“Turpi u bë nder!”, ishte një shprehje, që mëma ime e përdorte shpesh. Duket dhe ajo e kishte dëgjuar shpesh nga të parët e saj dhe ndoshta edhe ata prej parardhësve të tyre. Kjo nuk dëshmon se “turpi” është një kategori, që ka karakter historik, por që me ndryshimin e kohëve, shumë veprime, që mund të quheshin të turpshme më parë, më vonë bëhen të natyrshme madje edhe të lavdërueshme. Për shembull jo më larg se 100 vjet më parë ishte e turpshme t’ju ktheje fjalën prindërve, kurse tani psikologët e nxisin një shfaqje të personalitetit të adoleshentëve madje edhe të fëmijëve, kur mendojnë se kanë të drejtë.
Mund të merren me dhjetra shembuj të tillë të historisë sonë
jo të largët, nga mbajtja e kokës të mbuluar me shami të grave, në fundet, që
duhet të ishin poshtë gjurit e deri daljen në skenë për të kënduar apo aktruar,
në ushtrimin e grave të profesioneve të kamerieres e të tjera të ngjashme. Sot
mund të duken absurditete të tilla mendësi, por kanë ekzistuar në shoqëri me
njerëz me intelekt të njëjtë me tonin.
Por nëse shoqëria nuk “shthurrej” as nga heqja e ferexheve
apo shamive, as nga gjallërimi i jetës artistike, as nga evolucioni në marëdhëniet
seksuale, as nga banjat e diellit me gjoks të zbuluar të burrave dhe grave dhe
as nga puthjet në praninë e të tjerëve, shoqëria shthurret, kur gjërat e
paligjshme dhe të pamoralshme nuk shihen më si të turpshme, por krijohet në masë
një mendësi, që këto i bëjnë të zgjuarit, të shkathëtit dhe të suksesshmit. Dhe
kjo nis me kontrabandën, falsifikimin e vizave dhe pashaportave, shfrytëzimin e
pozitës zyrtare, ofrimin e seksit në këmbim të favoreve, mashtrimin me qëllime
fitimi, dhënien borxh me interesa shumë të larta , dhënien e vendimeve gjyqësore
në varësi të atij që paguan më shumë dhe deri në trafiqet e drogës dhe të njerëzve.
Të gënjyerit në mënyrë të vazhdueshme ka kohë që ka dalë nga kategoria e gjërave
të turpshme.
Në kohën e sotme, kategoria e atyre që dikur quheshin “namuzqarë“
klasifikohet më shumë si “të mefshtë“ dhe “naivë“, ndërsa “të nderuarit” janë
ata që njëkohë quheshin “namuzsëzë“. Dhe kjo nuk ka të bëjë as me zhvillimin,
as me orientimin euro-atlantik dhe as me shkëputjen nga “ndikimi” i dëmshëm i pushtimit
otoman”. Ka shumë të bëjë me edukimin materialist-ateist të viteve të Diktaturës,
mbylljen e institucioneve që predikonin moralin, varfërinë materiale dhe shpirtërore
dhe me një përqafim të menjëhershëm të të metave të shoqërive të përparuara perëndimore,
por jo të vlerave të tyre.
Dhe në “të paturpshmit” tani nuk hynë ata, të cilët nuk “kanë
se ç’të turpërojnë“ (po përmend vetëm Veliajt, Salillarët, Metajt, Ahmetajt),
por edhe të tillë që vijnë nga familje intelektualësh e emër si Rama, Beqaj,
Blushi, Pollo e të tjerë. Pra dukuria është jo vetëm e gjërë, por edhe gati
gati gjithpërfshirëse. Kjo e bën edhe më të rrezikshme dhe më afatgjatë. Edhe
pse nuk besoj në një ndarje të shoqërisë në kasta (sojsëzë dhe sojllinj), përsëri
nuk mund të mohohet rolin që luan tradita familjare në formimin dhe në sjelljen
e njerëzve. Ndaj të rriturit në një mjedis familjar me parimet e fitimit me çdo
kusht, të pabesisë nëse interesi tënd ta kërkon, të përuljes para të fuqishmëve
dhe shtypjen me këmbë të më të dobëtve, nuk ka se si të mos jenë “të pacipë“.
(Mungesa e cipës të shpije jo rrallë tek suksesi, por edhe shpesh tek burgu.)
(vijon)
No comments:
Post a Comment