Monday, 27 April 2026

O Perëndi më bëj edhe një herë 7 vjeçar!


Nuk jam i sigurt se kush më dërgoi një njoftim të DRAP. Ndoshta ishte një kushërira ime mësuese, por këto ditë kam marrë shumë mesazhe në WhatsApp për Korçën dhe bën vaki dhe i ngatërroj. Ndoshta ka qënë ndonjë miku im, që nuk është aspak mësues, por do të më mësojë disa “tarbiete” të reja, që unë nuk i kam nxënë dot në kohën e sistemit diktatorial, kur shkollohesha.

Njoftimi i DRAP bënte fjalë për një takim me ZVAP dhe në këtë takim përveç se rrahjes së problemeve, Drejtorja e DRAP kishte bërë edhe një surprizë të mahnitshme për një drejtor shkolle që dilte në pension.

Duke lexuar njoftimin e hollësishëm, më lindi një dëshirë e çmendur, që të kthehesha edhe një herë në moshën kur nisa shkollën. (Ne atë kohë na fusnin 7 vjeç dhe sa mbaronim 7 vjeçaren dhe merrnim Dëftesën e Lirimit ishim tamam për tu bërë 14 vjeç dhëndurë.)

Por ai sistem arsimor kishte shumë kufizime. Nuk kishte Lirinë, Lirshmërinë dhe Lëshueshmërinë që ka sistemi i sotëm arsimor. Ndaj dua të mund të rifilloj klasën e parë. Edhe pse mund të ndjehem gjysh i bashkënxënësve të mij. Se nuk ka se si mos përfitoj nga profesionalizmi që kanë mësuesit që drejtohen nga ky DRAP. Vetëm në disa paragrafë të njoftimit, të shkruar nga Drejtorja, Nëndrejtori, ose nga i/e ngarkuari/a me marëdhëniet me shtypin dhe mediat sociale, unë kuptova se sa pas jam në lëndët e gjuhës shqipe, të psikologjisë, të logjikës elementare dhe studimeve paranormale.

Do ve më poshtë vetëm disa pjesë nga njoftimi, që t’ju nxis edhe juve, pensionistëve të tjerë, të rifilloni shkollimin në një nga shkollat e DRAP (ose edhe të ZVAP, ndonëse nuk jam i sigurt kush është më me nivel).

Drejtori i shkollës “Pandeli Cale”, z. Romeo Rrapo, mbushte moshën për të dalë në pension. Surpriza e Drejtores të DRAP Vinjola Rota ishte një urim shumë domethënës, të cilin po e ve pa asnjë ndryshim:

Me rastin e ditëlindjes dhe përfundimit të një etape të rëndësishme në shërbimin profesional, ju përcjellim urimet më të përzemërta për shëndet, mbarësi dhe një pension të merituar.

Si të mos entusiazmohem nga një urim i tillë? Si të mos kërkoj të hyj edhe një herë në zinxhirin e gjatë të shkollës, nga ku mund të dal dhe të jem në gjendje të formuloj urime të tilla?

Drejtori del në pension, por kjo është vetëm një etapë e rëndësishme në shërbimin profesional. (Nuk jam i sigurt nëse Romeo këmbëngulte të dilte në pension apo i futën një shqelm bythëve.)

Zonja Rota,(që nuk duket aspak rrotë) i uron edhe pension të merituar. Unë kam dalë në pension, por askush nuk më ka uruar një të merituar. Ndoshta nuk e meritoj, ose po marr diçka të pamerituar, por unë nuk kam ndërmend ta kthej pensionin mujor.

Më poshtë, zonja Rota e plotëson urimin me:

Urime të përzemërta dhe suksese të mëtejshme në vijim të këtij rrugëtimi të suksesshëm profesional!

Pensionisti rishtar, nuk ka për të shkuar e të luajë me domino në Shën Mëria, sepse Drejtorja e DRAP e siguron se ka pasur një rrugëtim të susksesshë profesional dhe po njëlloj mund ta vazhdojë me sukses në të ardhmen. ( E ka akoma atë shkollën Raqi Gjermani, se ai sikur mbledh mësues pensionistë të suksesshëm?)

O Perëndi, e di që nuk mund të m’i kthesh prindërit përsëri në jetë ndaj nuk po ta kërkoj!

Po të lutem më jep mundësi të futem në këtë sistem arsimor, që drejtohet në mënyrë të suksesshme, profesionale dhe plot mënçuri nga znj. Rota! Edhe unë nuk do të ta le ashtu!

(Nëse në shtator, do shihni një xhajë pa flokë dhe me një çantë shkolle në shpinë, me pantallona të shkurtra dhe pa makinë se prindërit nuk i ka, që shkon në një nga klasta e para të Korçës, ai quhet Naum Mara dhe Perëndia i ka plotësuar dëshirën për të rifilluar shkollimin. Nuk është diçka që ndodh përditë, por në këtë Botën shqiptare të drejtuar nga Rilindja edhe mrekullitë janë të mundshme.)

No comments:

Post a Comment