Tuesday, 7 April 2026

Misërnikja


Sot mora një çyrek të vogël misërnikeje në një shitore pranë shkollës, ku “bëra shamatë“ për 12 vjet me rradhë. Misërniken e bleva se nuk kishte shumë mundësi për të blerë “kreshmore” dhe njëkohësisht kujtova partizanët. Ata hanin misërnike me qepë dhe kjo ju krijonte një forcë shpirtërore të habitshme, sepse mundën jo vetëm 8 milion bajonetat e Duçes, por dhe ushtrinë hitleriane.

Mrekullia e misrit, duhet të ketë nisur diku pas periudhës së lavdishme të Skënderbeut, sepse edhe pse aristët tanë të mrekullueshëm, donin të lidhnin misërniken me Heroin Kombëtar, në një tablo të madhe “Bukë misri me fshatarët”, shkrimtari jonë Dritëto Agolli, që dinte se Kolombi ishte më vonë se Skënderbeu, ja u hodhi poshtë. Dhe pa Kristoforin nuk kishte misër dhe kështu u siguruam që Kenoja i Krujës ka ngrënë gjithnjë bukë të bardhë, madje pa krunde. (Ndoshta një nga arsyet që na la pa i mbushur të 70-tat).

Arsyeja tjetër që zgjodha misërniken, ishte se “Te Kosovari” Resim, një ditë më parë nuk kisha identifikuar dot se nga vinte mielli i grurit. Kosovari Resim nuk përcaktonte dot prerazi nëse mielli i Tiranës, prej të cilit dilnin prodhimet e tij, kishte apo jo origjinë sërbe. Gjithashtu nuk ishte në gjendje prerazi t’i përgjigjej qëndrimit tim patriotik, duke më thënë se gruri mund të vijë edhe nga “p... i s’ëmës” dhe mjafton të mos jetë i helmët.

Por misërnikja, që duhet të them të drejtën, mu duk më e mirë se ndonjë që shërbehet në Amerikën e Veriut në ndonjë restorant tipik amerikan ose kanadez, nuk më dha forcë për të vazhduar ditën i vendosur në patriotizmin tim luftarak. Mbase duhet ta kisha shoqëruar me qepë, si kishin bërë dikur partizanët, por në atë orë të mëngjesit, edhe perimoret nuk ishin të hapura.

Qyteti im i lindjes zgjohet pas orës 7. Dhe për të ka një arsye të fortë. Eshtë i lodhur nga dita e punës dhe i duhet kohë të rigjenerohet. Për më tepër shkollat fillojnë mësimin pas orës 8.30 dhe makinat luksoze nuk ka pse të parakalojnë rrugëve të tij që më 7 t[ “sabahut”.

Në pedonalen e “kokave të prera” është shtuar edhe një tjetër në bronx. Ajo e Jorgos Seferis, që është vërtet brenda oborrit të konsullatës greke, por mund të vendoset edhe jashtë saj. I bën nder Korçës. Eshtë i vetmi nobelist me një lidhje me qytetin tim. Poeti grek ka qënë konsull i Greqisë në Korçë. Dhe mbi të gjitha njeriu më i mençur dhe më njerëzor nga të gjithë ata që janë derdhur në bronx në Këmbësoren e qytetit tim.

Si gjithë paradokset e vendit dhe qytetit tim, 10 metra më larg se Seferis është një çezmë guri, që mban emrin e Behar Koçibellit edhe ky i ndjerë. Këmbësorja e qytetit tim është e tillë. Me objekte, buste dhe ngjarje nga më të çuditshmet dhe më kontradiktoret. Fillon me një Katedrale, që nuk ka lidhje me arkitekturën e qytetit dhe përfundon me një Kullë Vrojtuese, shembull shumë i keq i arkitekturës brutaliste. Në ato 250 metra ka shumë histori dhe ngjarje, nga Mësonjtorja e Parë Shqipe dhe deri në mitingjet e fëlliqura të Berishës dhe Ramës. Nga meshimi i parë shqip nga një poet shqiptar me mbiemër grek, Theofan Mavromatis dhe deri në shëtitjet e poetit mes poetëve, Jorgos Seferis. (Me siguri do ketë qënë shqiptar me emrin Gjergji Seferi, por kjo vlen për tu hulumtuar në shkrime të tjera.) Nga demonstratat ku janë vrarë njerëz të pafajshëm dhe deri në festimet e Karnavaleve të çuditshme të Qershorit.

Në një karrige plastike të kësaj Këmbësoreje, rri edhe unë, që kam kaluar mbi 35 vjet në të. Duke mendura për një pjesë të kontradiktave të saj, deri sa të hapet kafeneja që quhet “Mon Cheri”. Dhe duke qarë mbi një copë misërnikeje sepse nuk di nëse qyteti im është i njerëzve si Zai Fundo, njerëzve si Jorgos Seferis, apo i atyre që i ngjasin Behar Koçibellit. 

No comments:

Post a Comment