Thursday, 2 April 2026

Gjithshka njëlloj si 30 vjet më parë


E kam theksuar gjithnjë rëndësinë e vitit 1996 në rrjedhën e historisë së Shqipërisë, por edhe në atë personale. E mendoja edhe sot në mëngjes ndërsa ecja në Tiranën që njoh dhe që është ajo brenda Unazës së vjetër. Nuk i kam njohur kurrë pjesët jashtë Unazës, as në kohën e “studentllikut” dhe as më vonë.

Viti 1996 ishte shumë shumë i rëndësishëm për tranzicionin dhe demokracinë e brishtë shqiptare. Berisha ishte kthyer në Autokrat dhe po bëhej i bezdisshëm për pjesën më të madhe të shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, trajtimi i keq prej tij i Nanos, kishte bërë që ish Partia e Punës të mblidhej rreth udhëheqjes së saj, që në atë kohë përbëhej nga 5 emra. Filozofi dallkauk Servet Pëllumbi, enveristi fytyrëngrysur Gramoz Ruci, skraparliu ambicioz Ilir Meta, kastraveci ish mësues i shurdhmemecëve Luan Hajdaraga dhe punisti Namik Dokle. Nuk besoj se kam ngatërruar ndonjë nga katër nënkryetarët dhe sekretarin e PS-së ndërsa Nano ishte diku në Bënçë apo Memaliaj.

Por me gjithë shenjta e autokratizmit të Berishës dhe deformimeve që po i sillte demokracisë shqiptare, Bashkimi Europian ishte i gatshëm ta toleronte Viçidolsin ish-komunist, sepse mendonte që PS-ja kishte një trashëgimi tepër komuniste. Ndaj dhe para zgjedhjeve të majit 1996, politika europiane shprehej hapur pro Berishës. Të njëjtën gjë bëri edhe shkrimtari jonë i shquar nga Gjirokastra, Ismail Kadare, në një artikull të tij. Ai i sugjeronte të Majtës shqiptare që të rrinte edhe 4 vjet në opozitë. Të njëjtin mendim kisha edhe vetë, ndonëse tepër i zhgënjyer nga Berisha dhe goditjet e “grupeve antiparti” brenda PD-së. Por e gjykoja se do ishte më keq nëse në pushtet do vinin Ruçët, Hajdaragat dhe Nanot. Në zgjedhjet e majit ndodhën ato që ndoshën dhe më pas filloi katastrofa e Shqipërisë e provokuar nga “liderët” socialistë dhe e ndjekur me dhunë dhe paturpësi nga krahu më i ashpër Berishist. Europa nxitoi t’i njihte zgjedhjet, ndërsa amerikanët nuk u nxituan dhe lanë të kuptohej që nuk ishin të kënaqur që parimet demokratike ishin shkelur.

Por le të vimë 30 vjet më vonë, kur në Unazën brenda Tiranës, shumë ka ndryshuar për mirë, por më shumë për keq. Nga ana e urbanistikës dhe arkitekturës ka përmirësime dhe përkeqësime, kurse nga ana politike dhe shoqërore gjërat janë po njëlloj dhe disi më keq. Kënetë!

Në vitin 1996 njerëzit ishin më të varfër, por kishin shpresë se demokracia dhe liria e tregut do sillnin përmirësime. Ishin të pakënaqur me Berishën dhe donin ta largonin nga pushteti, sepse e meritonte të largohej. Nga një ish-komunist i kthyer në antikomunist, Berisha ishte bërë një autokrat pa ndonjë ideologji. Qëllimi i tij i vetëm ishte të ruante dhe forconte pushtetin e tij personal. Nuk ishte korruptuar ende ekonomikisht, por kishte lejuar korrupsionin për të ndihmuar krahun e tij politik dhe për të kontrolluar vartësit e tij “kukulla”. Ishin thuajse të gjithë të tillë. Kukulla sepse ishin të korruptuar. Bënte përjashtim ndoshta Dash Shehi dhe ndonjë tjetër, që kishin ende personalitet. Të tjerët ishin “zarba”, duke nisur me kryeministrin Meksi dhe duke përfunduar tek Blerim Cela. Pa dyshim që më të rrezikshmit syresh ishin tropojanët Hajdari dhe Haxhia, njëri prej të cilëve përfundoi si Hero i Demokracisë në bronx, ndërsa tjetri 25 vjet në burg, për pjesëmarrje në vrasjen e Heroit. Bandat besnike të Berishës, së bashku me policinë e tij i shtruan në dru mjaft opozitarë, midis tyre edhe Kryeministrin e sotëm Rama, që atë vit nuk kishte hyrë në ndonjë parti, por shkruante kundër Berishës.

Ngjashmëria me vitin 2026 është e madhe. Kemi të njëjtin Udhëheqës Autokrat, që tani quhet Rama dhe që ka një qeveri me kukulla, të cilët i mban në zap se janë të korruptuar dhe pa pikën e personalitetit. Opozitën nuk e rrah me bandat e tij, por e ka vënë poshtë nëpërmjet mekanizmave ligjore që ka nën kontroll. E kanë mbrojtur deri tani më shumë europianët, por duket se edhe pse nuk e mbështesin plotësisht, nuk po e demaskojnë hapur për të mbështetur një turmë opozitare, që ta rrëzojë.

Dhe këtu fillon dhe përfundon e keqja jonë!

Ne nuk jemi në gjendje të marrim në dorë fatet e vendit tonë!

Pas 40 vitesh nën një Diktator, kaluam në një Diktator të zbythur dhe pas atij nën një mjek demagog Autokrat dhe tani nën një piktor demagog Autokrat. Jemi të paaftë për të ndërtuar një sistem politik të lirë!

Pavarësisht se kush është Marta Kos dhe kusuret që ka në marëdhëniet me shtetin shqiptar, ajo tha një të vërtetë të madhe, që shoqëria shqiptare e toleron dhe pranon korrupsionin.

Mund të thoshte edhe më shumë, pikërisht këto që po shtoj më poshtë:

Shoqëria jonë nuk është gati për të ngritur një sistem ekonomiko-social demokratik.

(vijon)

No comments:

Post a Comment