Saturday, 25 April 2026

Pse nuk përmendet kërkund Stavri Botka?


Ai ishte një burrë i gjatë dhe i drejtë, i veshur mirë dhe me tipare të mira, që dukej sikur sa kishte dalë nga një film Hollivudi, ku kishte luajtur në krah të Klark Geibll dhe Geri Kuper. Mbante mustaqe, që i shkonin shumë. Nuk di nëse ka ndonjë foto i rritur pa mustaqe.

Kishte mbaruar Normalen e Elbasanit dhe unë e kujtoj kur ishte mësues në Shkollën Pedagogjike të Korçës. I jati ishte mësuesi i mirënjohur në qytet Jovan Botka. Diku kam përmendur, që stërgjyshja ime, edhe pse shumë më e madhe në moshë, kur kalonte Vani Botka, ngrihej nga sofati në shënjë respekti. Të tillë emër kishte Jovan Botka dhe po të njëjtën nderim gëzoi gjatë jetës edhe i biri, mësuesi Stavri Botka.

Ishin familje korçare nga ato që vlerësonin arsimimin dhe dijen, më shumë se çdo gjë tjetër. Edhe nderin. Ndaj dhe ishin të nderuar. Unë kam pasur rastin ta shoh disa herë nga afër Stavrin, sepse kisha në klasë vajzën e tij, Doran. Edhe emrin e saj e kishin zgjedhur në nderim të patriotes shqiptare Dora D’Istria.

Ndodh jo rrallë, që korçarët me cilësi fisnike, ata që kanë qënë ajka e qytetit, janë lënë në heshtje, Nuk di se ç’dekorata dhe çafrë çmime i janë akorduar Stavrit. Ka të ngjarë jo shumë. Në periudhëne komunizmit nuk besoj të shihej me shumë admirim nga “aparatçikët”, sepse si karakter dhe mënçuri ishte i kundërti i asaj që feudo-komunistët kërkonin nga mësuesit. Por ai ishte i nderuar nga kolegët, nga nxënësit dhe nga i gjithë qyteti.

Ka diçka me shumë rëndësi, që lidhet me Stavri Botkën dhe del edhe jashtë profesionit të tij si mësues i gjuhës shqipe. Stavri ishte një violinist shumë i mirë, pjesëmarrës i përhershëm i formacioneve instrumentale në kohën e tij dhe një nga nismëtarët e hapjes së Degës së Muzikës në Shkollën Mësonjtorja e Parë Shqipe. Ka njerëz, që bëjnë sikur e harrojnë këtë, për arsye jo shumë të qarta për mua. A ndoshta për të treguar se Historia ze fill vetëm me emra të caktuar.

Tregimet e fryra për krijimin e Shkollës së Muzikës i përsërisin si papagaj edhe funksionarë të administratës së sotme vendore. Sigurisht që nuk dinë, por nuk kanë as vullnetin dhe dëshirën për të mësuar se si ka ndodhur. Shkolla e Muzikës nuk lindi nga Hiçi dhe as me ardhjen e një ose dy mësuesve të rinj “shpëtimtarë“. As me nismën Baki Kongolit, sikundër përshkruhet në ndonjë libër me çerek të vërteta. Eshtë fakt i njohur, që në Korçë dhe në Shkodër ka pasur gjithnjë etje për të përgatitur instrumentisë, që do plotësonin formacionet instrumentale, shfaqet e të cilëve ndiqeshin me shumë endje në këto dy qytete artdashëse. Dhe bëhet fjalë që në kohën e krijimit të shtetit shqiptar. Nuk është vendi për tu zgjatur me fillesat e formacioneve orkestrale në Kor]ë.

Liceu Artistik “Jordan Misja”, i krijuar menjëherë pas Luftës së dytë. mund të përgatiste vetëm një numur të caktuar instrumentistësh, që bëheshin edhe mësuesit e ardhshëm të muzikës në qytetet e Shqipërisë. Për më tepër, prej tij më të mirët shkonin dhe studionin në Univeristetet e Lindjes prej nga ktheheshin kompozitorë, dirigjentë dhe instrumentistë.

