Atdheu dhe individi është një temë mbi 200 vjeçare, pak e vështirë për tu trajtuar qartë se ka shumë ngjyrime, drtitë-hije dhe zona të errëta psikologjike që kërkojnë kohë për të hulumtuar. Mendoj se një pjesë e mirë prej nesh ka mbetur mendërisht në periudhën e Rilindjes Kombëtare, kur ishte e domosdoshme të zgjohej ndjenja kombëtare, për të ngritur një shtet shqiptar. Shumica prej tyre nuk e dinë se nocioni i Kombit në Historinë Njerëzore është një nocion i ri, që ze fill në periudhën e Revolucioneve francezë dhe amerikanë. Për ne shqiptarët nuk ka asnjë lidhje mes atdheut dhe Skënderbeut p.sh., pikërisht prej faktit se Gjergj Kastrioti ka luftuar si “Kalorës i Krishtërimit”, kur nocioni Komb nuk ekzistonte.
Dikush që komentonte mbi një shkrim timin, ku theksoja se më
duket absurde lidhja e karrierës së dikujt vend e pavend me Atdheun, shkruante se
“Atdheu është diçka që e marrim kudo me
vete”, a thua se është një torbë me dhe të cilën e gjezdisim nëpër botë dhe
në fund lemë amanet të na e hedhin mbi arkmort , kur të na mbulojnë.
Por edhe nëse është kështu, në cilën moshë quhemi plotësisht
se kemi një Atdhe? A është atdhe një vend i caktuar për një njeri që lind atje
por pas 3-4 vitesh largohet të jetojë në Amerikë ose Gjermani? Po për
10-12 vjeçarët? A ka një moshë, që përcakton
se cilit atdhe i përket? A mos ndoshta kemi mbetur ende në vargjet e }ajupit – “Mëmëdhe quhet toka/ Ku më ka rënë koka/ Ku
kam dashur mëmë e atë/Ku më njeh dhe guri i thatë.”?
Rrënjët e një koncepti të tillë janë thellë shoqërive
nacionalisto-patriarkale ku individi ekziston si pjesë e tribusë, familjes dhe
më gjërë e krahinës dhe e Atdheut. Kështu fillon ndrydhja e personalitetit të fëmijëve
dhe adoleshentëve , të cilët duhet të kenë kujdes në veprimet e tyre se mos “turpërojnë
familjen, të parin e sojit apo krahinën nga vijnë“. Kështu shpesh herë të rinjtë
kanë ndjekur verbërisht urdhërat e të parëve të tyre marrokë në veprime të
nxituara dhe të jashtëligjshme, ku kanë rrezikuar jetët e tyre, duke nisur me “gjakmarrjen”
dhe deri në “krimi i organizuar i kohëve moderne”.
Por edhe në pjesë më të përparuara të shoqërisë sonë, si në
atë të qyteteve, apo familjeve të vogla me dy prindër të shkolluar, jo rrallë
ekziston “koncepti patriarkal” se “fëmijët më përkasin”. Kjo nis që me
orientimin e tyre për të ndjekur një rrugë të caktuar në jetë, pa marrë
parasysh nëse fëmijëve ju pëlqen apo jo zgjedhja e një profesioni të caktuar.
Vazhdon më tej me përcaktimin e vendimeve të rëndësishme në jetë “se këto janë
në të mirën e tyre”. Dhe këto bëhen në mënyrën më të natyrshme sepse tek “të mëdhenjtë
autoritarë“ mbizotëron mendësia se jo vetëm dinë më shumë, por se është e
drejta eskluzive e tyre për të krijuar një pinjoll që do “nderojë familjen”. Ne
i trembemi idesë se individi ka pak lidhje me mbiemrin, dhe aq më pak me krahinën
dhe atdheun. Ato që i merr automatikisht nëpërmjet geneve janë të mjafta për të
përcaktuar lidhjen, por “kompozimin e geneve” askush nuk e di se si krijohet
tek individi, ndaj jo çka qënë rruga e suksesit për babanë mund të jetë
zgjedhja e natyrshme për të birin.
Aq më pak njeriu duhet të mburret apo të turpërohet për
arritjet apo dështimet e parardhësve apo dhe të familjes, sepse ai vetë nuk ka
gisht në to. Po më keq kur vetveten e lidh me krahinën apo vendin dhe ndodh si
në atë shprehjen budallaqe të labit : “Nuk
e them për mburrje, por jam nga Kuçi, nga zemra e Labërisë!”
(vijon)
No comments:
Post a Comment