Të gjithë miqtë e mij lexojnë. Sigurisht kush më shumë e kush më pak, në varësi nga koha që ju mbetet, numuri i syzeve dhe ndjesitë që ju sjellin gjërat e shkruara. Sepse në kohët tona, gjërat e shkruara janë të bezdishme. Njerëzit janë aq të lodhur dhe të bezdisur nga leximi i mesazheve dhe postimeve në mediat sociale, nga gazetat dhe portalet online, sa edhe disa gjëra të tjera, që përmbajnë gërma, i tejlodhin. Ndaj dhe librat lexohen gjithnjë e më pak. Po normal!
Unë nuk hyj në ata që shkruajnë shpesh libra, sepse nuk kam asnjëherë as thirrjen për të shkruar dhe as formimin e duhur. Po tre copë i kam shkruar, një për kujtimin e tim eti dhe dy të tjerë i shtyrë nga avokati im, që i përdor për qëllime jo shumë të pastra.
Por miqve të mij nuk ju drejtohem për librat e mij me shkronja jo të mëdha, por për shënimet e këtij blogu, të cilat ja u dërgoj herë herë në Whatsapp.
Jo rrallë, kur i nis, kam ndjenjën që disa do mendojnë “Na “çau astarët” edhe ky me këto shkrime që na dërgon!”, e megjithatë unë klikoj në “send”. Se them që kur të ketë kohë në një pushim mes mbledhjesh, apo duke pritur kamarierin t’i sjellë pjatat e drekës, miku ose mikja ime, që pëlqen të lexojë, mund t’i hedhë një vështrim diagonal shënimi tim, që përgjithësisht nuk ka ndonjë vlerë, por që dhe mund të prekë ende ndonjë nerv që nuk ka vdekur. (Kjo e nervit më kujtoi që duhet të shkoj të falenderoj dentistin për punën që më ka bërë në gojë.)
Dhe miku a mikja ime që pëlqen të lexojë, mund të kujtohet se në këtë jetë ka shumë gjëra interesante ose jo, për të cilat ja vlen të mendosh.
A duhet të mendojmë?
Dikur e kishim më të lehtë, se mendonte Partia për ne, por sot nuk mund t’ja u lemë çdo gjë truve të politikanëve, klerikëve dhe influencuesve. Na duhet të mendojmë edhe vetë. Në të kundërt do jemi gjitarë që nuk mendojmë dhe mund ta shijojmë jetën në gjithë materializmin e saj. Dhe mënyra më e mirë për të shijuar materializmin e kësaj jete është të mos lexosh. Se shkrimet janë një shpikje jo shumë e natyrshme e dhjetëmijë vjetëve të fundit. Nuk dihet mirë se si ka ndodhur dhe pse ka ndodhur, por nuk bëjnë pjesë në materializmin e natyrës.
Miku dhe mikja ime që lexojnë rrallë, ose nuk duan të lexojnë fare se i dinë të gjitha, ose se shkrimet i lodhin, mund të thonë fare lehtë, se sot që është ChatGPT nuk kanë më nevojë as të lexojnë dhe as të mendojnë. Cdo gjë, që ka ndodhur nën këtë diell, që kur janë shpikur shkronjat, është lehtësisht e kapshme nga ChatGPT dhe tërë shënimet e “grafomanëve” janë kot.
(Një mikja ime në një grup në Whatsaap shkruante se që kur ishin larguar meshkujt nga Grupi nuk i “mbysnin” më shkrimet. Dhe kishte të drejtë. Ajo mund të shprehte me një “meme” një roman të tërë.)
Por “grafomanët” si unë, janë jo shumë larg një bashkëbiseduesi llafazan në një tavolinë dhe që thotë diçka. Se më të shumtët e “llafazanëve” nuk thonë asgjë. Dhe nga një “grafoman” edhe mund të mësosh. Qoftë edhe diçka të thjeshtë, si është që “mësohet gjithmonë“.
Por në jetë ka çaste, kur njeriu thotë “ Nuk dua të mësoj më! Edhe pse di shumë pak. Por se kam kuptuar që sa më shumë të dish më shumë vuan!” Dhe është një e vërtetë e përafërt me absoluten. Por nuk është kjo arsyeja kryesore që miqtë dhe mikeshat e mij nuk lexojnë. Se po të ishte kështu do ishte vërtet mirë. Do jetonim në një botë të mbushur me “Sokratë të vuejtum”, që do ishte shumë më e mirë se bota e “derrave të kënaqmë“, në të cilën jetojmë.
Miqtë dhe mikeshat e mija (s)lexojnë se kjo është një mënyrë për të ngushëlluar veten, një mënyrë për të vrapuar sa më larg realitetit, një mënyrë për të menduar sa më pak rreth vdekjes.
Dhe kjo i bën të jenë të vërtetë. Pa qënë nevoja të thonë “unë e kam mbyllur me leximet” ose “shkrimet përgjithësisht nuk janë objektive se kanë ndikime politike. Të gjithë shkruajnë të ndikuar nga politika!”
Shkrimet janë të shumëllojshme. Të gjitha. Edhe të miat. Edhe të ndikuara nga politika apo ideologjia që është në kokën e shkruesit.
Por shkrimet të bëjnë të mendosh.
Dhe nëse je në gjendje të mendosh, ti dhe më të shumtët e njerëzve, kjo botë bëhet më e mirë!
Mos e lini këtë botë në duart e atyre që nuk janë në gjendje të mendojnë!
No comments:
Post a Comment