Në biseda me të njohur rreth qeverisjes në Shqipëri, që më shumë duhet quajtur “çështja Rama” më dukej se pakkush në Atdhe kishte një ide të qartë se a ishte mundur ndryshimi i regjimit dhe nëse kjo gjë me rëndësi për fatet e çdo familjeje shqiptare do zgjidhej në një të ardhme të afërt apo të largët.
Ndoshta një pjesë e njerëzve i janë dorëzuar idesë- le të ndryshojë kur ka për tu ndryshuar.
Eshtë e lehtë të shkruash kundër dorëzimit kur nuk jeton në Atdhe, sepse “paralizimi politik” i një shoqërie ka arsye nga më të ndryshmet, të cilave dikush që është brenda saj nuk i kundërshton dot ose e ka të pamundur. E megjithatë unë po shkruaj duke përfituar edhe nga ky fakt që është e lehtë të shkruash kundër “dorëzimit të të tjerëve”.
Edhe pa patur të dhëna të sakta statiskore, mendoj se të paktën 50% e popullsisë është e pakënaqur nga kjo lloj qeverisjeje autokratike. Duke përjashtuar disa shoqëri aziatike dhe ndoshta shumë afrikane, nuk ka vende ku njerëzit kërkojnë të qeverisen nga Autokratë, që jo vetëm vjedhin, po mbyllin çdo hapësirë lirie të biznesit, të shprehjes, si dhe të pjesëmarrjes në jetën demokratike të Bashkësisë.
Ky është thelbi i regjimit Rama.
Në Shqipëri nuk e shpiku dhe as e krijoi Rama, por ai përfitoi nga një sistem i shtrembëruar dhe e rriti në maksimum, në qeverisjen e keqe të një njeriu të vetëm.
Shihni ç’palaçollëqe ndodhin me aeroportin e Vlorës; shihni ç’ndodh me Spiropalin, që nuk është as zë kundër, por mendoi se Ballukja e bëri baltë dhe e tha tek dy tre diplomatë të huaj; shihni ç’bën me politikën e jashtme që bën të çakarritin sytë në gjithë kancelaritë europiane; shihni se sa me lehtësi shkarkon apo emëron ministra, që nuk mund të krahasohet as me Diktaturën e Hoxhës.
Sigurisht të gjitha këto janë dëshmi se ai është i bindur që shoqëria shqiptare është dorëzuar. Nuk i ka bërë këto në këtë masë as në vitin 2013, as më 2017 dhe as më 2021. I bën në këto 3-4 vitet e fundit kur është bindur se e ka “paralizuar” komplet shoqërinë shqiptare. E ka kthyer në një shoqëri Zombi.
Por zombit e shoqërisë Zombi vërtet janë të paralizuar si qënie sociale dhe qytetare, por janë në gjendje të mendojnë, si dhe të presin me dinakëri kafeneve, se dikush nga jashtë, do ja u shërojë sëmundjen që i ka zënë (që për ta është Rama).
Problemi kryesor është që regjimet nuk rrëzohen nga jashtë!
Ka raste që regjime të caktuara të vendeve të vogla, si është vendi jonë, rrëzohen (jo përmbysen) edhe nga jashtë, por kjo ndodh zakonisht kur Udhëheqësit e tyre janë në përplasje të fortë me një Fuqi të madhe dhe kryesisht me Amerikën. Por ky nuk është rasti i Shqipërisë që prej vitit 1990 dhe këtej. Të gjitha qeveritë kanë qënë në një linjë me interesat e Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë bërë shumë për çështjen shqiptare, sepse ishte në përputhje me interesat e tyre. Kjo vlen edhe për Bashkimin Europian, por ky i fundit as nuk ka bërë ndonjëherë ndryshim regjimesh.
Ndaj shpresa se mund të rrëzohet nga Shtëpia e Bardhë apo nga Brukseli është një shpresë idiote.
Rama të gjitha këto i di mirë, edhe pse ndjen presion në këto 6 muajt e fundit. Po nervozizmi i tij nuk është i dikujt që po i rrezikohet qëndrimi në krye të vendit. Eshtë nervozizmi i dikujt që një vit më parë ishte plotësisht i qetë se do kishte 4 vjet të lehta të “administrimit absolut” të jetës dhe parave shqiptare, që tani kupton se nuk do jetë aspak i thjeshtë.
Por cilat janë arsyet që më shtyjnë të besoj se nervozizmi i tij nuk e ka bazën në frika se i erdhi fundi?
Të gjitha gjërat që rrjeshtova më sipër, Rama i di më mirë se unë, madje di edhe dhjetra të tjera që janë gjysëm publike ose të fshehta, si marëdhëniet me Melonin e të tjerë europianë, dyert që i hap marëdhënia me Toni Bler, marëveshje me vlera të mëdha financiare që ka bërë ose ju ka premtuar atyre që kanë rëndësi në Uashington dhe në Bruksel etj. Por nuk është njëlloj si të jesh në krye të një vendi të shtypur dhe të bësh ç’të të dojë qejfi dhe njëkohësisht të të thurrin lavde të huajt, dhe në vend të lavdeve të kesh paralajmërime për shtyrje negociatash dhe afatesh afrimi në BE. Jo se i bëhet vonë që Shqipëria të hyjë në BE! As i bie ndërmend dhe as e do. Por karta e Integrimit Europian është një kartë që i nevojitet ta luajë edhe për zombiet e dhe për të huajt. Sa më shumë të zgjatë ky proces, aq më i lumtur është Rama, që ka një synim të vetëm:
Të vdesë pa u larguar nga posti i Liderit Suprem.
(vijon)
No comments:
Post a Comment