Mbi këtë mermer të bardhë ëndrrash të vdekura,
Që ndonjë qeparis i blertë e ndërpret
Ditët e mija shterren.
Ditët e mbetura,
Që qiejve prenotova
Përgjunjur i ulur
Në këmbët e të kohëve Mbret.
“Mund të kisha kërkuar më shumë!”
Veten qortoj i pezmatuar,
Dielli i Mesdheut më përkëdhel
Më bën të ndjehem i vogël
Megjithatë i mbrojtur,
Tmerrësisht i marrë,
Me jetën i dashuruar.
I çelët dhe i çartur brigjeve bredh,
Me kyçet e skuqura nga të hershmet hekura.
I lirë,
I lumtur,
I drojtur vështrimin hedh
Qeparisit të blertë
Mes mermerit të bardhë të ëndërrave të vdekura.
No comments:
Post a Comment