Për të kuptuar se sa e “thatë“ ishte jeta jonë nëvitet ’70 dhe ’80 mjaft të kujtojmë një shqetësim të përgjithshëm të korçarëve se “si do na mbajë koha për 1 majin?”. Ishte një çështje shumë e rëndësishme se ishte e vetmja ditë e vitit, që qyteti festonte kolektivisht, në të njëjtën mënyrë që kishte festuar për dhjetvjeçarë panairet e festave fetare. Deri sa u ndalua feja, 1 maji – Dita e solidaritetit ndërkombëtar të punonjësve, festohej duke bërë një paradë të kolektivave punonjëse para tribunës që vendosej afër vendit që ka zënë sot Kulla Vrojtuese. Mbi ndërtesën dykatëshe të Gastronomit vendoseshin portretet e mëdha të anëtarëve të Byrosë Politike, të cilave çdo vit ju hiqej edhe nga një rifreskim me bojë për shkak të ndenjes së gjatë të ekspozuar ndaj diellit të perëndimit.
Pas mbylljes së institucioneve fetare, dikujt i shkoi ndërmend
që 1 maji të festohej si një piknik i madh në kodrën mbi qytet (atë që të gjithë
e quanin “nga Kenedi” dhe që me kalimin e viteve ishte transformuar në”nga
Kenia”) dhe të gjithë qytetarët dhe të ardhurit nga fshatrat përreth ta
festonin duke ngrënë e pirë dhe duke dëgjuar këngë nga grupet artistike.
Sigurisht që do mbahej edhe ndonjë fjalim patetik ku thuhej se si e prisnin me
lot punëtorët 1 majin në vendet kapitaliste dhe si gëzonim ne. Po fjalimit nuk
ja vinte veshin njeri se njerëzit ishin të përqëndruar në të ngrënat dhe në
muhabetet që bënin me familjet dhe miqtë e tyre. Ishte bukur, por ishte e
vetmja festë në vit.
Një vit, krejt papritur kishte nisur një rrebesh i madh, që
vazhdoi për disa orë dhe jo vetëm që i lagu të gjithë në palcë, por edhe “shkatërroi”
festën e vetme të vitit. Me muaj të tërë tregoheshin skenat komike të rrëshqijes
së njerëzve në baltën argjilore të rrugës së kodrave, ngecjet e këpucëve me
taka të grave në baltë dhe të sarahoshëve që vazhdonin të pinin në shi. (Këpucët
komode për piknik ose atletet nuk përdoreshin për “sebepe” dhe gratë as që
kishin të tilla.) Duhet të prisnim një vit të tërë për të dëfryer me orë të tëra
në gjirin e natyrës dhe gjithnjë do kishim dyshimin se mos natyra na ndëshkonte
sërish.
Sërish në subkoshiencë më ka mbetur shqetësimi për kohën në 1 maj edhe pse nuk e festoj më. Janë dëshirat për të lodruar dhe festuar të fëmijërisë, që mund të mbeteshin të parealizuara vetëm për një trill të kohës. Se dhe në sistemet totalitare ajo e shkretë nuk kontrollohet dot!
No comments:
Post a Comment