Nuk e pata vënë re kur hyri në kafen, ku rrija gjatë ditëve të këtij prilli në Korçë. Por e dallova menjëherë kur ishte ulur përballë një vajze të re. Kishte ndryshuar shumë pak, që kur e kisha parë herën e fundit. 18 vjet më parë. Të njëjtat flokë të shkurtra. I njëjti vështrim i butë dhe serioz. U ngrita dhe shkova ta takoja. Më pa dhe u ngrit të më takonte. U përqafuam. Më erdhi mirë që më njohu menjëherë. Nxënësit i njohin mësuesit, por këta të fundit kanë pasur shumë e shumë nxënës dhe është e pamundur t’i njohin të gjithë. Sidomos ata, të cilët nuk i kanë parë në vite.
Më tha disa fjalë të mira që më mallëngjyen. Më tha edhe që i kishte lexuar librat e mij. Pa shtuar asnjë epitet lavdërues për to. E kuptoja tek vështrimi i saj që i kishte pëlqyer. Kisha gjetur mënyrën për t’ja dërguar edhe pse nuk e dija ku rrinte. Kisha ndjerë shumë dashuri për gjuhën dhe letërsinë prej saj. Në vitet e hershme të shkollës 8 vjeçare. Atëhere quhej Irena Mikerezi dhe më pëlqen ta thërres edhe sot me atë mbiemër, sepse mbiemri Prifti që ka marrë pas martesës është shumë i përgjithshëm.
Ajo erdhi të na jepte Gjuhë dhe Lexim në vitin 1971. Ishim në klasën e 6-të. Besoj se sa kishte mbaruar Universitetin, se ishte shumë e re dhe e bukur. Me të kishim më shumë orë mësimi, pas orëve të shumta që kishim me mësuesin tonë të jashtëzakonshëm Zhani Pilika.
Edhe pse pa përvojë mësimdhënieje, Irena i zotëronte lëndët që na jepte dhe e kontrollonte klasën pa ngritur zërin, pa i bërtitur kujt, por me seriozitet dhe butësi. Këto janë dy cilësitë më kryesore të saj që kujtoj në ato tre vite të shkollës së Muzikës. Edhe pse ishim një klasë me “ngatërrestarë“, ishin të rralla rastet kur e shqetësonim shumë mësuesen tonë të re. Në ato raste skuqej shumë, por nuk e humbiste kontrollin. Ndoshta ai i kuq që i binte, që e bënte të dukej edhe më e bukur, ishte më tepër një qortim ndaj vetes, se pse po i dilte mësimi nga kontrolli. Ne të gjithë e deshim, se dhe na donte në mënyrën e saj serioze dhe të butë.
Sigurisht që lëndët e Gjuhës Shqipe dhe të Leximit, ishin themelore për 12-14 vjeçarët. Në ato vite formohej edhe përdorimi i saktë i gjuhës amtare dhe dëshira për letërsinë shqipe dhe të huaj. Madje, në kohën tonë, Gjuha Shqipe nuk bëhej më pas 8 vjeçares. Gjithshka që di sot mirë unë dhe bashkënxënësit e mij e kemi prej mësuese Irenas. Ndaj dhe nuk kam harruar t’ja dërgoj librat e mija, si shënjën më të thjeshtë të mirënjohjes. Si dëshirë për ta bërë të ndjehet krenare për punën e saj.
Tek lënda e Leximit, ka lindur edhe dëshira ime për të shkruar. Nuk them se mësuesja ime më ka nxitur veçanërisht për të. Por notat dhe vlerësimet e saj për hartimet e mija sigurisht që kanë ndihmuar shumë. Madje ka pasur diçka tepër të veçantë, që është përcjellë më vonë në prirjen time për të shkruar poezi. Irena Mikerezi në mënyrë të përmbajtur më nxiste të recitoja. Mua më pëlqente ta bëja edhe pse e ndjeja që nuk isha bindës për dëgjuesit, për shkak të r-së difektoze në të folur. Por ajo më caktonte të merrja pjesë në konkurset e e recituesve që zhvilloheshin mes shkollave në Shtëpinë e Pionierit. Dhe shkoja me shumë dëshirë. Edhe për tu dukur faqe të tjerëve, por edhe pse më pëlqente poezia. Edhe pse doja t’i pëlqenin recitimet e mija mësueses time të mirë. Dhe ajo më përgëzonte me fjalë të kursyera dhe me vështrim të pastër dhe mbështetës. Pa e tepruar me epitete.
Më linte të zgjidhja poezitë apo poemat që do recitoja se e dinte që lexoja më shumë se sa përmbante lënda e Leximit. Dhe pata zgjedhur “Epopenë“ e Musarajt, më vonë “Endërr Industriale” të Kadaresë dhe ndoshta në vitin e fundit “Partizani Meke” të Dritëroit. Prej nxitjes së saj, një vit “përfundova” edhe pjesëmarrës në një Konkurs Kombëtar të recitimit në RTV. Por pa fluturuar. Mësuesja ime e mirë dinte të më mbante me “këmbë në tokë“ edhe pse është në natyrën e një pragadoleshenti të marrë “superxhiro”. Shumë recitime të asaj kohe bënë që në mendje të më mbeteshin ritme të harmonishme, por edhe të thyer, që më vonë u rreka të përcjell në poezitë e mija. Ka shumë ndryshim midis leximit të një poezie kur je në shtrat dhe recitimit të saj me zë të lartë. Vetëm atëhere e ndjen plotësisht poezinë. Ndjen muzikalitetin e saj. Ndjen se cilat fjalë dhe rrokje duhen theksuar më shumë për të përcjellë emocionet e duhura. Dhe me këto u ngjiza në ato tre vite, kur më mësonte Irena Mikerezi. Letërsia që bëra në shkollën e mesme nuk më dha thuajse asgjë në këtë drejtim.
Duhet të përmend, që biblioteka e pasur e shtëpisë dhe im atë kanë ndikuar shumë në prirjen time për të lexuar shumë dhe pareshtur. Por hapat metodike për përdorimin e gjuhës sonë të bukur dhe dashurisë për letërsinë e vërtetë i kam marrë nga mësuesja ime serioze, e pabujshme, por e vërtetë, Irena Mikerezi Prifti.
Dhe po aq të vërteta sa puna e saj janë këto që kam shkruar. Nuk ka në to asnjë ekzagjerim. Nuk ka asnjë fryrje të shkaktuar nga emocionet, që sjellin kujtimet e fëmijërisë.
Unë di të shkruaj (mirë ose çka) në sajë të punës serioze gjatë viteve 1971-1974 të mësueses së Gjuhës dhe Leximit, të mirës Irena Mikerezi Prifti.
No comments:
Post a Comment