Fredi Bejleri, një minoritar me dy nënshtetësi, papritur është vënë në qendër të vëmendjes jo vetëm në mediat shqiptare dhe greke, por edhe në shumë zyra të Bashkimit Europian. Kandidati i Opozitës është arrestuar mbrëmë për shitblerje votash dhe kjo ka koinçiduar me një sulm të ashpër, që i bëri Rama në emisionin “Opinion” duke ju drejtuar personalisht se do merrej me të pas zgjedhjeve.
Unë e besoj që Bejleri ble vota, sikundër kanë bërë edhe
shumë kandidatë në zgjedhjet e kaluara në Shqipëri. Ndjej edhe një lloj neverie
për të, se përdor gjuhë anakronike përçarjesh mes etnive, gjë që e ve në pozita
të favorshme me ekstremistët në të dy anët e kufirit. Por kaq vlen për
Bejlerin. Rama e sulmon se ai nuk është kandidati i tij dhe jo sepse Rama është
një atdhetar i kulluar. Në Himarë ka shumë e shumë përplasje intersash për
prona të zaptuara dhe të tjera të moskthyera tek pronarët, ndaj dhe Rama , apo kundërshtarët
e tij aktivizojnë Bejlerin dhe antiBejlerët. Nëse PBDNJ do ishte në krahun e
Ramës, këtij të fundit nuk do i bëhej vonë për Fredin, madje do e quante një
biznesmen të suksesshëm. Po njëlloj si bënë sivjet Berisha me Metën, të cilët
para shumë vitesh edhe mund ta kishin futur në burg Bejlerin.
Pra le të kthehemi në pika kryesore, se a mund të jesh njëkohësisht
edhe hajdut edhe atdhetar. Eshtë e pamundur. Hajnat nuk kanë atdhe, por njohin
vetëm përfitim e lehtë përmes grabitjes. Janë ndërkombëtarë njëlloj si piratët.
Kriminelët mund të jenë atdhetarë, por hajdutët jo! Janë dy kategori njerëzore,
të cilat nuk përputhen.
Në emisionin e Fevziut, Rama shpërtheu në një tiradë
fyerjesh për Bejlerin, që tregonte se i trembej një fitoreje të mundshme të
tij. Në të kundërt mund ta injoronte dhe të përmendte vetëm veprimtarinë antishqiptare,
e cila ve në rrezik marëdhëniet me fqinjët. Jo. Rama shpërtheu me urrejtje ndaj
tij, duke dashur me një gur të vriste dy zogj; të inkurajonte votuesit
antiBejler të Himarës dhe të tregohej patriot i flakët para shqiptarëve.
Por ata që e plaçkisin Shqipërinë nuk mund të jenë patriotë,
sado të rrahin gjoksin! E them këtë edhe për Berishën edhe Metën, që vazhdojnë
të lëshojnë lot krokodili për Shqipërinë. Ata kanë zgjedhur politikën për të
pasuruar familjen dhe klanet e tyre dhe kanë zgjedhur të qëndrojnë në Shqipëri
, sepse atje e kanë më të lehtë që të vjedhin.
Nga veprimi prej lakejsh të verbër i Cuçit me shokë, Bejleri
ka për tu zgjedhur kryetar bashkie. Madje si hajdut votash (dhe jo vetëm
votash) ka për ta gjetur pas pak kohësh gjuhën e kompromisit me Ramën.
Kështu ka ndodhur vazhdimisht në rrethet e hajdutëve!
No comments:
Post a Comment