Kishte një garë midis dy qyteteve të sipërpërmendura dhe Tiranës. Edhe Shkodra edhe Korça kërkonin një lloj pariteti me kryeqytetin në lëmin e kulturës në përgjithësi dhe në veçanti të muzikës. Nuk ishte e rastit , që opereta e parë shqiptare “Agimi” u vu në skenë nga Shtëpia e Kulturës në Shkodër dhe opereta e dytë “Së bashku jeta është këngë“, nga formacionet muzikore të Shtëpisë së Kulturës në Korçë. Edhe dy kompozitorët më të mirë shqiptarë të viteve ‘50, Kristo Kono dhe Preng Jakova jetonin dhe punonin në Korçë dhe në Shkodër. Stavri Botka ishte mes violinistëve kryesorë të orkestrës së Shtëpisë së Kulturës Korçë. Ndaj ishte edhe në nismëtarët për ngritjen e klasave të muzikës në njërën shkollë 7 vjeçare të qytetit dhe ishte edhe vetë mësuesi i violinës.

Por ndikim sigurisht që ka pasur edhe sistemi shkollor sovjetik, i cili kopjohej nga Ministria e Kulturës. Në qyetet kryesore të Bashkimit Sovjetik dhe në vendet e tjera të Lindjes, kishte shkolla shumë të mira arti, ku përgatiteshin artistët e së ardhmes, që sa fillonin programet shkollore.

Eshtë jo vetëm e pavërtetë, por edhe e dëmshme për të rinjtë, të falsifikosh historinë e krijimit të një shkolle, që me të mirat dhe të metat e saj, ka kontribuar shumë në përgatitjen e artistëve në ciklet e ulëta, prej ku një pjesë e tyre, kanë mbaruar edhe Akademitë e Arteve dhe kanë qënë ndër artistët më të mirë që ka pasur vendi.

Po të ishte gjallë sot, Stavri Botka do nënqeshte me tregimet e sajuara të historisë së krijimit të Shkollës së Muzikës. Pikërisht se njerëzit e mençur dhe me kontribut janë të tillë, modestë dhe të heshtur, gjejnë “shesh” për të shpalosur “veprimet e jashtëzakonshme” ata që kanë dëshirë të mburren.

Ndoshta djali i Vani Botkës, do shkonte dorën mustaqeve dhe me zërin e tij prej baritoni do theshte vetëm: “Sikur nuk ka qënë kështu o bir!” dhe do shkonte të kujdesej për lulet e tij, të cilat nuk gënjejnë.

Ish prefekti Nertil Jole, dikur nxënës i shkollës, shkruan për një të ardhme të ndritur të mundshme të shkollës, për tu rikthyer në kohët e para, për të cilat bën copy-paste nga libra jo shumë të besueshëm.

Sigurisht që emri i Stavri Botkës nuk ka se si të jetë atje, edhe pse janë renditur rreth 30 mësues të shkollës. Edhe pse shtëpia ku është rritur Nertili nuk është më larg se 80 metra nga shtëpia e Vani Botkës.

Nuk di se kush jeton në atë shtëpi ku ka jetuar Jovan Botka dhe më pas i biri, Stavri Botka. Edhe pianisti Zhani Botka, që ka mbaruar shumë vite më parë Konservatorin për pianoforte ka jetuar atje.

Por edhe në avllinë e asaj shtëpie ka më shumë dije dhe nder, se sa në shumë shtëpi të tjera, ku priten e përcillen politikanë nga ata më të korruptuarit.

Botkat ishin korçarë nga ata më të mirët!


Shenim: Ne foto Stavri Botka ne qender, ne nje koncert ne Korce, viti 1952

No comments:

Post a Comment