Thursday, 9 April 2026

Burri emrin e të cilit nuk e mësova


Ai më ra sy sa hyri në lokalin ku po pija kafe. Jo se ishte veçanërisht i gjatë apo i shkurtër, i trashë apo i hollë, me ngjyrë të ndryshme të lëkurës nga ajo e vendasve, apo se kishte një ecje të veçantë. Ai ishte dikush rreth të 50 ve, me flokë të prera shkurt, një xhaketë që jo vetëm nuk i mbërthehej, por dukej sikur do i shqepej nga çasti në çast, poshtë të cilës dilte një këmishë e një marke të shtrenjtë, që i mbulonte pak prej mollaqeve të tij të bëshme, të mbuluara plotësisht nga xhinse marke. Në dorë kishte tespie disi të veçanta, ngjyrë të bardhë dhe rreth qafës së trashë kishte një shall mëndafshi. Mbante një palë këpucë sportivo-shik, me hartën e një pjese të globit, si kopertina e lirë e një albumi fotosh, që kam blerë shumë vite më parë.

Mund ta quaja pa frikë një halldup i kohëve tona nga mënyra si ecte dhe nga siguria që tregonte duke ecur si halldup. Por përdorimi i termave të cilat nuk i kuptoj mirë është “i dënueshëm” ndaj më duhet të verifikoj në google se ç’farë ka qënë tamam një halldup, që populli jonë i zgjuar dhe plot humor e përdorte pakëz si keq. (Shpjegimi në Fjalorin e gjuhës shqipe është më halldup se fjala vetë dhe unë nuk po e cyt më.)

Halldupin tonë, do e kisha harruar shpejt, po qe se pasi hyri me nxitim në kafenenë ku unë pija një esspresso, nuk do ishte pritur me shumë dashamirësi nga personeli shërbyes. Më pas doli me po aq nxitim dhe siguri dhe shkoi tek një tavolinë në tarracën e lokalit ku e prisnin tre burra. I lëshuan vendin e nderit dhe ishin gjithë sy e veshë nga burri që mua më dukej halldup.

Më pas erdhi një zonjë, më pas një zonjë tjetër dhe në fund edhe një zotëri dhe të gjithë u drejtuan tek personazhi jonë dhe e shihnin gjithë admirim. Ai dukej se i ftonte me një lëvizje të kokës dhe ata merrnin pa leje një karrige të lirë në tryezën ngjitur dhe i bashkoheshin Halldup-tavolinës. Që përtej xhamit unë nuk mund të kisha asnjë ide se përse bisedonin, por termat duhet të ishin jo të thjeshta se herë herë, të pranishmit tregonin dokumenta të futur në cellofan, që mund të ishin Vërtetime Pronësie, Vendime Gjyqi ose Certifikata Pagëzimi, por ne gjithë kureshtjen time të njohur, nuk arrita t’i kuptoja se ç’ishin në të vërtetë.

Përse e pyesnin Halldupin tonë? C’lloj këshillash kërkonin prej tij?

Po sa mund të kuptojë një observues i thjeshtë, që nuk e njeh Tironën, përmes një xhami lokali, se ç’ndodh në një tryezë të rëndësishme ku tregohen dokumenta të futur në zarfe plastike të tejdukshme?

Asgjë!

Ndaj dhe mendova të mos e vras mendjen shumë, por të përqëndrohesha në ngjarjet e Lindjes së Mesme që janë bërë më kataklizmike se kurrë.

A mos ndoshta edhe Halldupi lidhej pikërisht me këto ngjarje të koklavitura?

Se në vendin tonë ç’ka nuk ndodh!

Këtu puthet e përputhet Rama me Ivankan dhe jo shumë larg tyre, miku im Namik Kopliku, kujdeset për kampin muxhaedinët e kampit MEK. Këtu dëgjoj se Shqipëria po zbrazet, që të popullohet me çifutë, si dhe se së shpejti, në një nga korridoret rrugore të reja do zbulohen varret e mbretërve ilirë, që do vërtetojnë se jo vetëm jemi më të vjetrit në këto troje, por dhe se nuk kemi ardhur nga Kaukazi. Këtu pronari i një kafeneje më thotë në sy se sa gomar jam kur e pyes për cilësinë e rakisë, ndërsa në një tjetër “lokacion” dy zonja punonjëse në administratë pinë cigare në një dhomë të vogël të kafenesë të të birit të Maqo Dumos, ku duhani ndalohet sipas ligjit përkatës.

Këtu ndodh gjithshka!

Ndaj dhe unë rri i vetëm dhe “i habitur” ( e po sikur u habide thuhej në mëhallën tonë dikur) në një tavolinë pranë vetratës, në anën tjetër të së cilës gjithshka e komandon një Halldup që ka tespije të bardha.

Një burrë, emrin e të cilit nuk e mësova dot kurrë!

No comments:

Post a Comment