(vijim)
Me këtë synim në mendjen e Ramës, që vetëm vdekja ta largojë nga posti, duhen parë të gjitha veprimet e tij të viteve të fundit, por dhe gjithë veprimet e sotme dhe ato që do vijojnë. Në rastin e Autokratëve hajdutë, ky synim është edhe më i veçantë se në rastet e Diktatorëve me një lloj ideologjie, që largimin e tyre e shihnin si fundin e botës. Të tillë ishin Hitleri dhe Stalini.
Rama dhe të tjerë si ai e shohin si një tmerr, që do ju marrë Fuqinë, një pjesë të Pasurisë dhe do i shpjerë në Burg. Ndaj ata janë të kapur me thonj e dhëmbë ndaj atij Froni. Më tipikët sot janë Putin, Erdogani dhe Lukashenkoja, si dhe shumë karikatura të ish republikave sovjetike.
Por ne na intereson shqiptari Edi, që sigurisht mëson nga të mësipërmit, por nuk ka plotësisht mundësinë që të luajë dukshëm me Kushtetutën, sepse duhet të luajë edhe kartën e atij që do të hyjë në BE. Pikërisht ajo gjë , që ai uron të ndodhë pas vdekjes së tij (gjë që mbizotëron çdo ndjenjë njerëzore të tij, përfshirë edhe dashurinë për Zahon) është si një gjë që i sillet nëpër këmbë dhe e pengon të marrë veprime drastike për t’ju thënë të huajve: “nuk dua t’ja di për Ju!”
Ata, në korridoret e Tiranës, që pëshpërisin se Gjermania ja mblodhi keq, ose se kaq e ka se nuk e takoi zv.ministri i jashtëm amerikan nuk ja kanë idenë e politikës së sotme ndërkombëtare.
Cdo udhëheqës i një vendi të pavarur europian, i cili i ka fituar zgjedhjet rregullisht ose duke i vjedhur është i sigurt në qeverisjen e tij. Nuk zëvendësohet. As mund të thuhet hapur që duhen sa më parë zgjedhje të parakohshme.
Rasti i ndërhyrjeve të hapura në publik i Trump, “se ky më pëlqen ose jo”, “filani nuk duhet të jetë në krye” e të tjera të ngjashme është i pashëmbëllt, e megjithatë as të tilla komente nuk sjellin ndryshime në Europë. Edhe ajo që ndodhi në Venezuelë është një rast ndryshimi i një njeriu pa ndryshuar regjimin. Fakti i fundit është mbështetja që Trump i dha autokratit Orban dhe që rezultoi në Hiç.
Ndaj Rama është i sigurt se nga jashtë ‘nuk e heq njeri”. Sigurisht që të lakohesh shpesh si Autokrat apo i Korruptuar në shtypin euroatlantik nuk është e pëlqeyeshme për kënd. Gjithashtu presionet e BE shoqërohen edhe me bllokime fondesh, ndaj të cilave ai është i ndjeshëm. Ekonomia shqiptare është një ekonomi me varësi të fortë nga kreditë europiane dhe nga droga, ndaj ndërprerja e të parave ose kufizimi i tyre është një problem për të. E megjithatë edhe atë do e pranojë dhe Ballukun nuk ka për ta dorëzuar. Sepse hapja e petëve të “lakrorit Balluku” e shpie atë në zyrat e hetuesve.
Dhe këtu vijmë në përfundimi se regjimi Rama mund të rrëzohet vetëm nga shqiptarët me protesta të mëdha ose me votë në zgjedhjet më të afërta të përgjithshme.
Por kështu duam s’duamrikthehemi në shoqëria Zombi, që Rama ka bërë çmos që të krijohet e të mbetet e tillë.
Shoqëria shqiptare është një shoqëri Zombi sepse ka humbur besimin në klasa politike dhe njëkohësisht pret t’i bjerë nga qielli një klasë e re politike.
Shoqëria shqiptare është një shoqëri Zombi sepse pjesë jo të vogla të saj janë të lidhura dhe përfituese nga regjimi dhe mendojnë se është më mirë mos e rrezikojnë atë të mirë të vogël që kanë. Kjo mund t të jetë një vend jo i keq në administratë me përfitime të mëdha prej korrupsionit, por edhe një rrogë si punëtor i pastrim-gjelbërimit në një Bashki.
Shoqëria shqiptare është një shoqëri Zombi, se segmente të saj që janë anti-Ramë ndjekin kauzën personale të Berishës, i cili lufton vetëm të mbetet në skenë dhe të shpëtojë nga burgu Argitën dhe Zenin.
Shoqëria shqiptare është një shoqëri Zombi sepse pjesa më vitale e saj, që është rinia studentore, për arsye që unë nuk i shpjegoj dot mirë, nuk ka besim në forcën e saj, por mendon se si të gjejë mënyrën të ikë nga Shqipëria dhe jo të ngrihet në protesta masive të papërzjera me partitë politike.
Ndaj nuk ka pse të na çudisë asnjë veprim i Ramës në ditët dhe muajt që do vijnë. Ai mund të shkojë në ekstrem në veprime politike, administrative, ligjore, si dhe në qëndrime në politikën e jashtme, që bien në kundërshtim me inteeresat e vendit. Asgjë nuk është tabu për të, përderisa i shërben forcimit të pozitave personale, disi të prekura në këto 6 muaj. E tillë është fuqia që ka grumbulluar në dorën e tij dhe e tillë është gjendja e shoqërisë shqiptare.
Të dyja këto ai i di më mirë se gjithkush. I di më mirë edhe se diplomatët e huaj në Tiranë, një pjesë të të cilëve “i ka futur në thes”. I di më mirë edhe se shërbimet informative, që informojnë kancelaritë europiane. Po njëlloj si ai i di edhe Berisha që e njeh mirë mekanizmin e shtetit shqiptar, lojën politike ndërkombëtare dhe gjendjen e shoqërisë shqiptare. Por Saliu lufton për të marrë maksimumin e mundshëm për vete dhe këtë e ka arritur.
Ndaj ne që nuk jemi anëtarë të shoqërisë Zombi, duhet të pushtohemi nga një pesimizëm i thellë për gjendjen në të cilën ka katandisur shoqëria shqiptare.
Ku më të shumtët thonë: “E mo ç’i qi tëmën!”
E thotë një ish pedagogu im që ka një hotel në Tiranë dhe disa prona dhe nuk ka ndërmend të lëvizë as një gisht deri sa të vijë dita e votimeve.
E thotë shoferi i taksisë pa liçencë, që përpiqet të ketë rregullisht klientë, për t’i shpënë nga Korça në Tiranë dhe anasjelltas.
E thotë shitësi i librave të hapura në një trotuar në rrugën e Barrikadave, që shikon me shpresë gratë se burrat, sipas tij, nuk blenë libra.
E thotë një banakiere e mençur në “Mon Cheri” që kur mëson se nuk jetoj në Shqipëri, më thotë duke psherëtitur “Ju shpëtuat!”
Ne do jemi vërtet të shpëtuar kur edhe ju të shpëtoni nga ky regjim i frikshëm!

No comments:
Post a Comment