Thursday, 9 April 2026

Nuk shkruaj dot më vargje

Rimat kanë fluturuar tej.

Vrapoj si i çmendur t’i kap dhe pengohem.

Eshtë lejtmotivi i moshës së tretë,

Pa kërkuar diej,

Nga drita që sytë më vret

Pyetje të ngre

E më pas të ankohem.

Unë shoh qartë e më qartë,

Milloshi e tha kur ishte i ri.

Mua mu deshën edhe të tjera dyzet vjet,

Të kuptoja se ç’donte të thesh i Shkodrës gjeni.

Dhe vrapoj si i marrë

Rrugëve të Tiranës,

Rimat që mund të ripërdoren të kap.

Një vajzë me gjinj të tejfryrë me mua qesh,

    Një cigan diçka kërkon të hedh në dajre,

        Mish keci do të më shesë një kasap.

-Po ku shkon o thuajse plak i rrjedhur?!

Shoqja që më do

Më thotë me dhembshuri.

I them se rimat dyzet vjet më parë këtu i humba,

Kur isha më i marrë,

    Kur isha më i prangosur,

        Kur isha më i ri.

“Dhe ti mendon se do i gjesh?

Në këtë qytet që më keq se ti është çmendur?

Ik shlodhu diku pranë një bregdeti,

Në një stol nga shqotat rrahur,

Ku plot lezet prehen

Të tjerë pleq

Si ti mendjepjerdhur!”

Po unë ende nuk kam vdekur,

Edhe pse fjalën e fundit ma kanë gatitur,

BregLanës mbrëmjeve një ish-student ende bredh

Mbipeshë,

    Pa flokë,

        Kokës ovale mendimet selitur.

Diçka të humbur viteve kërkon

Nuk le pa gërmuar skuta e brima,

Në Tiranën e vdekur të viteve ‘80,

Ai pat humbur të tijat rima.

No comments:

Post a Comment