Pa u mbushur as 12 orë nga deklarata ime bindjeplotë se “do bëhesha deputet”, morra një “dush të ftohtë“ nga avokati im, që tashmë e ka mbyllur zyrën në Lion dhe është i përqëndruar në çështjet konstitucionale. Teksti ishte vërtet i rëndë:
“Deklarata jote jo vetëm është e ngutur, por tërësisht e shkëputur nga “realiteti objektiv”, Bazuar në legjislacionin shqiptar të zgjedhjeve dhe praktikave të ndjekura në 25 vitet e fundit, ti “nuk ke shans” që të zgjidhesh si deputet i Korçës në legjislaturën e ardhme. Cdo iluzion që ke ushqyer në dy-tre javët e fundit është krejtësisht fryt i fantazisë tënde të sëmurë dhe dëshirës për të fituar një rrogë të majme pa mund. Nuk ka patur në këto 25 vitet e fundit asnjë kandidat të mosvarmë, që të fitojë zgjedhjet edhe në zona, kur të gjithë zenë be për kokën e tij.”
Kjo “nuk ke shans” më goditi, se mu kujtua që kështu më kishte thënë një zonjë me të cilën kisha fjetur gushe një pasdite të nxehtë në Firence, pasi i kisha kërkuar të flinim përsëri ndonjë ditë dimri.
Dëshpëruese edhe pse mua nuk më dukej se ishte krejtësisht e bazuar dhe se avokati im i njihte mirë cilësitë e mija karizmatike. Por duke e besuar se ajo ishte bindja e tij dhe jo e nisur nga ndonjë qëllim i mbrapshtë, që unë mos merrja vendin e Forcës Politike X, mendova që të hyja në diskutim me të dhe të parashtroja pikat e forta të kandidaturës sime. Isha i hapur edhe që të dëgjoja arsyet që e bënin atë aq pesimist.
I shpjegova në hollësi strategjinë time për të prekur emocionet e forta të masave nëpërmjet formulës ditlindje-ditëvdekjeje, si dhe gjithë urimet dhe ngushëllimet e tjera. Ai nuk i vinte në dyshim këto dhe as faktin që unë mund të merrja 9 mijë vota, veç më vuri përballë pyetjen asgjesuese:
“Kush do të t’i ruajë votat ty?!”
Këtë gjë unë nuk e kisha menduar thellë, se kujtoja nga që opozita nxjerr sytë me pozitën, nuk do merren me votat time. Ai më spjegoi që shumë lehtë ata do merren vesh se si t’i ndajnë votat e mija. Atëhere unë mendova nxitimthi një Plan B dhe i thashë se për këtë do ngarkoj mikun tim Vangjo Buça, që ka pasur edhe një firmë nga këto të rojeve. O mund t’i ruajnë ata o s’i ruan dot kush!
Avokati edhe këtë ma hodhi poshtë duke thënë se nuk bëhet fjalë vetëm për një qëndër votimi por për shumë dhe për më tepër, si i mosvarmë unë nuk kam as të drejtën ligjore të marr një firmë rojesh për këtë punë.
U turbullova dhe e pyeta se cilat janë alternativat. Ai më dha vetëm dy. Njëra ishte të mos kandidoja dhe tjetra ishte që të isha në gjendje të siguroja të paktën 22 mijë vota, që edhe sikur 13 mijë të më vidheshin, përsëri të më mbeteshin 9 mijë , që do më shpinin në Kurvend.
Mu duk krejtësisht e pamundur, por isha në situatën kur e kisha bërë shpalljen publike dhe kisha marrë edhe 16 urimet e para. Nuk doja në asnjë mënyrë të zhgënjeja lexuesit dhe mbështetësit e mij. Llogarita që sikur 70% e banorëve të Korçës të kishin të drejtë të votonin nuk bëheshin më shumë se 17 mijë votues. Duhet të merrja të gjithë votat e korçarëve dhe të fshatrave përreth, që të kisha për tu vjedhur e për të mbetur. Ja spjegova avokatit që nuk ishin dy alternativa, por një e vetme dhe që nuk kisha ndërmend të tërhiqesha.
“Atëhere” -më tha ai-” duhet t’ju premtosh të gjithëve vende pune, legalizim të ndërtimeve pa leje, rregjistrim të pronave, kthim të pronave për ish-pronarët, tendera rrugësh dhe ndërtimesh publike, të drejta studimi jashtë shtetit, vizita dhe operacione falas në spitale private, leje për bujtina si dhe statuse investitorësh strategjikë!”
“Tallet ky me mua?!- mendova- apo më di se kam kapur cironkën e artë“ dhe padashje dora më shkoi në një nga gishtat që ngjet më shumë me cironkën.
“ Unë mund të premtoj vetëm një autobus falas përditë për korçarët që të shkojnë dhe të bëjnë pazar në Kostur.” - i thashë duke menduar se edhe sikur gjysmën e rrogës së deputetit të harxhoj për autobuzin, prapë ka të më mbeten për një jetë të bukur, argëtuese dhe gazmore në Tiranë. (Pa llogaritur ndonjë harxh për masazhe ekzotike.)
Më tha se edhe me këtë ide nuk kisha gjë se do bëja kundërshtarë gjithë tregëtarët me shumicë dhe me pakicë, përfshi këtu edhe mikun tim që prodhon sallame.
“Po më mirë të marr votat e blerësve dhe le të humbas të shitësve! Ka gjithnjë shumë herë më shumë blerës!” – i thashë duke menduar se e kisha gjetur më në fund planin C.
Pas kësaj avokati u tërhoq dhe tha se do bënte më të mirën, që të më ndihte, por kuptohet që mbrojtës të votave nga Gjermania nuk mund të më sillte. Unë këmbëngula në variantin Vangjo Themeli, se në grupin e tij, njihja edhe rojen me mustaqe Gjeke nga Vithkuqi.
Dhe kështu po i hyj detit më këmbë! Të bëj të pamundurën për një vend në Kurvend.
T’i tregoj bashkëqytetarëve të mij, se në mes të të përdalëve të atij Mexhlisi, mund të ketë edhe njerëz të devotshëm, që hyjnë vetëm për të marrë një gjysëm rroge pa u zorisur.
Se në fund të fundit ç’do më duhet të bëj. Të ngrihem e të them ca llafe një herë në muaj dhe të ngre kartonin ose nga jeshilja ose nga e kuqeja. Sa të rri e të sorollatem rrugëve të Sherbrukut e të llafos me vete, atje mund të bëj ndonjëherë muhabet edhe me Zeqinenë. Kuptohet po ma zgjati. Po unë herë pas here do përmend që jam mik me Nikon që në vitin e largët 1996 dhe kam luajtur basketboll me të edhe pse Di Lana, nuk ja theshte hiç topkoshit.
Po si driblues është i klasit të parë ndaj dhe e kanë bërë KryeKurvendar.
Më uroni durim dhe fat të dashur miq dhe lexues në këtë “proçest” kaq të komplikuar!
No comments:
Post a Comment