Wednesday, 22 April 2026

C’farë t’ju them unë nesër shokëve?


Ndodh jo rrallë, që rastis në njerëz, që kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë pasur mbresa shumë të mira nga bukuria e vendit, cilësia e ushqimit dhe mikrpitja e njerëzve. Më vjen mirë kur e dëgjoj edhe pse në kokë më rri mendimi, që po të shkojnë shumë herë ose të qëndrojnë më gjatë nuk do mbeten aq të entusiazmuar.

Por për të shmangur nihilizmin, shpesh mendoj se sa i paanshëm duhet të jem me të njohur të afërt, kur më pyesin për Shqipërinë dhe nëse ja vlen ta vizitojnë për një periudhë 2-3 javore. Sigurisht që praprakisht do ketë pyetje edhe për Korçën, qytetin ku kam lindur dhe jam rritur.

A duhet t’i paralajmëroj se brenda lokaleve pihet duhan edhe pse ligji e ndalon?

A është e udhës t’ju them se për ushqimet korçarët shpesh shkojnë t’i blejnë në Greqi, si më të mira dhe më të lira?

A duhet t’ju them se çmimet në lokale janë më të kripura se në Barcelonë?

A duhet t’ju përmend shkarrazi cilësinë e banjove publike?

Sigurisht që nuk dua të hap një emër jo të mirë për qytetin tim, por njëkohësisht dua të jem i sinqertë me veten, por edhe me miqtë që i vlerësoj dhe kanë konsideratë për opinionin tim. Gjithashtu nuk dua të ve veten në pozitat e një agjenti të pronave të palujtshme, që thekson vetëm anët pozitive të pronës nga shitja e të cilës do marrë përqindje.

Dyzimi është i vërtetë dhe jo lehtësisht i zgjidhshëm.

Se ka shumë gjëra me vlerë në qytetin tim. Një peisazh natyror i mrekullueshëm; një Pazar i restauruar jo keq; kodra të buta ku mund të shëtisësh me shumë kënaqësi; një qytezë si Voskopoja që nuk e has shumë shpesh në Ballkan; dy tre liqene në një distancë më pak se 40 kilometra; disa parqe natyrore; një Muze Ikonografik me shumë vlera të shkëlqyera brenda tij; zona të ashpra malore, të këndshme për të apasionuarit pas maleve; gatime tradicionale shumë të shëndetshme, kur janë të bëra me përbërës të vendit të pamodifikuar dhe pa pesticide. Ka dhe të tjera bukuri, të cilat nuk jam në gjendje t’i kujtoj tani.

Mund të shtoj edhe se ka njerëz të mrekullueshëm, bujarë dhe të mënçur, mendjehapur dhe të dlirë, të dashur dhe pa paragjykime, por këtë nuk mund t’ja u them se do gënjeja derrçe.

Bjerrja morale dhe mendore e korçarëve, është gjëja që më ka shqetësuar dhe më shqetëson aq shumë gjatë 20 viteve të fundit. Vërtet që kjo nuk ka të bëjë aspak me një vizitë një ose dyjavore të një miku kanadez, të cilit nuk i duhet të dijë as për shoferin e taksisë që mund të mashtrojë, as për shitësin që përdor disa lloje çmimesh dhe as për pronaren e lokalit, që pi vetë duhan ku nuk lejohet dhe ju le të kuptojnë klientëve “se po të duan mund të rrinë dhe po të duan mund të ikin!” Nuk dua as t’ju them se ndërsa janë duke diskutuar në një banak dyqani apo lokali me shitësin apo baristin, fare ngjitur mund t’ju vijë dikush që nuk ka asnjë përfillje për të tjerët, por mund të vijojë të bëjë pyetje që i interesojnë atij. Nuk dua as t’ju them që janë të pakët ata që respektojnë rradhën. Ose që mund të jenë në praninë e njerëzve të pasur por thellësisht të paedukuar, që në tryezën ngjitur flasin me zë të lartë ose bëjnë biseda video, që i dëgjon i gjithë lokali. Sepse janë të fortë, janë biznesmenë dhe janë të pagdhendur.

Sigurisht që mund të përmend, se mund të qëllojë edhe të takojnë personalitete me rëndësi të Qytetit, në ato ditë të pakta, por kjo do jetë krejt e rastësishme, sepse VIP-at i kalojnë ditët e pushimeve nëpër Europë. E megjithatë, nëse më pyesin se cilët emra mund të jenë mes atyre që duhet t’i kenë në blloqet e shënimeve të tyre për çdo eventualitet, pa hezituar mund t’ju rendit një dyzinë syresh prej Farmacistes së Ekzaltuar tek trashëgimtarët e Behar Koçibellit; prej ish-deputetit që pat propozuar një Urë midis maleve tek një Analist që dikur shiste imonikë; prej drejtorit të RTKorça deri tek një gramshiote që këshillon Kryetarin e Bashkisë për punët e Artit; prej një drejtuese të DORKAS që merret me politikë tek një politikan kokëtrashë që shkruan për artin; prej një arkitekti që gënjen edhe të vdekurit tek një biznesmen që pastron qytetin dhe bashkë me të dhe ndërgjegjet e njollosura; prej një mjeku që shkon fshat më fshat për ndonjë lek dhe deri tek një kompozitor që kënaqësinë më të madhe e ka kur i shtohen pulat.

Sepse mbi bukuritë natyrore dhe arkitekturore, mbi peisazhet e mrekullueshme dhe ushqimet që shkrihen në gojë, qyteti dhe fshatrat përreth janë këta që janë dhe do jenë ato që do jenë, për shkak të njerëzve që banojnë në to.

Ndaj edhe dyzimi im shtohet dhe bëhet gati i pazgjidhshëm.

Nesër kthehem në “strofkën” time dhe nuk di se ç’tju them shokëve.

No comments:

Post a Comment