Friday, 24 April 2026

Ato që kam në dorë t’i ndryshoj




Shpesh, në diskutimet me miqtë dhe të njohurit, preken edhe qëndrimet e mija që të kohës së fëmijërisë, por edhe më të mëvonshmet, si dhe “temar e nxehta” të cilat i trajtoj përgjithësisht “pa dorashka të trasha”. Ka që ma thonë hapur se jam një “mendjemadh i pandreqshëm”, ka që përmendin se gjithnjë e kam tepruar “duke u tallur me të tjerët”, ka që më me kujdes më kujtojnë se me x-in apo y-in mund të kisha qënë më i kujdesshëm, se nuk kisha pse prishesha për gjëra të vogla etj. Ka që kujtojnë se më bëjnë qejfin kur më thonë “disa teprime të lejohen se ke qënë gjithnjë me një intelekt mbi mesataren”. Ka dhe që nuk më thonë asgjë, por që i kuptoj se nuk miratojnë thuajse asnjë nga sjelljet dhe qëndrimet e mija.

Po e përsërit, që kjo botë prandaj është kaq e bukur, se njerëzit nuk mendojnë dhe nuk i qasen njëlloj ngjarjeve, personazheve, situatave.

Por besoj se më të shumtit që më njohin, kanë mendimin se kurrë nuk kam qënë “pragmatist” dhe kjo për ta nuk është ndonjë cilësi për tu lavdëruar. Dikur, një i njohur gjysëm me shaka, më tha kur Peleshi u bë zv.kryeministër “se nuk durove po e prishe me Nikon, kur tani mund të merrje edhe një rrogë në distancë, si këshilltar i tij për çështjet e arkitekturës dhe urbanistikës”. Kishte parasysh që edhe nga ana financiare nuk ishte se kisha qënë “i suksesshëm”.

Pa dashur t’i bije gjoksit se “jam idealist”, “se nuk korruptohem” e të tjera broçkulla si këto, dua të ve më poshtë, se cila ka qënë një lloj kredoje në jetë, të cilës jam munduar t’i përmbahem sipas kushteve në të cilat jam ndodhur vetë dhe familisht.

Unë nuk besoj se të qënit me intelekt mbi mesataren, të jep të drejtën të “bullizosh” të tjerët. Ndoshta nuk e kam kuptuar që në adoleshencën time, por në rininë e hershme po. Të mburresh “se ke mend” është po aq marroke sa ai që mburret “se është i bukur”, “se është i fortë“, “se është i shpejtë“ apo se “ka imunitet të lartë“. Të gjitha që përmenda më lart janë të dhëna që i kemi marrë në DNA nga një kombinim i magjishëm, ose si besojnë shumë nga Krijuesi. Ndaj unë jo vetëm e besoj, por edhe e kundërshtoj përdorimin e “zgjuarsisë“ për t’i vënë poshtë të tjerët.

Por ka diçka të rëndësishme që varet nga unë dhe po ashtu edhe tek çdo individ tjetër që ecën mbi këtë planet. Janë sjelljet dhe veprimet që bën në raportet me të tjerët. Janë këto vendime, ato që përbëjnë moralin dhe karakterin e një njeriu. As për to individi nuk ka pse mburret, se nëse është “mburravec” edhe kjo është një e metë jo e vogël morale.

Ndaj nëse unë nuk pranoj një ofertë nga Peleshi “të jem këshilltari i tij” (kjo nuk ka ndodhur dhe as i ka shkuar Nikos në mendje) do të thotë që unë refuzoj të ve veten në të njëjtin rrafsh moral me të. Po kështu kur i shmangem “kafepirjes” me një biznesmene të përfolur për korrupsion të madh apo kur nuk i flas më dikujt, që jo vetëm më ka zhgënjyer, por më ka punuar edhe ndonjë rreng të pamoralshëm. Nuk dua që këto të merren si “deklarata” të epërsisë sime intelektuale apo morale. Nuk jam aq budalla sa të mburrem në këtë mënyrë. Por refuzoj të bëj një kompromis të tillë. Sepse ky refuzim më bën të ndjehem mirë. Edhe pse mund të më dëmtojë ekonomikisht. Edhe pse mund të ketë njerëz që thonë “kështu e ka ai, prishet me njerëzit për hiçmosgjë.”
Unë kam bërë kompromise në jetë. Po të jetoja në Shqipëri ndoshta do bëja edhe më shumë. Sepse kisha dy fëmijë që duhet t’i rrisja dhe t’i studioja. Emigrimi më dha këtë mundësi që të mos kisha nevojë për kompromise. Por më dhemb dhe lëndohem shumë, kur më venë në një rrafsh moral me njerëz të caktuar, që mund të jenë kolegët e mij, që mund të jenë miqtë e mij të dikurshëm, që mund të kenë qënë bashkëstudentë me mua.

Po e përsëris që më dhemb shumë dhe mund edhe të ngashërehem.

Sepse për mua nuk ka asnjë rëndësi se sa mend kam. Ka pak rëndësi edhe se sa cilësi kanë ato që projektoj, që shkruaj dhe që përkthej.

Por është e rëndësishme që të gaboj sa më pak për çështje që lidhen me karakterin. Për çështje që lidhen me qëndrime që dëmtojnë ose ndihmojnë të tjerët. Sepse këto janë gjërat që varen nga vullneti im. Sepse këto janë ato cilësi të cilat janë munduar të ngjizin tek unë prindërit e mij. Sepse këto kanë dashur të përforcojnë tek unë mësuesit e mij më të mirë dhe që më kanë dashur shumë.

Ndaj do vazhdoj të jem ky që jam; ndaj do vazhdoj të shkruaj në të njëjtën mënyrë; ndaj do vazhdoj të kritikoj veset që shoh tek njerëzit edhe tek ata që janë përgjithësisht të mirë.

Këtë nuk e quaj mision. Unë nuk kam asnjë mision në këtë jetë as të ngarkuar nga ndonjë Forcë e mbinatyrshme dhe as nga vetja.

Unë dua të jem më i mirë se ç’jam dhe po kështu të mund të jenë të gjithë. Duke pastruar ato të meta që kemi. Pa u gjykuar nga kush. Pa u paragjykuar nga kush.

Por duke bërë më të mirën për veten, prë fëmijët dhe për bashkësitë e vogla dhe të mëdha njerëzore.

Ndaj ju lutem mos më gjykoni!

No comments:

Post a Comment