Diçka flitet tani rreth moshës biologjike dhe shumë njerëz mburren se janë 20-25 vite më të rinj se sa ju tregon pashaporta. (Këto dëngla kanë qënë gjithnjë mes meshkujve, që theshin se i kishin rregjistruar më të mëdhenj për të mos shkuar ushtarë, por këto lloj pasaktësish unë i marr me rezervë. Edhe pse nëse citoj Xhozef Keller, nuk kam arsye të fortë të besoj se jam lindur në Korçë, më 16 shkurt 1959. Unë kët e kam besuar se ma kanë thënë prindërit dhe se kam në të gjithë dokumentat, por nuk kam asnjë provë të vërtetë për të. Duke qënë kërthi, edhe pse dëshmitar okular unë nuk mund të konfirmoj dhe as të kundërshtoj ditën dhe vendin e lindjes. Ju kam besuar verbërisht prindërve, mësuesve, sekretarëve të partisë, veprimtarëve të Frontit, heronjve të punës socialiste, udhëheqësve të pionerëve dhe nxënësve me medalje ari.)
Po unë nuk e kam kundërshtuar ligjërisht ditën time të lindjes, ndaj dhe nuk kam të drejtë të pretendoj se kam lindur diku rreth mesit të vitit 1963, kur kam nisur edhe të kujtoj gjëra. Madje dhe kjo nuk është e sigurt, se edhe për vitin 1963 mund të ketë patur një komplot për ta quajtur të tillë, kur mund të ketë qënë edhe koha që përkon me vitin 1968.
Po le ta lemë diçka që është kaq e turbullt dhe konvencionale dhe që njerëzit që e krijuan edhe mund ta manipulojnë. Por ata nuk mund të manipulojnë orën time biologjike. Edhe kur u përpoqën në vitin 2019, që nëpërmjet vaksinës Covid-19 të më plaknin 18 vjet e ca, unë dëgjova Fredin e Bajramit dhe nuk u vaksinova.
Tani jam ky që jam dhe ndjehem diçka, si rreth 38-39 vjeçar. Edhe kur më pyesin për moshën ju them nëpër dhëmbë “..stenëntë“ që mund të variojë nga 29 deri në 59, por q nuk mund të jetë kurrë më shumë.
Kështu deri para disa dit[sh, kur shkova të takoja një ish-pedagog në hotelin e quajtur “Kotoni”. Hoteli nuk ka asnjë lidhje as me Pambukun dhe as me Niko Peleshin, por thjesht është një hotel i mirë, me katër yje, jo larg nga ish-selia e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës.
Doja të lija një porosi me shkrim për ish-pedagogun pronar dhe më duhej të shënoja datën. 8 prill më tha me plot mirësjellje recepsionistja. “ Oh sa mirë që ka kaluar data e errët!” thashë si për të bërë një shaka bajate, por duket që ishte më bajate se duhej sepse vajza e re më pa me dyshim. “E di besoj pse quhet datë e erëët?” shtova për të treguar se nuk ja kisha futur aq kot. “ Po-tha- dje ishim shumë pranë Luftës së Tretë Botërore.” “O gomar- i thashë vetes- bota është në një katrahurë të vërtetë dhe ty të ka mbetur sahati në 7 prilli, kur pushoi këngën bilbili!”
Nuk i thashë recepsionistes së re asgjë për Zogun, Mujo Ulqinakun dhe sho Enver, që në mënyra të ndryshme e pritën 7 prillin. Cdo gjë aq e ndjeshme dikur edhe për mua tani dukej tepër e largët dhe pa pikë rëndësie.
Dua të shënoj, që regjimet e ashpra, edhe pse nuk janë në gjendje të të ndryshojnë orën biologjike të individëve, munden që nëpërmjet propagandës të përditshme, itensive dhe gjithëpresente të të ndryshojnë kohën mendore. Për ne gjithshka fillonte me Luftën nac-çlirimtare. Para saj gjithshka kishte qënë e gabuar ose me cene të mëdha. Pika “kruçiale” ishte 8 nëntori 1941 dhe triumfi i vërtetë dhe Jeta e Re fillonte më 29 nëntor 1944. Kush guxonte t’i vinte në dyshim këto, “shkote ke veni”. Ndaj edhe gjyshërit i kuptonim që kishin kufizime ideologjike, se kishin lindur para formimit të Partisë. Por ne ishim të vendosur të punonim me ta deri sa ata ta kuptonin plotësisht se ç’kastravecë po linin pas.
Historia e Komunizmit në Shqipëri ishte më e varfra në të gjithë Mesdheun, E kuptueshme për një shoqëri të varfër ekonomikisht, por edhe shumë të pazhvilluar, Por propaganda ja kalonte asaj të Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, ku kishte patur vërtet diçka. Tek ne 0-ja ishte kthyer në një “faktor” aq të fortë, sa hyrja e Clirimtarëve në Tiranë, ishte për ne viti 0. Ndaj ishte e pamundur që të mos mateshe me këtë vit 0. Në kohën kur nisëm të kuptonim se ku jetonim edhe Globi ishte kthyer në Shqipëri dhe Kinë dhe çdo gjë tjetër ishte vetëm borgjeze ose revizioniste.
Më kujtohet kur isha në Universitet, që ishin vite shumë të vështira për të drejta studimi, dhe më të shumtët e bashkëstudentëve ishin nga qytetet e vogla dhe fshatrat, kontigjent i përshtatshëm për trushpëlarje, në një mbledhje me dikë nga Instituti i Studimeve M-L, shumë studentë me bindje ngriheshin dhe deklaronin se e dinin që në libraritë europiane, veprat e sho Enver ishin ato që shiteshin më shumë.
Kështu që ne nuk dinim në cilin shekull jetonim. E kuptoj pse e njëjta gjë ka ndodhur në Kamboxhian e Pol Potit dhe vazhdon të ndodhë në Korenë e Kimëve.
Truri i njerëzve është lehtësisht i manipulueshëm!
Për fat të keq ndodh edhe në vende të lira. Në Amerikë ka pjesë të shoqërisë ende në shekujt e 17, 18 dhe 19. Ndaj fiton Trump që me lehtësinë e një idioti dinak mund të kalojë me lehtësi nga një shekull në tjetrin, se nuk ka asnjë parim dhe asnjë bindje. Madje nuk e ka as idenë e Historisë.
Për fatin e mirë të Botës, Trump nuk mund ta mbytë Lirinë në Amerikë. Në rast se shoqëria amerikane do ishte aq inerte sa shoqëria gjermane e pas vitit 1933, bota sot do ishte zhytyr thellë në mut.
Por ka ende shpresë.
Si ka shpresë edhe për mua që ta ve në lëvizje sahatin tim të mbetur,
No comments:
Post a Comment