzëqeshur me zor ju bashkua duke më thënë:

- E po kjo ndoshta tregon karakter!

Nuk do kisha dashur të më ndodhte kjo gjë, se ende dua të besoj tek njerëzit që merren me politikë në Shqipëri. Sejamini është ndër më të rrallët, bashkë me Dash Shehin dhe Andi Bushatin. Sigurisht që Arlind Qorin e besoj plotësisht.

Por të jesh bashkëorganizator me Rulin, një nga të korruptuarit e parë sui generis të spektrit politik shqiptar, nuk je më njeriu të cilit mund t’i besoj. Nuk mund t’i besoj as konferencës tënde, ku marrin pjesë analistë dhe një tufë me biba, që dune të jenë në pushtet kur të rrëzohet Rama!

Ti, Neritan Sejamini, më shpartallon edhe shpresën e fundit, se në Shqipëri ka intelektualë të formuar dhe të ndershëm që zbresin me guxim në fushën e politikës. Më bën që të mendoj si gjithë pesimistët e tjerë, se Rama do mbetet gjatë dhe se vendi im do shkojë poshtë e më poshtë!

Mua mund të mos më bëhet vonë se do ketë një shfaqje idiote të një poeteshe-idiote ku do mblidhen plot “lamashanë“ të veshur bukur dhe do tregojnë me entusiazëm se sa ju pëlqen moderniteti dhe guximi i saj kur bën rimë të fjalës varri, me emrin e organit mashkullor. Nuk është kjo Shqipëria që më bezdis. Të tilla marrëzi ka në çdo vend europian dhe amerikano-verior të zhvilluar.

Nuk më shqetëson as bari “Heminguej”, ku mblidhen politikanë, intelektualë dhe diplomatë të paguar mirë dhe rrufitin rum nga më të mirët në botë, të servirura nga dy vëllezër “zogj kurve”, që ja u kanë “matur kokën me pe” të gjithë intelektualëve kokëboshë shqiptarë. Të tilla vend me “vibe” ku lidhen marëveshje dhe krijohen aleanca ka në çdo qytet të rëndësishëm perëndimor. Janë të pashmangshme.

Por kur shoh se për të nxjerrë Shqipërinë nga balta nevojitet hunda e trashur disi panatyrshëm e Genc Rulit, atëhere është më mirë, që të paketoj çdo ëndërr bashkë me ndërresat e mia të palara dhe të marr avionin e parë për të ikur nga vendi “ku më ka rënë koka”.

T’ja u le ta mjelin dhe ta shijojnë, sikundër kanë bërë këto 35 vjet Kokëdhimat, Kastratët, Zamirët e Bitijeve dhe të gjithë skotat e politikanëve të korruptuar, ku shkëlqejnë Berisha-kafshë dhe Berisha me xhinse. Ky i fundit edhe më i korruptuari dhe më shkatërruesi.

Dhe më pas të dyshoj në çdo lloj organizate që krijojnë bashkëatdhetarët e mij, kudo që ndodhen.

Të vuaj edhe më shumë se sa vuan një i sëmurë nga kanceri në shkallën e katërt, që jo vetëm di që nuk ka edhe shumë ditë të jetojë, por ka edhe një dhimbje të cilën vetëm morfina mund t’ja lehtësojë.

No comments:

Post a Comment